Fuqia e Jezus Krishtit (Pjesa 4)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 12.05.2007

Zoti i Krijimit
 

Parathënie

Ata që i qëndrojnë besnikë asaj që thotë Bibla, besojnë se universi dhe gjithçka që përmban ai, është krijuar nga Perëndia dhe nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë proçesi të evolucionit. Ata gjithashtu e pranojnë se Zoti Jezus Krisht, si anëtar i Hyjnisë, është vetë Krijuesi i universit. Bibla na e prezanton Jezusin edhe si Zot të Krijimit, edhe si Shpëtimtar.

Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë… Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu” (Gjoni 1:1-3, 10).

Këto vargje na mësojnë se Jezusi është Krijuesi i të gjitha gjërave. Kjo botë është vepër e duarve të Tij, ngaqë ishte Ai që e krijoi burrin dhe gruan e parë, kafshët dhe bimët. Tek Zanafilla 1, lexojmë se Perëndia foli dhe gjithçka e krijua. Këtë e mbështet edhe Psalmi 33:6, “Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij”. E shohim rolin që pati Zoti Jezus në Krijim: Ai ishte “Fjala”. Pali na e bën të qartë se gjithçka u krijua me anë të Krishtit: “Dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit” (Efesianëve 3:9). Tek Hebrenjve 1:1-2, lexojmë gjithashtu se “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë”.

Kur bëhet fjalë për të vërtetuar se Jezusi krijoi gjithçka, Bibla nuk lë vend për dyshim. As njerëzit, as ëngjëjt nuk e kanë këtë aftësi krijuesi, dhe, nëse Krishti nuk është as njeri, as ëngjëll, atëherë Ai duhet të jetë Perëndi. E nëse Ai është Perëndi, atëherë, nga kjo rrjedh se Ai duhet të jetë Krijuesi. “Sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të” (Kolosianëve 1:16). Apostulli Gjon, në hyrje të ungjillit të tij rreth Krishtit, me qëllim na e tërheq vëmendjen tek Zanafilla 1:1, “Në fillim Perëndia krijoi”. Gjoni thotë: “Në fillim ishte Fjala”. Ai ka dëshirë që lexuesit e tij ta kuptojnë se Jezusi është Zoti i Krijimit. Ata që e mohojnë Atë si Krijues, konsiderohen të marrë dhe i sjellin vetes zemërimin e Perëndisë: “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë” (Romakëve 1:18-22).

Të gjitha gjërat qëndrojnë me anë të Tij

Zoti Jezus Krisht, jo vetëm që është përgjegjës për krijimin e gjithçkaje, por fuqia e Tij dallohet edhe në mbajtjen e gjithçkaje. “Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të” (Kolosianëve 1:17). Ky varg na mëson se i gjithë krijimi mbahet (qëndron) së bashku me anë të fuqisë së Tij. Pa Të, të gjitha gjërat e krijuara do të rrëzohen e prishen. Do të vijë dita, kur Ai do t’i largojë duart e Tij prej këtij universi dhe kjo do të shkaktojë shkatërrimin e plotë të tij: “Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt. Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme, duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?” (2 Pjetrit 3:10-12). Kush tjetër, përveç Perëndisë, e ka këtë fuqi dhe autoritet? Ai që krijoi universin me duart e Tij, do ta shkatërrojë atë, kur të mos e mbajë më në dorë. Mjafton që Ai të thotë fjalën dhe gjithçkaje i vjen fundi: “Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta” (Hebrenjve 1:3).

Zoti Jezus deklaroi se Ai kishte egzistuar më përpara sesa të egzistonte ndonjë gjë tjetër: “Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota” (Gjoni 17:5) dhe “Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” (Gjoni 8:58). Ngaqë Ai i mban të gjitha gjërat me anë të fuqisë së Tij, atëherë këtu duhet të shtojmë faktin se universi, qeveritë e botës, ëngjëjt dhe demonët vazhdojnë të egzistojnë, përsa kohë që i lejon Ai të egzistojnë. Jeta e çdo burri, gruaje dhe fëmije është nën autoritetin e Tij.

Përfundim

Teologët liberalë, ata që besojnë në teorinë e evolucionit dhe ateistët e mohojnë idenë se Jezusi është Zoti i Krijimit. E megjithatë, ata që tashmë kanë hyrë në Qiell, e dinë se kjo është e vërteta: “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan” (Zbulesa 4:11). Davidi shkroi: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Psalmi 19:1). Prandaj, kur ia hedhim sytë qiellit natën, apo kur vështrojmë mrekullitë e Krijimit, e shohim dëshminë e fuqisë së Zotit Jezus Krisht.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net