Fuqia e Jezus Krishtit (Pjesa 6)
Fuqi që të pajis
“Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8).
Parathënie
Në qarqet Pentakostale dhe Karizmatike, ka shumë nga ata, që deklarojnë se veprojnë nën vajosjen dhe fuqinë e Krishtit. E megjithatë, shumica e të ashtu-quajturave ‘Shërbesa të Mrekullive’ zhvillohen tamam si shfaqje spektakël. Nga ana tjetër, degët e tjera të Kishës e hedhin poshtë idenë se mrekullitë mund të ndodhin edhe sot, duke shkaktuar, si rezultat, një fe të vdekur, të thatë dhe pa jetë. Ç’na mëson Bibla, lidhur me këtë çështje, sidomos në lidhje me fuqinë e Krishtit?
Fuqia e Krishtit kundër fuqisë së Satanait
“Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t’i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë” (Mateu 10:1).
Jezusi iu dha dishepujve fuqi mbi frymërat e demonëve, të cilët i linin sakat jetët, trupat dhe mendjet e njerëzve. Kjo ishte fuqia e Krishtit, tek vepronte përmes tyre, për t’i sjellë lavdi Perëndisë. Askund në Dhiatën e Re nuk thuhet se pasuesit e vërtetë të Jezus Krishtit nuk mund të pajisen me të njëjtën fuqi, si edhe kisha e hershme. “Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë” (Veprat e Apostujve 2:39).
Shumica e feve të botës deklarojnë se zotërit, shenjtorët, apo profetët e tyre janë në gjendje të kryejnë mrekullira. Por, kur këto mrekulli shqyrtohen më me hollësi, vihet re se ato s’janë mrekulli, por marifete e mashtrime. Të gjithë e dimë se ç’efekt kanë hipnotistat mbi turmat e njerëzve, prandaj edhe nuk duhet të habitemi, kur marrim vesh se i njëjti aktivitet djallëzor gjendet edhe tek feja. Nuk është fuqia e Krishtit, por e Satanait ajo, që vepron në mitingje të tilla. Ferri është jashtëzakonisht aktiv sot në botë. Satanai dhe ëngjëjt e tij janë të angazhuar në fushën politike, në industri, në argëtimin e masave dhe sidomos në fe. Qëllimi i djallit është që ta diskreditojë Perëndinë dhe t’ia grabisë Atij lavdinë. Si është e mundur, pra, që disa thonë se, ndërkohë që Satanai ka fuqinë për t’i sjellë njerëzimit çdo lloj problemi, ditët e mrekullive të urdhëruara prej Perëndisë mbaruan me apostujt? A nuk është kjo ajo, që Ferri do që ne ta besojmë dhe Perëndisë t’i vidhet kështu lavdia?
E vërteta kundër së rremes
“Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej. Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë. Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej” (Mateu 16:17-19).
Gjatë gjithë historisë së Kishës, gjejmë të regjistruara mrekulli, që kanë ndodhur vërtet, por, fatkeqësisht, media është gati për të publikuar veprimet e baktaçinjve dhe të atyre, që nisen për të përfituar. E për këtë shkak, mrekullitë e vërteta futen në të njëjtën kategori si edhe mitologjia. Këto kohët e fundit, Satanai është përpjekur për ta turpëruar Kishën e për t’ia mbyllur gojën asaj, që të mos veprojë fare. Ai nuk do që të krishterët të besojnë se Krishti iu ka dhënë pasuesve të Tij fuqi mbi forcat e Ferrit. S’ka dyshim se “Çelësat e Mbretërisë së Qiellit” bëjnë fjalë për fuqinë që na është besuar neve nëpërmjet Krishtit, fuqi, e cila është më se në gjendje t’i mbyllë portat e Ferrit! Këto porta janë të hapura fare, atëherë kur kisha nuk i përdor më çelësat.
Lavdia e Perëndisë kundër nderimit të vetvetes
“Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd”. Dhe ai u tha atyre: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë. Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej” (Luka 10:17-20).
Zoti Jezus Krisht na ka dhënë vërtet fuqi mbi të gjithë fuqinë e Ferrit, por duhet që lavdinë ta marrë gjithmonë vetëm Perëndia. “Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura” (Isaia 42:8). Në momentin kur kisha filloi të lavdërojë veten, në vend që të lavdëronte Perëndinë, ajo i humbi “Çelësat e Mbretërisë së Qiellit”. Shumë prej predikuesve të ditëve të sotme gëzohen me faktin se kanë aftësi karizmatike. I bëjnë reklamë vetes aq shumë, sa arrijnë që t’i bëjnë pasuesit e tyre të besojnë se fuqia e Perëndisë banon aktualisht në ta.
Ne duhet të gëzohemi gjithmonë në Zotin. “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!” (Filipianëve 4:4). Fuqia e Jezus Krishtit do t’i kthehet me të vërtetë Kishës, në momentin kur e gjithë lavdia dhe nderi t’i jetë dhënë Perëndisë.
Përfundim
Zoti nuk e ka lënë Veten pa një dëshmitar (Veprat e Apostujve 1:8), prandaj duhet të biem dakort me Perëndinë dhe të shkojmë në këtë botë me vajosjen dhe fuqinë e Tij mbi ne. “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:18-20)… “Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar. Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen” (Marku 16:15-18). Nëse e besojmë se Jezusi na ka dhënë fuqinë për të predikuar, atëherë duhet ta pranojmë se Ai na ka dhënë edhe fuqinë për të qëndruar kundër Satanait dhe kurtheve të tij. “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:11-12).
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



