Drejtimi



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 04.04.2009

“Dhe ne kemi besim për ju te Zoti, se gjërat që ju porositëm po i bëni dhe do t’i bëni. Edhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja te dashuria e Perëndisë dhe te qëndrueshmëria e Krishtit” (2 Thesalonikasve 3:4-5).

Parathënie
Pali kishte besim se Perëndia besnik do t’i ruante, do t’i mbronte e do t’i drejtonte besimtarët në çdo situatë, që të ndodheshin. Ky fakt është i vërtetë edhe për ne sot, ngaqë edhe ne, ashtu si thesalonikasit, e presim me padurim Ardhjen e Dytë të Krishtit.

Bindja
Nëse Perëndia na ka thirrur për shpëtim, atëherë nga kjo rrjedh se Ai pret, që ne t’i bindemi. Në kishat e ditëve të sotshme, bindja është kthyer pothuajse në një fjalë banale. Por, pa të, Perëndia nuk mund të na përdorë dot, për të kryer punën e Tij. Prandaj edhe Pali kërkonte që besimtarët t’i bindeshin së vërtetës: “Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psheretima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi” (Hebrenjve 13:17). Pali nuk do të kishte besim tek ta, po qe se nuk pranonin t’i bindeshin atyre mësimeve, që iu kishte mësuar ai: “Kam besim te Perëndia për ju, se nuk do të mendoni ndryshe” (Galatasve 5:10)… “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6).

Të drejtuarit e zemrës
Dy prej temave që shtjellohen prej Palit në letrat drejtuar thesalonikasve janë dashuria dhe durimi. Dashuria e vërtetë e krishterë duhet të jetë e drejtuar në fillim ndaj Perëndisë. Dashuria është si urdhërim prej Zotit, ashtu vepër e vullnetit njerëzor. “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5)… “Dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim” (Marku 12:30).
Durimi ka të bëjë me atë këmbëngulje të vazhdueshme, e cila i shkon pas Krishtit, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, që mund ta kërcënojnë besimtarin e t’i bëhen barrë atij. “Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:1-2). Nganjëherë, Perëndia na lejon që të kalojmë sprova dhe vështirësi të ndryshme, me qëllim që të forcohemi sa më shumë në besim. “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë” (Jakobi 1:2-4).
Gjëja më e mrekullueshme është fakti se durimi është një shprehje e dashurisë sonë për Perëndinë, prandaj edhe ky durim nuk mund të ndahet prej dashurisë. “Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë” (1 Korintasve 13:4-7). Ky durim dhe kjo dashuri janë shenja karakteristike të një besimi të vërtetë në Krishtin. “Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë” (Mateu 10:22)… “Por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet” (Mateu 24:13). 

Përfundim
Nuk do të mund ta donim dot Perëndinë, ashtu siç duhej, po të mos ndërhynte Ai Vetë, për të na dhënë forcë, që ta donim. Nuk do t’i qëndronim dot besnik Atij, po të mos na ndihmonte Ai Vetë. Është Perëndia Ai, që, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, na frymëzon, për ta dashur e për t’i besuar Atij, derisa të qëndrojmë një ditë përpara fronit të Tij. Ai e bën punën e Tij. Po ne, e bëjmë tonën? A jemi gati t’i bindemi Atij, pavarësisht se sa mund të na kushtojë një bindje e tillë? “Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:12-13).

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com