Fuqia e Jezus Krishtit (Pjesa 5)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 15.05.2007

Fuqia e Tij në shpëtim
 

Parathënie

Vetëm Jezus Krishti ka fuqinë për t’i shpëtuar mëkatarët nga dënimi (gjykimi). Edhe pse ka patur shumë pretendues, të cilët kanë deklaruar se ka rrugë të tjera alternative për tek Perëndia, është vetëm Krishti Ai, që derdhi gjakun e Tij sakrifikues për të shpenguar mëkatarët. Kjo do të thotë se Jezusin mund ta konsiderojmë vetëm si Perëndi.

Shpëtimtari

Që nga fillimi, Perëndia e tregoi se e kishte vetë fuqinë për ta çliruar popullin e Tij. Gjatë gjithë historisë së Izraelit, e shohim se Perëndia dha Ligjet e shlyerjes së fajit, me qëllim që njerëzit të merrnin falje për mëkatet e tyre. Sipas Ligjit të Moisiut, flijimet i ofroheshin Perëndisë vit pas viti për faljen e mëkateve, e megjithatë, askush nuk mund të shenjtërohej plotësisht me anë të gjakut të kafshëve: “Sepse ligji, duke pasur hijen e të mirave që kishin për të ardhur dhe jo figurën vetë të gjërave, nuk mundet kurrë që t’i bëjë të përkryer ata që i afrohen Perëndisë me anë të të njëjtave flijime që ofrohen vazhdimisht vit për vit. Sepse përndryshe do të kishin pushuar t’i ofronin, sepse ata që e ushtrojnë kultin, si të pastroheshin një herë, a nuk do të kishin më asnjë vetëdije për mëkatet? Por në këto flijime përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve, sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatët” (Hebrenjve 10:1-4). Prapëseprapë, gjatë gjithë Dhiatës së Vjetër, Jehovai përshkruhet si Shpëtimtar: “Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre” (Psalmi 78:35).

Gjithashtu, tek Isaia 41:14 lexojmë: “Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj,” thotë Zoti; “Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit”. Shumë i larti Perëndi, Shpëtimtari ynë, nuk është askush tjetër përveç Jezusit, i cili erdhi në tokë në formën e njeriut, për të na shpëtuar prej mëkatit dhe prej Satanait. E ngaqë gjaku i deleve dhe i cjepve të flijuar nuk mund të shpëtonte njeri, u desh një njeri i përsosur e pa mëkat, që ta paguante çmimin për mëkatin. Jezusi, si njeriu dhe ndërmjetësi i përsosur, derdhi gjakun e Tij mbi kryq, në mënyrë që mëkatarët të mund të shpëtohen. “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri, i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar” (1 Timoteut 2:5-6). “Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira” (Hebrenjve 8:6). Tek Mateu 26:28, Jezusi tha: “Sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve”.

Në Të është shpengimi

“Në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij” (Efesianëve 1:7).

Jezusi është Perëndi dhe Shpëtimtar. Jobi e priti me padurim atë ditë, kur ai do ta shihte Shpëtimtarin e Tij: “Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra” (Jobi 19:25-27). Ai e njihte Jehovain si Shpëtimtar dhe tha se Ai do të ecte mbi tokë në ditët e fundit. Si në ardhjen e Tij të parë, ashtu edhe në atë të dytën, Jezusi është po Ai Shpëtimtar: “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit” (Hebrenjve 1:1-2)… “Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? “Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar”. Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç? “Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia. Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur” (Isaia 63:1-4).

Sot, Ai i fal të gjithë ata, që vijnë tek Ai me pendim dhe me besim. Pak rëndësi ka se ç’mëkat ka kryer një person – Jezusi mund t’ia lajë atij mëkatin e ta bëjë edhe më të bardhë se bora. “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18). “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25).

Fuqi për të falur

“Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde” (Mateu 9:6).

Si mundi të deklaronte Jezusi se iu falte njerëzve mëkatet, po qe se Ai vetë nuk ishte Perëndi, i njëjti Shpëtimtar, si edhe Ai në Dhiatën e Vjetër? Ashtu si drejtuesit fetarë në kohën e Jezusit, edhe sot, vetëm ata, që e keqkuptojnë dhe e mohojnë Krishtin, nuk duan ta besojnë se Ai është Shpëtimtari: “Pse vallë ky po flet blasfemi? Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?” (Marku 2:7).

Fuqia (e Krishtit) për të falur mëkatet ishte e pranuar si fakt në kishën e hershme, sepse tek Veprat e Apostujve 5:30-31 lexojmë se Pjetri, ndërsa qëndroi përpara këshillit, tha: “Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru. Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve”. Hebrenjve 9:22 thotë: “Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë”. Jezusi derdhi gjakun e Tij për të na falur mëkatet. “Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar” (Romakëve 4:7). Apostujt Pjetri dhe Pali thanë se një njeri mund të marrë falje vetëm nëpërmjet besimit në Krishtin, i cili u ndëshkua mbi kryq në vendin tonë: “Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij” (Veprat e Apostujve 10:43).

Përfundim

1 Gjonit 2:1 thotë se Jezus Krishti është “Avokati” ynë, kurse 1 Gjonit 1:9 thotë: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi”. Neve na duhet që vetëm ta marrim me besim atë, që Krishti ka bërë për ne. Duhet t’i besojmë vetëm Jezus Krishtit për shpëtimin tonë të përjetshëm. Nuk duhet t’i vëmë shpresat tek veprat tona, apo tek veprat e ndonjë tjetri, por vetëm tek Ai, i cili është “i Fuqishëm për të shpëtuar”, sepse vetëm Ai ka fuqinë për të shpëtuar mëkatarët. Fuqia qëndron akoma në gjakun e Tij.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net