Fryma që e motivon Tod Bentlin - Kush është Ema?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 06.07.2008

“Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve, që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre” (1 Timoteut 4:1-2).

“Shumë të dashur, mos i besoni çdo fryme, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë” (1 Gjonit 4:1).

“Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat? Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija. Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira. Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr. Ju, pra, do t’i njihni profetët nga frytet e tyre. Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi” (Mateut 7:15-23).

Parathënie

Ajo lëvizje, që nisi para ca vitesh në Braunsvil dhe Toronto, tanimë ka shpërthyer në një shfaqje tjetër jobiblike, qesharake dhe, mbi të gjitha, satanike. Kësaj rradhe, protagonisti kryesor është një burrë me emrin Tod Bentli. Ai vetë thotë se, para se të kthehej në besim tek Krishti, kishte qenë praktikues i magjive të okultit, kishte rrahur nënën, kishte bërë burg për vjedhje dhe kishte abuzuar (keqtrajtuar) fëmijë. Për më tepër, ai thotë se Perëndia i tha që ta mbushte trupin me tatuazhe (disa prej të cilave duken qartë që janë të liga), si edhe ta shponte fytyrën me karfica e gjilpëra me kokë. Njëra nga tatuazhet e tij paraqet fytyrën e Krishtit. Por, a ka mundësi që Perëndia t’i thotë njeriut që ta shkelë urdhërimin e dytë? “Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë” (Eksodi 20:4) dhe “Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti” (Levitikut 19:28). Tod Bentli është i famshëm për dhunën, që përdor ndaj atyre, që i kërkojnë atij t’iua shërojë sëmundjet, t’i çlirojë nga demonët, apo t’i vajosë. Në inçizime të ndryshme me vidio, ai tregon se sesi i ka gjuajtur me shqelma, sesi i ka qëlluar me grushta dhe gati sa s’ua ka marrë frymën atyre që janë ngjitur tek ai lart në skenë. Por, a i ngjan kjo sjellje, qoftë edhe sadopak, natyrës dhe karakterit të Krishtit? Nëse përgjigja jonë është “jo”, atëherë duhet t’i bëjmë pyetjen vetes: “Kujt po i shërben Tod Bentli?”

Dëshira e djallit

Bibla thotë: “Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit” (Psalmi 91:1). Edhe një fëmijë mund ta interpretojë saktë këtë tekst. Por Tod Bentli mendon ndryshe. Vini re se ç’thotë ai lidhur me këtë varg (nënvizimet janë të miat):

“Ai që banon, jo ai që viziton, por ai që banon në banesën e Perëndisë, do të jetë si Shumë i Larti, d.m.th. ti do të jesh më i madhi, mbi të gjithë, më i miri në gjithçka që bën në jetë, sundues suprem në çdo situatë. Ai që banon në strehën e Shumë të Lartit, është më i madhi nga të gjithë, mbi të gjithë, më i lartë se edhe vetë lartësitë më të larta të qiellit, i shkëlqyer, një i krishterë triumfator. A më kuptoni ku e kam fjalën?”

Them se e kuptojmë shumë mirë se ku e ka fjalën Tod Bentli. Fjalët e tij i ngjajnë pikërisht fjalëve të vetë zotit, të cilit ai i shërben: “Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet? Ti thoshnje në zemrën tënde: “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut; do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin” (Isaia 14:12-14).

Më pas, Todi thotë: “Pra, siç e shikoni, unë dua të jem i frytshëm. Dua të jem mbi të gjithë. Dua të jem fitimtar. Dua të jem i fortë si mali. Dua të jem vetë madhështia. Të gjithëve na pëlqen fjala ‘madhështi’. Kështu, pra, ai që banon në strehën e Shumë të Lartit, automatikisht bëhet ashtu siç është edhe vetë Ai”. Por Perëndia i përgjigjet kështu një dëshire të tillë: “Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës” (Isaia 14:15).

Ëngjëlli Ema - kush është ajo?

Nëse nuk është Perëndia Ai, që e motivon Tod Bentlin, atëherë kush po e motivon këtë njeri? Siç e thashë edhe më lart, unë besoj se është Satanai ai, që është përgjegjës për këtë të ashtu-quajtur ‘ringjallje’, e cila po përhapet në mbarë botën. Pse jam kaq i sigurtë unë për këtë? Vetë Bentli deklaron se një ëngjëll iu afrua, për ta mësuar e për ta udhëhequr.  Mos vallë, po na gënjen me këto fjalë? Jo, nuk e besoj se Bentli po na gënjen, por nuk është shumë e vështirë për ta zbuluar se kush është ky ëngjëll: “Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite” (2 Korintasve 11:14).

Ja, se çfarë thotë vetë Todi në lidhje me Emën: “Dy herë me rradhë, Bob Xhounsi më pyeti lidhur me këtë ëngjëll, që në atë kohë ishte në qytetin Kansas në 1980-ën. “Tod, e ke parë ndonjëherë ëngjëllin, me emrin Ema?” Më pyeti në mënyrë të atillë, sikur priste që ky ëngjëll të më shfaqej nga çasti në çast. I habitur, i thashë: “Bob, kush është Ema?” Më tha se Ema ishte ëngjëlli, që kishte bërë të mundur fillimin e tërë lëvizjes profetike në qytetin e Kansasit në vitet 1980-të. Ajo ishte si një lloj nëne-ëngjëlli, që iu dha ushqim e forcë profecive, që po dilnin në atë kohë. S’kaluan shumë javë, pasi më kishte pyetur Bobi lidhur me Emën, kur, në mes të një shërbese në Bjula, Dakotën e Jugut, tek po flisja me Ivanin dhe me një person tjetër, Ema hyri në dhomë. Tek po e shikoja ëngjëllin me sy hapur, Zoti më tha: “Ja, ku është Ema”. Nuk po bëj shaka. Ajo ndenji pezull në ajër rreth 5 centimetra larg nga dyshemeja. Ngjante si Kathrin Kulman në ato inçizimet e vjetra, e veshur me një fustan të bardhë dhe dukej sikur po rrëshqiste në skenë. Ema m’u duk e bukur dhe e re - rreth 22 vjeçe -  por ishte, në të njëjtën kohë, e vjetër. Mbante mbi supe mençurinë, virtytet dhe hirin, që përshkruhen tek Fjalët e Urta, kapitulli 31. Rrëshqiti në dhomë, duke e mbushur atë me drita e ngjyra të shkëlqyeshme. Ema mbante në dorë ca çanta dhe filloi të nxirrte ar prej tyre. Pastaj, eci lart e poshtë korridoreve të kishës dhe filloi t’i spërkaste njerëzit me pluhur prej ari. Pas tre javësh, kjo kishë më dha ofertën më të madhe, që kisha marrë ndonjëherë në shërbesën time. Me mijëra dollarë! Me mijëra dollarë!… Gjatë po kësaj vizite, gruaja e pastorit të kishës (ishte një Kishë e Asamblesë së Perëndisë) u godit fuqishëm prej Frymës së Shenjtë. Ajo filloi të vraponte rreth e rrotull dhomës tamam si qen, apo të këlthiste si pulë, ndërkohë që një frymë e fuqishme profetike ishte mbi të. Gjithashtu, kur kjo vajosje profetike ishte mbi të, ajo filloi të gjente numrat e telefonit të njerëzve të panjohur, në mënyrë që t’i merrte në telefon dhe të profetizonte mbi ta. Më pas, ëngjëj të tjerë filluan të vijnë në kishë”.

Njëherë e një kohë, Bob Xhounsi ka qenë i mbyllur në spital psikiatrik, brenda të cilit, ai thotë se Perëndia i tha që, ose t’i vriste njerëzit, ose t’i falte ata. Ai është i famshëm, gjithashtu, për faktin se i urdhëronte vajzat e reja, që të zhvisheshin lakuriq para syve të tij, në mënyrë që ai të profetizonte mbi to. Ja, pra, se tek cili njeri bazohet Tod Bentli! Ëngjëlli Ema na shfaq një Ungjill ndryshe nga ai, që lexojmë në Bibël: “Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar” (Galatasve 1:8).

Por, kush është Ema? Emri ‘Ema’ do të thotë “ajo që i përqafon të gjithë”, “universale”. Ky emër rrjedh gjithashtu edhe nga një fjalë në gjuhën hebraishte, që do të thotë “shërues”. E dimë se Satanai kërkon t’i ngjasojë Zotit Jezus në çfarëdo lloj mënyre që të jetë e mundur, me qëllim që të shkaktojë konfuzion e çrregullim në mendjet e njerëzve. Prandaj, pra, nuk duhet të na habisë fakti se emri ‘Ema’ është një formë e shkurtuar e emrit ‘Emanuel’. Por, prit se ka prapë!

Enciklopedia Britanike e identifikon emrin ‘Ema-o’ si Demonin Sundues të Ferrit: “Në mitologjinë budiste japoneze, Ema-o është zot i ferrit…që gjykon shpirtrat e njerëzve…Mëkatari dërgohet në njërën prej 16 zonave të zjarrit apo të akullit, të caktuara prej Ema-osë, për një periudhë të caktuar deri në rilindjen tjetër”. Sipas faqes së internetit www.godchecker.com, Ema-o “jeton një jetë të mirë, në një kështjellë të madhe të mbuluar me ar, argjend, xhevahire e gurë të çmuar”. Prandaj, pra, Ema është në të vërtetë Satanai!

Tod Bentli thotë: “Kur kam nevojë për ndihmë financiare, nuk i lutem Perëndisë të më ndihmojë e të më japë para. Lutem bashkë me ëngjëjt, duke i kërkuar Atit, që t’iu caktojë si detyrë ëngjëjve që të më japin mua para. ‘Atë, më jep tani, në këtë moment, ëngjëjt e qiellit, që janë caktuar të më japin para e pasuri. Dhe jepu leje atyre ëngjëjve, për hatrin tim. Lëri që të shkojnë në katër skajet e botës dhe të më mbledhin para”. Pak më lart, Bentli, lidhur me Emën, na tha se: “Ajo rrëshqiti në dhomë, duke e mbushur atë me drita e ngjyra të shkëlqyeshme. Ema mbante në dorë ca çanta dhe filloi të nxirrte ar prej tyre. Pastaj, eci lart e poshtë korridoreve të kishës dhe filloi t’i spërkaste njerëzit me pluhur prej ari”.

Lidhur me Luciferin, Fjala e Perëndisë thotë kështu: “Me diturinë tënde dhe zgjuarësinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua; me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur…Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me lloj lloj gurësh të çmuar: rubina, topaze, diamante, krizolit oniks, diaspre, safire, karbonke, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove” (Ezekielit 28:4-5, 13).

S’është për t’u habitur, pra, që Todi thotë: “Kur kam nevojë për ndihmë financiare, nuk i lutem Perëndisë të më ndihmojë e të më japë para. Lutem bashkë me ëngjëjt, duke i kërkuar Atit, që t’iu caktojë si detyrë ëngjëjve që të më japin mua para. ‘Atë, më jep tani, në këtë moment, ëngjëjt e qiellit, që janë caktuar të më japin para e pasuri. Dhe jepu leje atyre ëngjëjve, për hatrin tim. Lëri që të shkojnë në katër skajet e botës dhe të më mbledhin para”.
       
Përfundim

Ky mesazh nuk ka si qëllim që të jetë një ekspoze e Tod Bentlit. Ka me dhjetëra faqe interneti, të cilave mund t’iu referoheni, po të doni informacione të mëtejshme lidhur me ato që mëson dhe që praktikon ky njeri. Duke e parë se kush është ky i ashtu-quajtur ëngjëlli Ema, e kuptojmë shumë qartë se Tod Bentli po ndjek një frymë të rreme e prej demoni. Fatkeqësisht, kudo në botë ka me mijëra të krishterë naivë, që po tërhiqen drejt kësaj rruge shkatërrimi për në Ferr: “Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi” (2 Thesalonikasve 2:3-4).    

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net