Fuqia e Jezus Krishtit (Pjesa 1)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 21.04.2007

Karakteri i Tij Hyjnor

Parathënie

Do të fillojmë një studim prej 8 pjesësh, lidhur me fuqinë e Zotit Jezus Krisht. Ka patur dhe ka shumë doktrina dhe koncepte të rreme mes atyre, që refuzojnë ta pranojnë se Jezusi është Perëndi. Kjo vihet re sidomos në ato grupe, që nuk janë gati ta pranojnë atë, që është e shkruar në Bibël. Ky studim përqëndrohet tek fakti se fuqia e Tij nuk është fuqi njeriu, apo ëngjëlli, por fuqia e vetë Perëndisë, d.m.th. Jezus Krishti është Perëndi.

Jezusi është i barabartë me Perëndinë Atë

“Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj”. Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri” (Gjoni 5:17-19).

Ka nga ata që thonë gabimisht se Jezusi nuk deklaroi se ishte Perëndi. Por në këtë pasazh lexojmë se Ai, jo vetëm që tha se Perëndia është Ati i Tij, por edhe se Ai vetë është i barabartë me Të. A nuk është për t’u habitur se ata që e dëgjuan Jezusin, i kuptuan qartë fjalët e Tij, por sot ka njerëz, që nuk arrijnë ta kuptojnë dot rëndësinë e këtyre fjalëve? Judenjtë e kuptuan shumë mirë atë që po thoshte Jezusi, prandaj edhe donin ta vritnin, ngaqë i konsideronin fjalët e Tij si blasfemi. Zoti zotëron të njëjtën autoritet dhe fuqi, ashtu si edhe Perëndia. Fuqia e Krishtit është hyjnore, sepse Ai është pikërisht Ai, që edhe vetë e deklaron se është: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1).

Zoti Jezus Krisht kurrë nuk veproi në mënyrë të pavarur nga Hyjnia, sepse po të vepronte kështu, atëherë do të vërtetonte se Ai nuk ishte Perëndi. Por, si i barabartë me Perëndinë, Ai bën pikërisht të njëjtat gjëra, ashtu si edhe Ati i Tij. Zanafilla 1:1 thotë: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën”. Ndaj nuk duhet të habitemi, kur të mësojmë se Jezusi krijoi gjithçka në bashkëpunim me Hyjninë: “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:3). Rolin e Jezusit në Krijim do ta studiojmë në të ardhmen.

Jezusi është burimi i jetës së përjetshme

“Dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim. Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:28-30).

Vini re se si Jezusi deklaron se Ai ka fuqi dhe se Ai është burimi i jetës së përjetshme. Mund ta marrim e ta pranojmë jetën e përjetshme, por ne vetë nuk mund t’ia japim atë askujt. Nuk ka egzistuar asnjëherë ndonjë ëngjëll, që t’i ketë ofruar jetë të përjetshme njerëzimit. Jezusi duhet të jetë Perëndi, sepse vetëm Perëndia mund të japë jetë të përjetshme. Po qe se Jezusi do të ishte qënie e krijuar, siç thonë Dëshmitarët e Jehovait, atëherë do të ishte e pamundur që Ai t’ia jepte jetën e përjetshme më shumë se sa një personi, të ndodhur në një vend dhe në një kohë të caktuar. Përsëri e shohim se Judenjtë u përpoqën ta vrisnin Jezusin, ngaqë e kuptuan deklaratën e Tij, të cilën kultet e ndryshme përpiqen më kot ta mohojnë: “Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi” (Gjoni 10:33).

Judenjtë u tërbuan nga fjalët “Unë dhe Ati jemi një”. Që në fëmini, atyre iu ishte mësuar deklarata e besimit të Moisiut, e ndodhur tek Ligji i Përtërirë 6:4: “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm” Ata nuk mund ta hiqnin dot nga mendja atë, që tha Jezusi lidhur me Veten e Tij. Ai është i përjetshëm dhe dhuruesi i jetës së përjetshme. Profeti Isaia foli rreth ardhjes së Mesias me këto fjalë: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes” (Isaia 9:6).

Jezusi është Perëndi dhe Njeri

Zoti Jezus Krisht jetoi në tokë si Perëndi i përsosur, ashtu edhe si Njeri i përsosur: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14). Që nga momenti i lindjes si një fëmijë njerëzor, Ai ishte i bindur ndaj Perëndisë, Atit të Tij. Fuqia e Tij hyjnore ishte si rezultat i unitetit të Tij me Atin dhe i bindjes së Tij ndaj vullnetit të Atit. Edhe pse Jezusi është “vula e qënies së tij” (Hebrenjve 1:3), Ai “mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi” (Hebrenjve 5:8). Jezusi mund ta përmbushte rolin e Tij si Shpëtimtar dhe Ndërmjetës, vetëm ngaqë ishte njeri: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Timoteut 2:5). Edhe pse ishte Krijuesi i gjithçkaje, për 33 vjet me radhë, Jezusi jetoi si njeri, duke provuar urinë, lodhjen, të qarat dhe dhimbjen.

Është mashtrim i madh t’iu mësosh të tjerëve se Jezusi është vetëm një njeri i përlëvduar, apo një qënie ëngjëllore. Bibla e paraqet Atë si Perëndi: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?” (Mateu 8:27)… “Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Ti je Biri im, sot më je lindur”? Edhe përsëri: “Unë do t’i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir?” (Hebrenjve 1:5). Jezusi është i Madhi “Unë Jam” (Jehovai) i Eksodit 3:14, sepse Ai tha për Vetveten: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” (Gjoni 8:58). Është interesante po ta vëmë re se, sa herë që Jezusi foli rreth natyrës së Tij hyjnore, Judenjtë donin ta vrisnin (shiko Gjoni 8:59).

Përfundim

Po të gabojmë në arsyetimin tonë rreth personit të Jezusit, atëherë do të gabojmë edhe në gjykimin tonë rreth Perëndisë. Dhe, po të jemi gabim në gjykimin tonë rreth Perëndisë, atëherë jemi të humbur. Kjo seri studimesh do të na e bëjë më të qartë faktin se Zoti Jezus Krisht është me të vërtetë Perëndi. Ai ishte Perëndi në përjetësinë e së shkuarës dhe do të jetë Perëndi edhe në përjetësinë e së ardhmes. Ai kurrë nuk ka pushuar së qëni Perëndi. Ai që u lind prej virgjëreshës Mari më shumë se 2000 vjet më parë, është Zot mbi të gjithë: “Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë” (Mikea 5:2).

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net