Fuqia e Jezus Krishtit (Pjesa 2)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 05.05.2007

Zoti Suprem

Parathënie

Bibla pohon vazhdimisht se Jezus Krishti është Zot suprem. T’ia heqësh supremacinë Atij do të thotë t’ia çvlerësosh nderin dhe lavdinë Perëndisë, të shprehur në Trinitet. Në këtë studim, do t’i hedhim një sy disa vargjeve, të cilat përshkruajnë supremacinë e Krishtit mbi çdo gjë, duke na vërtetuar se Ai është plotësisht dhe me të vërtetë Perëndi.

Supremacia e Krishtit

“Dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme” (Efesianëve 1:19-21). Pali deklaron qartë se Zoti Jezus Krisht është suprem, si në këtë anë të përjetësisë (d.m.th. në të tashmen), ashtu edhe në anën tjetër (d.m.th. në të ardhmen). Njeriu, me fetë dhe sistemet e shumta fetare të tij, është përpjekur ta rrëzojë Krishtin nga froni, duke ia zhveshur krejt tërë fuqinë, lavdinë dhe nderin. Njerëzimi ka një urrejtje djallëzore kundrejt Atij dhe ndaj të gjithë atyre, që i dalin përkrah asaj që thotë Bibla. Satanai ka shpikur mënyra nga më të ndryshmet për t’iu larguar njerëzve nga mendja faktin se Jezusi është Zot. Por, edhe pas 2000 vjetësh, ka me miliona njerëz, që deklarojnë se Krishti është Ai, “i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë” (Romakëve 9:5). Krishti është akoma mbi fron, pavarësisht nga përpjekjet e feve të ndryshme, të teologjisë liberale, të evolucionit dhe të ateizmit për ta rrëzuar Atë nga froni. “I cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqi” (1 Pjetrit 3:22). Krishti sundon në Qiell, së bashku me Atin dhe Frymën e Shenjtë dhe çdo gjë është nën autoritetin e Tij. Kjo do të thotë se askush nuk mund t’ia zërë Atij vendin, edhe pse njeriu është munduar ta zëvendësojë Krishtin me Marien, Muhamedin, Josef Smithin e me shumë qënie të tjera njerëzore. Pikërisht para fronit të Tij, një ditë i gjithë njerëzimi do të përulet dhe do ta pranojë se Ai është Zot: “Që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:10-11).

Fuqia e pakufizuar e Krishtit

“Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mateu 28:18). Fuqia e Krishtit është e pakufizuar, sepse ajo përfshin gjithçka në Qiell dhe mbi tokë. Këtë gjë e kuptoi edhe Danieli, kur pa një vegim të lavdisë së Zotit: “Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij. Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë” (Danieli 7:13-14). Nuk është, pra, për t’u habitur që apostulli Pal mundi të deklarojë kështu lidhur me Krishtin: “Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë” (1 Korintasve 15:27). Më tej, tek Efesianëve 1:21, ai deklaron se Jezusi është “përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme”.

Doktrina e karakterit hyjnor të Jezusit na tregon se Jezusi zotëron të gjitha vetitë hyjnore të Perëndisë. Në këto karakteristika të veçanta përfshihen: plotfuqishmëria e Tij, gjithëdijshmëria e Tij, kudondodhja e Tij, pandryshueshmëria e Tij dhe përjetësia e Tij. Si Perëndi që është, Ai ka fuqi të pakufizuar për t’i shpëtuar, për t’i shëruar dhe për t’i çliruar të gjithë ata, që vijnë tek Ai. Kjo supremaci përfshin edhe të drejtën e Tij hyjnore për të gjykuar të gjithë: “Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij” (2 Timoteut 4:1). C. I. Scofield ka thënë: “Jezusi, ose ishte Biri i Perëndisë, ose Ai, si e vetmja Qënie pa mëkat, që ka njohur ndonjëherë njerëzimi, ishte një mashtrues i vetëdijshëm, një batakçi blasfemues, apo një entuziast i marrë. Vetëm një i marrë, duke qenë vetë një Qënie pa mëkat, do të mund të kryente me vetëdashje mëkatin më flagrant të të gjithë mëkateve, të shkelurit e Urdhërimit të Parë: “Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje” (Ligji i Përtërirë 5:7)”. Ata që ranë në kontakt me Jezusin, e kuptuan mirë natyrën e Tij të vërtetë, sidomos kur Ai shfaqi fuqinë e Tij: “Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë: “Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty”. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të” (Luka 8:38-39). Ky njeri besoi pikërisht ashtu siç deshi edhe vetë Jezusi që ai të besonte, d.m.th. se Jezusi ishte Perëndi.

Përfundim

Vetë fakti se Jezusi thotë tek Zbulesa 1:8: “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi”, thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi” duhet të na bindë, si rreth karakterit të Tij hyjnor, ashtu edhe rreth supremacisë së Tij (shiko gjithashtu Zbulesa 1:11, 21:6, 22:13). Mrekullitë e Tij të shumta, që prej ringjalljes së të vdekurve, shërimit të të sëmurëve, ecjes mbi ujë, e deri tek dëbimi i demonëve, na vërtetojnë mjaftueshëm se Atij i përket tërë fuqia dhe pushteti.

Jobi, i cili e dinte se “Shpëtimtari” i Tij “jeton” (Jobit 19:25), tha gjithashtu: “E pranoj që mund të bësh gjithçka” (Jobit 42:2). Ai do të kishte rënë dakort me Jeremian 32:17: “Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty”.

“Ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht, që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen” (1 Timoteut 6:14-16). E dimë se ky varg bën fjalë për Krishtin, sepse Gjoni shkruan tek Zbulesa 17:14: “Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë”.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net