“Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku. Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra. Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: “Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra? Dhe ai u tha atyre: “Këtë e ka bërë armiku”. Atëherë shërbëtorët i thanë: “A do ti të shkojmë e ta shkulim?”. Por ai tha: “Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin. I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim… Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: “Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë”. Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut. Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut, dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt. Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!” (Mateu 13:30, 36-43).
Parathënie
Egjra është një barishte e keqe, që rritet mes grurit në ara. Nga pamja e jashtme, ajo ngjason shumë me grurin, por kur afron koha e të korrurave, duket qartë se egjra nuk ka dhënë fryte dhe, ngaqë është e pavlefshme, hidhet në zjarr. Jezusi e përdori një barishte të tillë, për të na ilustruar një fakt shumë të rëndësishëm, që vihet re në kishë. Jo të gjithë ata që shkojnë në kishë, janë vërtet njerëz të Perëndisë, por disa janë fallco, “të mbjellë” prej djallit.
Kush është egjra?
Ndoshta kujtojmë se egjra përfaqëson ata të krishterë, të cilët shkojnë në kishë të dielën, kurse ditët e tjera të javës i kalojnë, duke u argëtuar me botën. Egjra mund t’iu ngjajë gjithashtu edhe atyre besimtarëve grindavecë, që ankohen vazhdimisht dhe kurrë nuk thonë një fjalë të mirë për tjerët. Por në fakt, djalli nuk i përdor aq shumë këta tipa. Përkundrazi, sipas shëmbëlltyrës, djalli ka qejf që “barishtet” të duken sikur janë të krishterët më të mirë, njerëz që duken plotësisht të shpëtuar. Të paktë janë ata besimtarë, që mund t’i dallojnë të krishterët e vërtetë prej atyre fallco, ndaj edhe është më mirë që gjykimin t’ia lëmë në dorë Zotit.
Nga erdhi egjra?
Vini re se si Jezusi tha se Ai, “Biri i njeriut”, është “njeriu”, i cili mbolli “farën e mirë” në arën e vet, por egjra u mboll, “ndërsa njerëzit po flinin”. Me këtë nënkuptojmë se “shërbëtorët” e tij nuk ishin treguar vigjilentë, duke i dhënë kështu mundësinë “armikut” që ta mbillte fshehurazi egjrën. Shëmbëlltyra ka të bëjë me botën, në të cilën egziston edhe kisha, ndaj edhe është e qartë se ne, si besimtarë, nuk jemi treguar aq besnikë sa duhet, por e kemi lejuar cilindo, që të bëhet anëtar i kishës. Pa dyshim, ka nga ato kisha, që i shërbejnë plotësisht djallit, në një kohë që ia bëjnë qejfin vetes, duke thënë se i përkasin Krishtit. Por djalli nuk merakoset shumë për kisha të tilla. Përkundrazi, ai tregon një interes të veçantë ndaj atyre kishave, ku rritet “gruri”. Ai do që njerëzit e tij të rriten krahë-për-krah bijve dhe bijave të Perëndisë. E shohim, pra, se “egjra” është metoda që përdor Satanai, për ta dobësuar fshehurazi kishën e vërtetë. Po e theksojmë përsëri: kjo vjen si rezultat i dembelizmit tonë. Përsa kohë që e neglizhojmë domosdoshmërinë e të qënit vigjilent, djalli ka mundësi ta mbjellë farën e tij të keqe në arën e Zotit. Ashtu si shërbëtorët në shëmbëlltyrë, edhe ne mund të habitemi se si kisha arriti të bëhej në një gjendje kaq të keqe sa ç’është sot. Si ka mundësi që homoseksualët të martohen në kishë? Si ka mundësi që gratë të bëhen drejtuese kishash? Me pak fjalë, pra, e kemi lejuar “armikun”, që të punojë në arën tonë, pa e penguar askush.
Si do ta zgjidhim problemin?
Është e qartë se nuk jemi të aftë për ta zgjidhur dot problemin, ngaqë jemi vetë përgjegjës për gjendjen e keqe në të cilën ndodhet kisha. Ka shumë të ngjarë që, ndërsa përpiqemi për ta shkulur “egjrën”, do ta dëmtojmë dhe do ta shkatërrojmë edhe besimin e pasuesve të vërtetë të Krishtit. Persekutimi nuk është metoda më e mirë për t’i zgjidhur çështjet shpirtërore. Vetëm Zoti e di se cilët janë të Tijët dhe Ai do t’ia lërë në dorë ëngjëjve “korrjen”. “Zoti i njeh të vetët” (2 Timoteut 2:19). Ëngjëjt do ta mbledhin “egjrën”, do ta lidhin në duaj dhe do ta bëjnë gati për zjarrin e Ferrit. Por deri atëherë, ngaqë nuk mund ta dimë dot me siguri se cila është egjra, le të vazhdojmë të rritemi vetë në Zotin dhe t’ia lëmë Atij në dorë korrjen e grurit dhe të egjrës. Për më tepër, ka mundësi që Zoti ta kthejë “egjrën” në “grurë”. “Duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën” (2 Timoteut 2:25).
Zoti tha se si gruri, ashtu edhe egjra duhen lënë “të rriten bashkë”. Nga pamja e jashtme, ky mund të na duket si një udhëzim i çuditshëm, sepse shërbëtorët do të mund ta dallojnë egjrën nga gruri, sapo të rriten pak kallinjtë. Mos, vallë, çdo njeri që mëson fëmijët në Shkollën e së Dielës, apo që predikon, apo që lutet në takimin e lutjes dhe i këndon lavde Perëndisë, është i shpëtuar vërtet? “Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre” (2 Korintasve 11:13-15).
Le të mos e harrojmë faktin se disa prej anëtarëve më të mirë të kishës, nuk janë të shpëtuar, por po shkojnë drejt Ferrit. “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi” (Mateu 7:21-23). Kjo është diçka e tmerrshme, apo jo? E megjithatë, si besimtari, ashtu edhe jobesimtari duhet “të rriten bashkë”, derisa Zoti të kthehet përsëri. Nuk i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes se si ka mundësi që ajo lule e bukur, që pe në park, ishte në të vërtetë një barishte e egër, një egjër? Po atë lule, që e shkule, duke kujtuar se ishte egjër? Ata që kujdesen për arën, mund të gabojnë, por ata që korrin, kurrë nuk bëjnë gabim.
Përfundim
E dimë se kësaj epoke po i afrohet fundi dhe se “ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10). Prandaj edhe duhet të sigurohemi se nuk po hiqemi gjoja sikur jemi të krishterë, por jemi me të vërtetë pasues të Krishtit. Nuk duhet të vazhdojmë ta gënjejmë veten, apo të tjerët, sepse Zoti ka për të ardhur e ka për të na gjetur. “Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme” (2 Pjetrit 3:11).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
