Frika e Perëndisë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 13.07.2008

“Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t’ua mësojnë bijve të tyre” (Ligji i Përtërirë 4:10).
 
Parathënie
Nuk mund ta imagjinojmë dot ditën, kur prania e Perëndisë zbriti mbi malin Horeb. Tek qëndronte buzë malit, populli i Izraelit u drodh i tëri, si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht. “Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh” (Eksodi 19:16). Nuk e vunë aspak në mëdyshje faktin se Fryma e Shenjtë ishte me ta. Moisiu i dha urdhër popullit që ta nderonin Perëndinë, duke patur frikë e respekt ndaj Tij. “Sepse Zoti, Perëndia yt, është një zjarr që të konsumon, një Zot ziliqar” (Ligji i Përtërirë 4:24).

Frika e Perëndisë
Sot, të paktë janë ata njerëz, që kanë frikë nga Perëndia. Kjo duket qartë në mënyrën se si media e vë në lojë Zotin, popullin e Tij dhe Biblën, duke thënë se ata që e adhurojnë Krijuesin, janë skllevër të mitologjisë. Njerëzit nuk kanë frikë nga Perëndia, ngaqë e kanë qejf mëkatin: “Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: “Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij” (Psalmi 36:1).
Madje edhe të krishterët e kanë harruar frikën e Zotit në jetën e tyre të përditshme. Po t’iu flasësh atyre lidhur me këtë çështje, të quajnë religjoz, një që e zbaton pikë për pikë ligjin e Perëndisë. Hidhen menjëherë, duke cituar 1 Gjonit 4:18, që thotë: “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri”. Por Gjoni nuk na thotë që të mos kemi frikë nga Perëndia. Përkundrazi, ta duash Perëndinë, do të thotë ta nderosh e ta lavdërosh Atë, të kesh frikë prej Tij, aq shumë sa ta adhurosh Atë me gjithë zemër: “Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave” (Zbulesa 14:7). Pavarësisht nga fjalët e bukura e këngët e ëmbla, është e pamundur ta adhurosh vërtet Zotin, po qe se nuk kemi frikë prej Tij: “Lëvdoni Perëndinë tonë, gjithë ju shërbëtorë të tij dhe ju që e druani, dhe të vegjlit dhe të mëdhenjtë” (Zbulesa 19:5). Komentuesit e Biblës, Xhejmisën, Foset dhe Braun, thonë kështu: “Frika e Perëndisë është parimi i besimit të thellë”.

A duhet të kemi frikë nga Perëndia?
Është marrëzi të mos kesh frikë fare nga Perëndia: “Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin” (Fjalët e Urta 1:7). Po nuk patëm një frikë të shëndetshme nga Perëndia, atëherë nuk do të përpiqemi fare për të ecur në shenjtëri e drejtësi: “Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: “Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut. Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe” (Predikuesit 12:13-14).
Ashtu siç tregohet edhe në Dhiatën e Vjetër, kushdo që vinte në praninë e Perëndisë, dridhej dhe, në më të shumtat e rasteve, binte përmbys përpara Tij. Një shembull të tillë e vëmë re tek Isaia 6:1-5, “Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”. Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym. Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”.
Bibla na mëson se është një gjë normale që pasuesit e vërtetë të Perëndisë të kenë frikë prej Tij: “Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin” (Veprat e Apostujve 9:31)… “Frika e Zotit është e pastër” (Psalmi 19:9). Frika e Perëndisë na ruan prej mëkatit. “Frika e Zotit është të urresh të keqen…kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe… Me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja” (Fjalët e Urta 8:13, 16:6). Frika e Perëndisë na e zgjat jetën: “Frika e Zotit i zgjat ditët” (Fjalët e Urta 10:27). Frika e Perëndisë na e ruan zemrën të pastër, tek udhëtojmë në rrugën e jetës së përjetshme: “Frika e Zotit është një burim jete” (Fjalët e Urta 14:27). Na e forcon besimin: “Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe” (Fjalët e Urta 14:26).
       
Përfundim
Ndoshta arsyeja pse të paktë janë ata sot, që kanë frikë nga Perëndia, qëndron në faktin se njerëz të tillë nuk e kuptojnë ashtu siç duhet shenjtërinë e Tij. Mungesa e shenjtërisë sjell si pasojë mungesën e bindjes ndaj urdhërimeve të Tij. Duhet të mos harrojmë se një ditë, të gjithë do të qëndrojmë përpara Perëndisë dhe, në praninë e Tij, të gjithë do të dridhemi: “Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 10:31). Ata që refuzojnë të kenë frikë nga Perëndia, tregojnë se nuk e njohin mirë Atë, të Cilit thonë se i shërbejnë: “Atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë” (Fjalët e Urta 2:5).
 

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net