Dituria e vërtetë dhe dituria e rreme (pjesa I)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 17.05.2009

“Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija, kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.” (Jakobi 3:13-18).
 
Parathënie
Shumica e njerëzve kujtojnë se ata, që janë inteligjentë, të moshuar, apo njerëz fetarë janë edhe njerëz të ditur. Por Perëndia nuk mendon kështu. Ata, që nuk janë besimtarë, mund të kenë një të ashtu-quajtur ‘dituri’, por dituria e vërtetë vjen prej Qiellit. Prandaj, pra, dituria mund të jetë ose hyjnore, ose djallëzore.

Dituria njerëzore është mishore
Jakobi na e bën shumë të qartë faktin se dituria njerëzore është produkt i natyrës mëkatare të njeriut dhe, si e tillë, nuk e ka prejardhjen nga Perëndia. Dituria tokësore është “shtazore”, d.m.th. “natyrale”, një dituri, që njeriu e përfiton prej shqisave të tij. Njerëzit veprojnë në bazë të ndjenjave, preferencave dhe dëshirave të tyre mishore. Mateo Henri ka thënë se “një dituri e tillë nuk vjen nga lart, por buron prej parimeve tokësore, vepron në bazë të motiveve tokësore dhe ka si qëllim t’i shërbejë qëllimeve tokësore”. “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Njeriu tokësor është pak a shumë i ngjashëm me bishën e fushave apo me zogjtë e qiellit. “Por këta, si shtazë pa mend, të lindura nga natyra që të kapen dhe të shkatërrohen, flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të asgjësohen në prishjen e tyre” (2 Pjetrit 2:12). Shkurtimisht, pra, çfarëdo lloj diturie apo urtësie, që të ketë njeriu mëkatar, prapëseprapë kjo dituri del nga një zemër e pashenjtëruar. “Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun” (Mateu 15:18). Është pikërisht një dituri e tillë, që vazhdon ta uli poshtë e ta vërë në lojë fjalën e Perëndisë. “Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht. Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë. Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën” (Judës vargu 17-19).

Dituria njerëzore është djallëzore
Sot, njerëzit kujtojnë se është zgjuarësi t’ia bësh dikujt me hile, apo t’i shtrembërosh faktet për të përfituar për vete. Por, e vërteta qëndron këtu se njerëz të tillë imitojnë Satanain, atin e gënjeshtrave dhe të mashtrimit (shiko Gjoni 8:44). Dituria njerëzore, jo vetëm që s’është dhuratë nga Perëndia, por, për më tepër, është e frymëzuar prej Satanait dhe ëngjëjve të tij, sepse ata janë burim i të gjitha filozofive dhe feve të botës. Njerëzit e ashtu-quajtur “të ditur” respektohen e adhurohen prej të tjerëve, por ata të gjithë janë të mashtruar prej djallit. “Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre” (2 Korintasve 11:14-15). Jeta e miliona njerëzve është shkatërruar dhe vazhdon akoma të shkatërrohet përjetësisht prej gënjeshtrave, që janë të sheqerosura e të maskuara si ‘dituri’. “Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit” (Kolosianëve 2:8).   

Përfundim
Gjon Uesli ka thënë: “Kjo dituri, që përputhet me një zell të tillë, është tokësore, d.m.th. jo qiellore, jo prej Atit të Dritave; është shtazore, d.m.th. jo shpirtërore, jo prej Frymës së Perëndisë; është djallëzore, d.m.th. nuk është dhuratë prej Krishtit, por e frymëzuar prej Satanait”. Dituria e kësaj bote është aq mëkatare dhe aq e korruptuar, sa edhe vetë njeriu. Prandaj edhe ne, si besimtarë që jemi, duhet të ndjekim diturinë e Perëndisë, ashtu siç na paraqitet në Bibël, e jo t’i shkojmë pas diturisë sonë apo të dikujt tjetri. Kur jemi të veshur me diturinë e Tij, atëherë jemi të mbrojtur nga gënjeshtrat, prej të cilave janë të mashtruar shumica e njerëzve sot. “Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij” (Efesianëve 6:10)… “Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore, që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kolosianëve 1:9-10). 
 
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com