Dy bredhat
Skena e parë.
(Dy bredha truphollë janë të mbështetur në një cep të një sheshi, një ditë para Krishtlindjes)
A: Nuk më thua or mik, të shikoj dhe më çahet zemra. Cili është faji që bëmë dhe na prenë në lulen e rinisë?
B: Qenke bredh i çuditshëm ti!!! Ku e gjen oreksin për muhabet. Nuk shikon rreth e rrotull se çfarë trupash ranë? Rri aty dhe bëj gati testamentin tënd.
A: E di që jam i hequr nga lista, po çfarë do na bëjnë? Nuk besoj se na duan për tu ngrohur. E sa dru kemi mbi vete? Duhet të kishin prerë më të vjetrit. Neve na zgjodhën. Akoma nuk kishim dalë në shoqërinë e malit.
B: Nuk mendon të pushosh ndonjëherë. Kaq rrëshirë kemi derdhur që nga mëngjesi që na prenë. E sa do durojmë akoma?
A: E shikoj që e ke marrë me gjithë zemër. Patrioti im je? Nga Dajti dhe ti?
B: Jo jo, nga Tomori. Edhe në Dajt u bë e njëjta kasaphanë?
A: Nuk arrita të lexoj gazetën sot. Dhe thonë se janë të kulturuar dhe të zhvilluar. Kafshë më të egër se njeriu nuk ka parë natyra. Shikoji se si qeshin dhe se si dëfrejnë. Të gjithë janë të gëzuar. I pe si na shikojnë?
B: Të pashpirt o vëlla. Shikojnë trupat tanë dhe gëzojnë. Njëri donte të më merrte me vete. E çdo më bënte?
A: E di që jemi në Tiranë, në kryeqytet? Dëgjova njërin që e tha. Do biem me lavdi në qytetin e dritave.
B: Bukur i thua. Në Tiranë pra. Të qëndroja në Tomor unë, po ua falja të gjitha. Po nuk e kuptoj, diçka kanë këta sot. Shkojnë e vijnë dhe mbajnë paketa. Çfarë kanë? A thua kanë luftë?
Α: Ja fute kot. E çfarë di ti nga lufta?
B: Po ja, gjyshi im thoshte se nganjëherë njerëzit çmenden dhe vrasin njëri – tjetrin.
A: Po, tani neve na vranë. Dëgjoj që thonë vazhdimisht të njëjtën fjalë. Gjithmonë, gjyshja më thoshte të mos përgjoj, po këtu ku u katandisëm, nuk vlejnë mirësjelljet. Thonë vazhdimisht: “Gëzuar Krishtlindjen”. Po çfarë është kjo vallë? Si ta kuptosh mendimin dhe zemrën e tjetrit?
B: Ndaj na prenë në lulen e rinisë. Krishtlindje domethënë? Deri sa të japim frymën e fundit çdo heqim vallë? Një Perëndi e di. Edhe pse jemi të mbledhur këtu njëri pranë tjetrit, gënjejmë veten. Çdo minutë vijnë njerëz të ndryshëm dhe marrin nga një.
A: Pusho se ai i gjati atje po më shikon me vëmendje. Sa frikë që e kam. Ngushëllimi ynë është të jemi këtu derisa të humbasim edhe pikën e fundit të rrëshirës.
B: Gëzuar Krishtlindjen. Krishtlindja ishte faji ynë? Çfarë të jetë vallë? Do vdes dy herë po nuk e mësova. Oh, tani ai gjatoshi po më shikon mua. Vëlla, ika, më mori. Të më falësh nëse të fola keq. Siç e kupton dhembja ime dhe kështu si u katandisa, më bënë të flas keq.
A: U mërzite? Radha jote, radha ime. Paç fat dhe gëzuar Krishtlindjen.
Skena e dytë.
A: Pa më thuaj vogëlushe, çdo të thotë gëzuar Krishtlindjen? (ajo në fillim u çudit kur foli një bredh, po pastaj e mblodhi veten dhe tha)
Vajza: Bredh i pamend, nuk di se çfarë është Krishtlindja? Është festë o i mjerë. Si sot 2000 vjet më parë erdhi Krishti në Tokë dhe u bë njeri që të shpëtojë mëkatarët. U lind si i varfër në një grazhd kafshësh….. pastaj….. pastaj….. u gozhdua në kryq dhe pastaj…. pastaj…..
A: Prit. Më shpjego se jam një bredh i pamend dhe i pashkollë. Të lutem më thuaj sepse duket e bukur kjo histori. Pra, njerëzit fituan nga kjo ngjarje? Domethënë ashtu siç e the, u shpëtuan.
Vajza: Bravo për kureshtjen që ke. Prit prit se do të të them. Të mbyll pak portën që të mos na dëgjojnë. (Shkoi mbylli derën dhe u kthye me vrap).
A: Pa më thuaj.
Vajza: Ç’të të them. Kam frikë se asgjë nuk u bë. Njerëzit janë përsëri të këqij. Një ditë babai im më gënjeu. Gënjeshtra të vërteta. Sa gjatësia e vet. Dhe pastaj qeshte. Një shitës më dha dy sapunë dhe më tha se më dha tre dhe të tretin e humba në rrugë. Një ditë tjetër pashë një të dehur në rrugë që shante. Kështu pra njerëzit nuk ndryshuan.
A: Sa keq. Atëherë pse bëjnë gjithë këtë rrëmujë dhe festojnë.
Vajza: Nuk e kisha menduar këtë. Do ketë edhe njerëz të cilët e kanë marrë dhuratën e Perëndisë. Gjyshja ime vdiq dhe tani është në qiell me Krishtin. Ajo ishte e shpëtuar. Sa e mirë që ishte. Njeri i shenjtë. Dua që të bëhem si ajo.
A: Pse e mbylle derën për të folur?
Vajza: Do them edhe këtë dhe pastaj do pushoj. Nëse më dëgjonin të them që nuk janë të Krishtit do më qortojnë. Njëherë babai im më dha një shpullë për këtë. Nuk duan që ta pranojnë. Po unë lutem për ata dhe dikur ata do të pendohen.
A: Faleminderit vogëlushe. Të falënderoj shumë për ato që mësova.
Skena e tretë.
(Bredhat e varfër të fishkur dhe të pafrymë, takohen dhe ku tjetër në karrocën e plehrave)
A: Ouuu Mirë se erdhe….. mirë se erdhe…. Epo mali me mal nuk piqet. Bredhi me bredh piqet…
B: Prapë në qejf qenke ti? Edhe në momentet e fundit. Si ia kalove këto ditë?
A: Si hamall. Më ngarkuan ca zile dhe ca gjëra të ndritshme, më vunë rrymë elektrike që ndizte llambat dhe sa herë që ndizej, unë kisha guduli.
B: Domethënë kishe të njëjtin fat me mua. Dhe për të gjitha këto e ka fajin ajo ‘Gëzuar Krishtlindjen’.
A: Gjëra të çuditshme këta njerëzit. Si t’i kuptosh? Festojnë për diçka që nuk e morën dhe nuk duan të marrin diçka, të cilën e kanë shumë nevojë, që Perëndisë iu desh të zbresë në Tokë t’ua dhurojë. Sa të çuditshëm që janë!!



