Drejt Jeruzalemit

Categories: Jeta e Davidit

“Mbreti me njerëzit e tij u nis në drejtim të Jeruzalemit kundër Jebusejve, që banonin në atë vend. Këta i thanë Davidit: Nuk do të hysh këtu, sepse të verbërit dhe çalamanët do të të sprapsin!,” duke dashur të thonë: “Davidi nuk ka për të hyrë kurrë këtu”. Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit (që është qyteti i Davidit). Davidi tha atë ditë: “Kushdo që i mund Jebusejtë, të arrijë deri në kanal dhe t’i zmprapsë çalamanët dhe të verbërit që i urren Davidi”. Prandaj thonë: “I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi”” (2 Samuelit 5:6-8).
 
Parathënie 
Davidi filloi ta themelojë mbretërinë e tij, ashtu siç e kishte planifikuar Perëndia. Mbreti Saul nuk kishte patur shumë sukses në këtë drejtim. Madje mund të themi se ai e kishte çuar Izraelin drejt shkatërrimit. Filistenjtë ishin nën zotërim të shumicës së vendit, por tani, nëpërmjet Davidit, harta e Izraelit kishte për të ndryshuar shumë. Urdhëri i parë i Davidit si mbret ishte marrja e qytetit të Jebusejve, Jeruzalemit, kryeqytetit të Izraelit.
 
Interesi
Tek Zanafilla 14:18, Jeruzalemi na paraqitet me emrin ‘Salem’. “Nëse Salemi, vendi ku ishte mbret Melkisedeku, ishte me të vërtetë Jeruzalemi (dhe kjo ka mundësi, po të lexojmë Psalmin 76:2), atëherë ky qytet ishte i famshëm në kohën e Abrahamit” (Mateo Henri). Fisi i Judës e kishte pushtuar Jeruzalemin që pas vdekjes së Jozueut, por judenjtë e dogjën gjithçka që gjetën në të. “Bijtë e Judës sulmuan Jeruzalemin dhe e morën; i vranë me shpatë banorët e tij dhe i vunë flakën qytetit” (Gjyqtarëve 1:8). Ndoshta Sauli duhej ta kishte sulmuar e ta kishte marrë trashëgiminë, që i kishte dhënë Zoti, por ai nuk veproi kështu. “Gebusi (që është Jeruzalemi) … Kjo që trashëgimia e bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre” (Jozueut 18:28). “Bijtë e Beniaminit nuk arritën t’i dëbojnë Jebusejtë që banonin në Jeruzalem; kështu Jebusejtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jeruzalem deri në ditën e sotme” (Gjyqtarëve 1:21). Kjo do të thotë se jebusejtë e kishin marrë po prapë në dorë qytetin e tyre dhe e kishin rindërtuar nga e para dhe e kishin dëbuar çdo jude, që jetonte dikur atje.
Jeruzalemi, që për më shumë se 600 vjet me rradhë kishte qenë nën kontrollin e jebusejve, ishte një vend i rëndësishëm nga ana strategjike, mbi një mal të lartë dhe i fortifikuar mirë. Prandaj edhe Davidi nuk zgjodhi një vend tjetër si qendrën e tij kombëtare, edhe pse marrja e një qyteti tjetër mund të kishte qenë ndoshta një punë më e lehtë. Është interesant fakti, që Davidi mori në fillim nën zotërim një pjesë të teritorit të beniamitëve, jo të Judës. Duke vepruar kështu, ai sikur po i thoshte fisit të Saulit se kishte për t’i trajtuar mirë.
 
Fyerja
Prej mureve të tyre të larta e të fortifikuara mirë, jebusejtë e panë ushtrinë e Davidit tek po iu afrohej. Por, në vend që ta gjuanin Davidin me shigjeta, ata filluan ta shanin dhe ta tallnin, ngaqë kujtonin se ishte e pamundur që Jeruzalemi të pushtohej. Me talljet e tyre, ata e konsideruan Davidin aq të dobët e të pafuqishëm, saqë nuk do të mund ta merrte dot qytetin, edhe sikur ky të ishte i mbrojtur prej qorrave e sakatëve. Bibla na e përshkruan qytetin si një kala, një qytet të fortifikuar: “Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit” (1 Kronikasve 11:5).
 
Pushtimi
Pak vlerë kishin sharjet e tyre për Davidin, sepse ai kishte besim se po përmbushte vullnetin e Perëndisë. Davidi, në vend që ta sulmonte qytetin drejtpërsëdrejti, pyeti se kush do të dilte vullnetar, për t’u futur fshehurazi brenda në qytet, nëpërmjet tunelit të nëndheshëm të ujit. Sipas 1 Kronikasve 11:6, Joabi u bë udhëheqësi i kësaj pune. “Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar”. Mund të kujtojmë se kjo mund të ishte një detyrë e lehtë, por e kemi gabim. Joabit dhe njerëzve të tij iu desh t’i ngjiteshin këmbë e duar një tuneli pothuajse vertikal, gati 175m i lartë. Ky tunel përdorej si pus uji prej banorëve të qytetit.
Nuk kemi dokumentacion të ndonjë beteje të zhvilluar, ndaj ka të ngjarë që jebusejtë të jenë zënë mat. Shumë shpejt, qyteti ra në duart e Izraelit. “Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye “qyteti i Davidit”” (1 Kronikasve 11:7).   
 
Përfundim  
Pushtimi i Jeruzalemit do të thoshte se tani Izraeli kishte për të patur një kryeqytet, si nga ana fetare, ashtu edhe ajo politike. Ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti që marrja e qytetit ishte dëshira e Perëndisë. Ky ishte një premtim i lashtë, që po përmbushej prej Davidit, i cili luajti një rol të veçantë, jo vetëm në dëbimin e jebusejve prej Jeruzalemit, por edhe në fshirjen e emrit të tyre prej historisë botërore. Edhe sot e kësaj dite, jebusejve nuk iu dihet prejardhja gjenetike. Davidi, pra, iua ktheu mbrapsht të sharat, që i kishin bërë, sepse tani ishin ata, që u bënë si qorra dhe çalamanë, ngaqë nuk iu lejohej më të banonin në mbretërinë e Davidit.
         
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 
         
 
 
Author: magda maylam

Leave a Reply