Emri më i lartë nga të gjithë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 10.02.2010

“Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:5-11).
Parathënie
Tek Bibla, e shohim sesi emrat kishin rëndësi të madhe dhe zgjidheshin me shumë kujdes, sepse kishin si qëllim të përshkruanin karakterin, apo karakteristikat e personit. Emri i Shpëtimtarit tonë është i lartësuar mbi çdo emër tjetër, prandaj edhe duhet ta nderojmë Atë, duke e përdorur siç duhet emrin e Tij. Jetojmë në një epokë, në të cilën emri i Krishtit abuzohet dhe përdoret si fjalë sharëse, në vend që të nderohet, ashtu siç i takon Atij.
 
Emri i shtrenjtë
Emri “Jezus” nuk ishte një emër i jashtëzakonshëm në kohët biblike. E dimë se ky emër është derivat i emrit “Jozue”, që do të thotë “shpëtim”. Por, kur i referohemi emrit të Jezusit, marrim në konsideratë Atë, i cili erdhi në tokë si Bir i Vetëmlindur i Perëndisë, për t’u bërë Shpëtimtari, me anë të vdekjes së Tij mbi kryq. Prandaj pra, Jezusi nuk është thjesht njëri prej mësuesve fetarë, që nderohen prej botës. Përkundrazi, Ai është më lart sesa të gjitha ata, aq lart, saqë të tjerët duken sikur s’kanë egzistuar fare. Ka patur vetëm një Shpëtimtar, i cili vdiq një vdekje sakrifikuese, për t’i shpëtuar mëkatarët. Ky është Zoti, të cilin e quajmë Jezus.
Bibla përdor mbi 100 emra apo tituj, për të përshkruar Zotin Jezus Krisht. Këtu përfshihen emra të tillë, si p.sh.: “Biri i Perëndisë”, “Biri i Njeriut”, “Qengji i Perëndisë”, “Bariu i Mirë”, “Emanuel”, “Kryeprifti” dhe “Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve”. Secili prej këtyre emrave na tregon diçka rreth shërbesës së Jezusit në tokë, por Pali na thotë se emri “Jezus” iua kalon të gjithë këtyre emrave të tjerë.
Pozicioni i emrit
Apostulli na vë në dukje faktin se të gjithë njerëzit, që kanë jetuar, ose që kanë për të jetuar në këtë botë, do t’i gjunjëzohen një ditë Krishtit dhe do të rrëfejnë se Ai është Zot. Pak rëndësi ka, nëse e kanë mohuar Atë, përsa kohë që kanë qenë gjallë. Do të vijë dita, kur kanë për ta pranuar përpara Fronit të Gjykimit të Perëndisë se Ai është me të vërtetë Shpëtimtari. Sa ishin gjallë, mund ta kenë sharë e mallkuar emrin e Tij. Mund ta kenë marrë Atë nëpër këmbë. Por  një ditë ata do të ndëshkohen përjetësisht, ngaqë e kanë përdorur kot emrin e Tij. “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij” (Eksodi 20:7). “Ai emër i lartësuar është bërë emri i Mbretit të mbretërve. Është mbi të gjithë. Prandaj edhe çdo gju në univers i përulet madhërisë së Tij” (marrë nga komentimi, që i bën Biblës Testamenti i Ri i Popullit). Nëse demonët e kuptojnë se Jezusi është Zot, atëherë s’ka dyshim se çdo njeri, besimtar apo ateist qoftë, do ta kuptojë gjithashtu një fakt të tillë. Themi se emri i Jezusit është mbi të gjithë emrat e tjerë, ngaqë Ai është Zoti i Plotfuqishëm. “Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua” (Isaia 45:23).
Fuqia e emrit
Në ditën e Pentikostit, apostulli Pjetër deklaroi kështu: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12). Kjo ishte atëherë dhe vazhdon të mbetet akoma një deklaratë e fuqishme. Nëse iu zëmë besë këtyre fjalëve, atëherë themi se asnjëra prej feve të tjera s’ka kuptim fare. Në fakt, këto fe po i çojnë njerëzit drejt torturës së përjetshme në Ferr. Pjetri po thoshte atë, që kishte thënë edhe vetë Jezusi rreth Vetes së vet, siç e shohim edhe tek Gjoni 14:6, “Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”. Është e pamundur që njeriu të shpëtohet prej dikujt tjetri, përveç Jezus Krishtit, sepse askush tjetër, përveç Tij, nuk e ka paguar çmimin, me të cilin u ble edhe shpëtimi ynë.
Emri i Tij është më i larti nga të gjithë, sepse na thuhet të lutemi në emrin e Tij. “Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj” (Gjoni 14:13-14). Nuk mund t’i afrohemi dot Perëndisë Atë, po qe se nuk shkojmë tek Ai, përmes Birit të Tij. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Kështu pra, mund t’i afrohemi Perëndisë në lutje, vetëm nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit të emrit të Jezusit.
Predikimi i emrit të Tij
Siç e tha edhe Pali tek letra drejtuar Galatasve, ka shumë ungjij, që predikohen sot në botë dhe fatkeqësisht edhe brenda kishave (shiko Galatasve 1:4). Zoti Jezus profetizoi, duke thënë se do të ngrihen shumë mësues të rremë, të cilët do të deklarojnë një ungjill në emrin e tyre. Më i fundit prej këtyre mësuesve do të jetë Antikrishti. “Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit” (Gjoni 5:43). Por kisha e vërtetë e Krishtit duhet të predikojë vetëm Ungjillin, që ngre lart dhe që nderon emrin e Tij. “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:18-20)… “Dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi” (Luka 24:47). Vetëm Ungjilli i vërtetë mund t’i shpëtojë njerëzit, sepse ai është Ungjilli i Jezus Krishtit. Njerëzit nuk kanë për t’u shpëtuar, po qe se ky Ungjill zëvendësohet me një tjetër.
Përfundim
Çdo gju ka për t’u përulur dhe çdo gjuhë ka për të rrëfyer emrin e Krishtit, e jo të Budës, apo të Muhametit, sepse vetëm Krishti është Zot. Mesazhi i vërtetë i shpëtimit gjendet vetëm tek krishtërimi biblik, e jo tek myslimanizmi, apo tek feja e judenjve, apo tek feja hinduite, apo tek ndonjë fe tjetër. Shpëtimi nuk gjendet as tek Maria, as tek shenjtorët e tjerë, as tek Papa. Ai gjendet vetëm tek emri i Jezusit.
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip:
http://fjalaegjalle.2truth.com/
 
 
 

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com