Fryrja e zjarrit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 07.03.2010

Parathënie
Ata që thonë se është e lehtë të jetosh për Perëndinë, ose janë të gabuar, ose janë gënjeshtarë. Djalli është gati të bëjë gjithçka, me qëllim që të na largojë prej gjërave të Perëndisë e të na e shuajë pasionin tonë për Të. Për më tepër, ngaqë jetojmë në një botë mëkatare, jeta nganjëherë na paraqet probleme e shqetësime të panumërta dhe, si rezultat, nuk na del më koha për gjërat shpirtërore. Nëse jemi si ai zjarr, që është gati të shuhet, atëherë na duhet t’i fryjmë, me qëllim që t’i ndezim përsëri flakët.
Kemi nevojë për Zotin
Të shumtë janë ata të krishterë zemër-ftohtë, që presin sa t’iu ndodhë ndonjë tragjedi, për t’u kthyer përsëri tek Perëndia. Të krishterë të tillë e kanë lejuar botën, që t’ua shuajë zjarrin e Zotit në jetën e tyre dhe, dalë-nga-dalë, janë kthyer si ata, që nuk besojnë. Fillojnë e mësojnë se si të jetojnë pa praninë e Perëndisë.
Kemi nevojë për Zotin në çdo moment të jetës. Kemi nevojë për Të në çdo situatë të jetës. Pa Të, nuk mund të jetojmë dot shpirtërisht dhe, shumë shpejt, mungesa e Tij në jetën tonë do të ketë një ndikim negativ gjithashtu edhe nga ana fizike. Duhet të mos i harrojmë bekimet e shumta, që na ka dhënë Perëndia, sidomos dhuratën e mrekullueshme të shpëtimit. “U kujto atyre që t’u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë, të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve. Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin. Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit, ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë, që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi” (Titit 3:1-7). Ky pasazh jo vetëm që na mëson se Krishti na shpëtoi, por edhe se Ai na e ndryshoi gjithashtu edhe mënyrën tonë të të sjellurit. Shpëtimi përfshin çdo aspekt të jetës sonë, të shpirtit, zemrës dhe trupit.
Po të duam, mund të vazhdojmë të sillemi si ata që nuk besojnë, por, duke vepruar kështu, nuk do të marrim dot bekimet e Atit tonë qiellor. “Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak, sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to. Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë” (Luka 12:29-31).
Pasojat e mëkatit
Duke e lejuar mishin (e jo Frymën), që të na e mbizotërojë jetën, shumë shpejt bëhemi skllevër të mëkatit dhe zemra na ftohet ndaj Perëndisë. Të ndodhur në një gjendje të tillë, jemi si rebelë, duke iu kundërvënë vullnetit të Zotit. Mëkati hyn zakonisht dalë-nga-dalë në zemër. Mund ta mburrim veten se shkojmë në kishë, apo se lutemi, apo se i japim Zotit të dhjetën. Por, në fakt, zemrën e kemi akull ndaj Tij.
Mëkati më i madh është ai, që e shkurorëzon Krishtin prej fronit të jetës sonë. Një mëkat i tillë, po të mos rrëfehet shpejt, na e shkatërron marrëdhënien tonë me Perëndinë. Rrëfimi duhet të dalë nga zemra. “Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im. Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon. Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat. Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës. Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora. Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato. Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia. O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur. Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë. Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës” (Psalmi 51:1-12).
Kthimi tek Perëndia
Mund të kthehemi tek Perëndia, vetëm atëherë kur me të vërtetë duam që Krishti të mbretërojë në jetën tonë. Kjo do të thotë se duhet të shpenzojmë kohë në praninë e Tij, duke lexuar fjalën e Tij. Mos e harroni se edhe vetë Zoti Jezus Krisht e pa të domosdoshme, që të komunikonte me Atin e Tij qiellor në lutje. “Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur” (Mateu 14:23). Kjo duhet të jetë dëshira jonë numër 1. “Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij” (Psalmi 27:4).
Nëse kthehemi tek Zoti, atëherë Ai na jep fuqi me anë të Frymës së Shenjtë, për ta mbajtur konstante jetën tonë të krishterë. Në vend që të jemi të dobët, do të kemi fuqi dhe këmbëngulje, për të vazhduar së ecuri në rrugën e jetës së përjetshme, pavarësisht nga pengesat, që mund të na dalin përpara. “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:4-5).
Të kthehesh tek Perëndia, do të thotë të kesh një marrëdhënie të mirë edhe me pjesëtarët e kishës sate. Sepse, nëse duam t’i shërbejmë Zotit, duhet ta duam edhe popullin e Tij. “Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit. Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”. Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri” (Galatasve 5:13-15).         
Përfundim
“Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet” (Jakobi 1:5). Nëse kemi nevojë për udhëzim në jetën tonë, thjesht na duhet që t’i lutemi Zotit. Ai do të na e ndezë prapë flakën e shuar, duke na hedhur vajin prej altarit të Tij, me qëllim që ne, përsëri, ta dimë se ç’do të thotë të jetosh një jetë të krishterë, të lumtur, të bekuar e të fuqishme.
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip:
http://fjalaegjalle.2truth.com/
 

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com