Fuqia e Jezus Krishtit (Pjesa 7)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 22.05.2007

Të vërtetuarit e kësaj fuqie në jetën tonë të përditshme

Parathënie

Në një studim të mëparshëm, vumë re se si Krishti na ka pajisur me fuqinë e Tij, me qëllim që t’i shërbejmë Atij dhe të jetojmë jetën e krishterë. Këtu, do të shohim se si vepron kjo fuqi tek ne në jetën tonë të përditshme.

Bëhemi të vullnetshëm me anë të fuqisë së Tij

“Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd” (Psalmi 110:3). Perëndia na jep fuqi që të punojmë për Të, por, në fillim, Ai vendos brenda zemrës sonë dëshirën për të punuar për Të. Edhe pse jemi besimtarë, po qe se nuk e ndjekim udhëheqjen e Frymës së Shenjtë, atëherë nuk do të mund të bëjmë asgjë për Perëndinë. E kemi për detyrë që t’ia ofrojmë veten shërbesës së Perëndisë dhe të jemi të bindshëm ndaj asaj, që Ai na thërret ta bëjmë: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). Nëse jemi vërtet të drejtuar prej Frymës së Shenjtë, atëherë do ta dijmë se cili është vullneti i Perëndisë për jetën tonë: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14).

Ndihmohemi me anë të fuqisë së Tij

“Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18). Asnjë i krishterë nuk e ka vullnetin aq të fortë, sa ta mposhtë tundimin, mëkatin dhe problemet e jetës së përditshme me forcat e veta, sepse përndryshe, nuk do të kishte nevojë që Fryma e Perëndisë të banonte në të. Jezusi jetoi në këtë botë për 33 vjet dhe e di se me ç’vështirësi ballafaqohemi çdo ditë. Çdo vështirësi ka fuqinë për të na bërë, që ta kompromentojmë besimin dhe madje edhe të heqim dorë fare prej tij. Kur tundohemi e jemi gati ta tradhtojmë Perëndinë, për shkak të vështirësive e problemeve, atëherë na duhet që t’i afrohemi Atij e Ai do të na forcojë e do të na çlirojë. “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16). Ky hir do të na japë forcë për t’u bërë triumfues. Apostulli Pal, pasi na jep një listë të gjatë të gjërave, me të cilat mund të ballafaqohemi në jetën e krishterë, shkruan: “Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi” (Romakëve 8:37).

Forcohemi me anë të fuqisë së Tij

Mund të mendojmë se detyra që na ka caktuar Zoti, është shumë e vështirë për t’u realizuar. Duke filluar që nga Moisiu, në Bibël do të hasim personazhe, të cilët mendonin se nuk ishin në gjendje ta bënin atë, që iu kishte kërkuar Perëndia. E megjithatë, ata gjithmonë e përmbushën thirrjen e jetës së tyre, sepse ishte Zoti Ai, që iu dha forcë. Së bashku me Palin, edhe ne mund të themi: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13). Pali e dinte se mund të mbështetej tek fuqia e Krishtit, për të realizuar detyrën, për të cilën edhe ishte thirrur: “Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit” (2 Timoteut 4:17). Perëndia na jep fuqinë për të bërë atë detyrë, për të cilën edhe na ka thirrur.

Ruhemi me anë të fuqisë së Tij

“Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë” (2 Timoteut 1:12). Pali ishte ‘i bindur’. Kjo do të thotë se ai nuk kishte asnjë pikë dyshimi, lidhur me premtimin e Perëndisë për t’i ruajtur të gjithë ata, që i besojnë Atij. “Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:38-39). Duhet të jemi të sigurtë se Perëndia do të na mbajë e do të na ruajë, pavarësisht nga ato, që mund të na ndodhin në jetë. Jeta, puna dhe shërbesa jonë është në duart e Tij dhe Ai na jep fuqinë që të vazhdojmë të jetojmë, edhe kur jeta është e ashpër. “Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve” (2 Timoteut 4:18). Kjo ruajtje është e vlefshme për ata, që ia kanë përkushtuar dhe vazhdojnë t’ia përkushtojnë jetën e tyre Zotit: “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:3).

Do të ndryshohemi me anë të fuqisë së Tij

“Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:18). Ndoshta nuk jemi të sigurtë se ç’do të na sjellë e ardhmja në këtë tokë, por e dimë se e ardhmja jonë e përjetshme është e siguruar në Krishtin: “I cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” (Filipianëve 3:21). Kjo fuqi transformuese do të shfaqet, sapo ta shohim Atë ballë për ballë: “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2).

Përfundim

Fuqia e Krishtit, e cila na bën ta jetojmë jetën e krishterë, është e mjaftueshme për t’i bërë ballë çdo problemi, vështirësie, persekutimi, apo tundimi, që mund të kalojmë. Fuqia e Tij është e vlefshme akoma për të gjithë ata që besojnë, sepse Ai ka premtuar: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Prandaj, mund të qëndrojmë me besim, pavarësisht se ç’mund të na sjellë jeta: “Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?” (Hebrenjve 13:6).

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net