Fuqia e Jezus Krishtit (Pjesa 8)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 24.05.2007

Kthimi i Tij

“Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë”. “Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet; yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi. Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit. Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”. “Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment” (Marku 13:23-33).

Parathënie

Ardhja e dytë e Zotit tonë Jezus Krisht do të jetë me fuqi të lavdishme e me pushtet. Në ardhjen e Tij të parë, Ai u lind prej Marisë dhe vuajti privim, përçmim dhe vdekje për mëkatarët. Por në ardhjen e Tij të dytë, Ai do të shihet tek kthehet me madhështi dhe lavdi. Erdhi si shërbëtor i vuajtur dhe si Qengji i Perëndisë, por, së shpejti, Ai do të kthehet si Mbret i Përjetshëm dhe si Luani i Judas (Isaia 52:13-14; Gjoni 1:29; Zbulesa 19:16, 5:5).

Çdo sy do ta shohë

“Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen” (Zbulesa 1:7).

Kur të vijë për së dyti, Jezusi nuk do të vijë tek një fshat i vogël në Izrael. Nuk do të presë që ca pasues besnikë ta përhapin emrin e Tij në të gjithë globin. Përkundrazi, e tërë bota do ta shohë Atë tek vjen me retë në lavdi e fuqi. Atëherë, hebrenjtë do ta kuptojnë sesa gabim të madh bënë, kur e mohuan dhe e kryqëzuan Mesian e tyre: “Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jeruzalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur” (Zakaria 12:10). Bota është në pritje ose të kalifit të fundit, ose të Budës, ose të ndonjë krishti të epokës së re. Por tërë shpresat e njerëzimit do të shkatërrohen vetëm brenda një çasti. Ateisti dhe ai që beson në teorinë e evolucionit, do ta kuptojnë budallallëkun e teorive të tyre, pikërisht në atë moment, kur t’i ngrenë sytë lart e të shohin Zotin Jezus në gjithë fuqinë dhe lavdinë e Tij. Atëherë, ata që e kanë mohuar dhe e kanë përqeshur Krishtin, do të thërrasin: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit” (Zbulesa 6:16).

Mbreti i Mbretërve

“Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbulesa 19:16).

Shumica e njerëzve janë gati ta pranojnë Zotin si fëmijë të vogël, të lindur në një grazhd në Bethlehem. Por të paktë janë ata, që e shpallin Atë si Mbret dhe Zot të përjetshëm. Pilati ndoshta u përpoq t’ia zvogëlonte fuqinë Jezusit, kur shkroi: “JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE” (Gjoni 19:19). Por mbishkrimi i ardhshëm do ta deklarojë Atë si Mbret të Qiellit dhe të tokës. Pali i referohet këtij fakti, kur i shkruan Timoteut: “Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi, ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht, që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen” (1 Timoteut 6:13-16). E gjithë toka do ta kuptojë se Ai është i vetmi Perëndi i vërtetë: “Dhe Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen” (1 Timoteut 1:17).

Fuqi, që nuk përshkruhet dot me fjalë 

“Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij” (2 Pjetrit 1:16).

Dishepujt panë pak prej kësaj fuqie, lavdie dhe madhështie të Zotit, kur Ai u shpërfytyrua para tyre mbi mal: “Dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita” (Mateu 17:2)… “Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë” (Marku 9:3). Edhe pse ky lloj manifestimi i lavdisë së Jezusit duhet të ketë qenë tepër i fuqishëm në sytë e pasuesve të Tij, prapëseprapë ata nuk e panë Atë në tërë madhështinë e Tij, sepse sytë dhe mendjet e tyre ishin të errësuara prej perdes së mishit: “Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe” (1 Korintasve 13:12). Lavdia e diellit do të duket si qiri, atëherë kur të krahasohet me dritën e lavdishme, që do të rrezatojë prej Jezus Krishtit, kur të kthehet. Pali e përshkruan kështu dritën, që pa në Rrugën për në Damask: “Në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje” (Veprat e Apostujve 26:13). Pali duhet t’i referohet të njëjtës dritë, edhe kur shkruan rreth shkatërrimit të Antikrishtit: “Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij” (2 Thesalonilasve 2:8). E shohim, pra, se nuk gjejmë dot mënyrë tjetër më të mirë për ta përshkruar siç duhet zbulesën e lavdisë dhe të fuqisë së Jezusit, kur të kthehet. Por na ngushëllon njohuria se një lavdi dhe fuqi e tillë do të na e transformojë trupin tonë të dobët dhe do të na bëjë të denjë për në Qiell: “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2).

Përfundim

“Të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Titit 2:13) meriton më shumë vend, sesa ky prezantim, që i kemi bërë kësaj teme në këtë studim. Por është e qartë se ardhja e Tij nuk do të jetë sekrete. Ai nuk do të fshihet larg në shkretëtirë, apo mbi mal. Ardhja e dytë e Zotit Jezus Krisht nuk mund të përshkruhet dot plotësisht me fjalë njeriu, por mund të themi se ajo do të jetë një ardhje befasuese, e lavdishme dhe e fuqishme.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net