Dituria e vërtetë dhe dituria e rreme (pjesa III)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 24.05.2009

“Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija, kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.” (Jakobi 3:13-18).
 
Parathënie
Jakobi e përshkruan diturinë, që na e jep Perëndia, si një dituri të pastër, që do të thotë se kjo dituri duhet të jetë e shenjtë, e pafajshme dhe e papërzier me të ashtu-quajturën dituri të botës, të shkencës apo të feve të rreme. Një dituri e tillë e pastër mund të vihet re vetëm në ata, që e njohin me të vërtetë Krishtin si Shpëtimtar. “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:3).

Pastërtia e zemrës
Njeriu, që është vërtet i ditur, kërkon ta ndjekë Krishtin në shenjtëri, bindje dhe besim. Gjëja më e ditur e më e mençur që mund të bëjmë, është ta kënaqim Perëndinë. Këtë donte të bënte edhe apostulli Pal, kur shkroi tek Romakëve 7:15-21, “Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë. Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua. Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj. Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua. Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua”. Dituria e vërtetë deklaron se vetëm Perëndia mund ta pastrojë njeriun prej mëkatit. “Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora” (Psalmi 51:7).
Njeriu, që ka dituri të pastër, jo vetëm që e pranon se vetëm Perëndia është Ai, që mund ta shërojë atë prej sëmundjes së mëkatit, por gjithashtu e lejon Perëndinë të veprojë në të. “Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme” (Psalmi 24:3-4). Perëndisë i duhet t’ia pastrojë mëkatarit shpirtin mirë, që t’ia heqë mëkatin, sepse dituria e rreme ia ka korruptuar atij deri në thelb zemrën. “Dhe unë do t’ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t’u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t’u jap një zemër prej mishi” (Ezekielit 11:19). Vetëm atëherë shenjtëria mund të mbretërojë në zemrat tona, në vend të mëkatit dhe të vdekjes, që sjell ai. Me pak fjalë, pra, jeta e vjetër dhe gjithçka që i përket asaj, duhet të shkatërrohet plotësisht. “Duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati” (Romakëve 6:6-7)… “Që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës” (Efesianëve 4:22).
Bekimi i një zemre të pastër
“Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja” (Fjalët e Urta 3:7). Ata, që janë të pastër në zemër, duan t’i shkojnë pas diturisë së Perëndisë dhe, si rezultat, do të bekohen përjetësisht. “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mateu 5:8). Njerëz të tillë jetojnë sipas standarteve të diturisë së Perëndisë, derisa Ai t’i thërrasë një ditë pranë Vetes. “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mateu 5:48)… “Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjetrit 1:15-16)… “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:2-3).

Përfundim
Njeriu kërkon ta gjejë diturinë, pa patur Krishtin. Por dituria pa Krishtin është e pamundur të gjendet. Ata, që kërkojnë ta gjejnë diturinë e botës, zënë në kurth shpirtrat e tyre, duke i mallkuar ato për në ferr. “Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë, sepse është shkruar: “Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre” dhe përsëri: “Zoti i njeh mendimet e të urtëve se janë të kota” (1 Korintasve 3:19-20). Ata që janë të shpëtuar e të shpenguar, e kanë hedhur poshtë diturinë mishore dhe janë gati të konsiderohen si të marrë, me qëllim që të marrin diturinë, që të çon në jetën e përjetshme. “Askush të mos mashtrojë vetveten; në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë” (1 Korintasve 3:18). Vetëm ata, që janë të armatosur me të vërtetën e Perëndisë, mund t’iua tregojnë këtë të vërtetë të tjerëve dhe t’i drejtojnë ata drejt shpëtimit në Krishtin. “Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë” (Fjalët e Urta 11:30).  
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com