Enë prej argjili



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 04.05.2008

“Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne” (2 Korintasve 4:7).

Parathënie
Një nga të vërtetat më të mrekullueshme të fjalës së Perëndisë gjendet në vargun e mësipërm. Sapo njeriu mëkatar pendohet për mëkatet e tij, Perëndia e mbush atë me thesarin e Parajsës. E megjithatë, sado mirë e bukur që të vishemi, të gjithë pa përjashtim, të pasur a të varfër qofshim, jemi enë prej balte. Në komentimin që i bën këtij vargu, Dhiata e Re e Popullit thotë: “Një thesar i mrekullueshëm i vendosur brenda një ene prej balte, që thyhet shpejt e që nuk kushton shumë”. Por duhet të tregohemi të kujdesshëm e të mos kujtojmë se jemi pa pavlerë, apo se nuk kemi talent e se nuk mund të bëjmë dot gjë për Perëndinë. Thesari është brenda nesh, por nuk është si ne.
Është Perëndia Ai, që i krijoi enët, në të cilat jetojmë: “Ja, unë jam i barabartë me ty përpara Perëndisë; edhe unë jam formuar nga argjili” (Jobit 33:6)… “Ja, ashtu si është argjila në duart e poçarit, kështu jeni ju në duart e mia” (Jeremia 18:6).

Thesari
“Thesari” nuk është një send, por një Person: “Sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:6). Vetëm Krishti është personifikimi i lavdisë hyjnore, sepse Ai është Vetë Perëndi: “Të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata” (2 Korintasve 4:4)… “Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij” (Hebrenjve 1:3)… “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjonit 1:14)… “Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm” (Kolosianëve 1:15). Perëndia nuk na dha thjesht një libër për ta lexuar, por gjithashtu edhe një Person për ta ndjekur. Ky Person erdhi si njeri, për të vuajtur ashtu siç vuan njeriu e për të na mësuar që t’i bindemi vullnetit të Perëndisë: “Atëherë unë thashë: “Ja, unë po vij; në rotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd”” (Hebrenjve 10:7).
Një thesar i tillë duhet të pranohet prej atyre zemrave, që nuk kanë ambicje apo mendjemadhësi: “Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:5). Një thesar i tillë egziston aty, ku nuk ka qëllime të papastra apo mburrje njerëzore: “Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë” (2 Korintasve 4:2). Thesari nuk gjendet kurrë tek një njeri jobesimtar: “Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin” (2 Korintasve 4:3).
Lavdia e këtij thesari ka ndikim edhe në jetët e të tjerëve: “Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit” (2 Korintasve 4:15)… “Që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot” (Filipianëve 2:15-16)… “Të cilëve Perëndia deshi t’ua bëjë të njohur cilat ishin pasuritë e lavdisë së këtij misteri ndër johebrenjtë, që është Krishti në ju, shpresë lavdie” (Kolosianëve 1:27).

Ena
Në kohën e apostullit Pal, vetëm të pasurit kishin enë të zbuluruara me motive. Shumica e njerëzve kishin kupa e enë të tjera prej balte. Pali e përdor këtë fakt për të na treguar se dobësia egziston në mish. Është mishi (natyra mëkatare) ajo, që vazhdon të na turpërojë ne dhe Perëndinë. Prandaj edhe jemi në luftë të vazhdueshme me natyrën tonë mëkatare: “Fryma është gati, por mishi është i dobët” (Mateu 26:41). Ena është më e dobët, sesa thesari që ka brenda. Në komentimin që i ka bërë këtij vargu, autori Adam Klark ka shkruar: “Drita dhe shpëtimi i Perëndisë në shpirtin e njeriut është një thesar qiellor brenda një kutije të shëmtuar”.
Përsa kohë që jetojmë në këtë tokë, do të vazhdojmë të luftojmë për t’iu përkushtuar edhe më shumë Perëndisë, duke pritur me padurim ditën, kur thesari të jetë në enë prej ari, jo prej balte: “Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë” (Romakëve 8:23). Por, derisa të vijë ajo ditë, e përsa kohë që vazhdojmë ta ndjekim Krishtin, Perëndia është duke punuar tek ne për të na dhënë formë: “Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:13)… “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen” (Efesianëve 3:20-21). Ena prej argjili nuk ka për t’u transformuar këtu në tokë: “Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë” (1 Korintasve 15:51-53).
        
Përfundim
Thesari qiellor ruhet brenda trupit të njeriut - brenda enëve prej argjili, ngaqë njeriut i është besuar lavdia e Perëndisë e shfaqur në Jezus Krishtin, si edhe mesazhi i ungjillit. I krishteri nuk duhet t’i varë shpresat tek fuqia apo kapaciteti i vet. Ai nuk duhet të dekurajohet, kur nuk i shkojnë mirë punët. Përkundrazi, ai duhet t’i kërkojë fuqi Perëndisë dhe të mbështetet tek Ai: “Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë” (2 Korintasve 12:9). Jeta jonë e çnderos Perëndinë, kur krekosemi, duke kujtuar se mund ta bëjmë vetë gjithçka. Duhet të zvogëlohemi, që Krishti të rritet (shiko Gjonit 3:30). Vetëm në këtë mënyrë, do të ecim nga lavdia në lavdi, tek shndërrohemi, me anën e Frymës, në imazhin e Jezus Krishtit: “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit” (2 Korintasve 3:18).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net

Lidhje te tjera..

 

  • #
  • #
  • #
  • No related posts