Dhëndrri dhe kacekët



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 11.05.2007

Parathenie

Pasazhi i Markut 2:13-22 bën fjalë për ata lloj njerëzish, të cilët erdhi për t’i shpëtuar Biri i Perëndisë. Njerëzit fetarë kujtojnë se janë në rregull me Perëndinë, ngaqë bëjnë vepra të mira dhe i përmbushin detyrimet e tyre fetare. Por, në këtë pasazh, Marku na tregon qartë se ata që mund të shpëtohen, janë vetëm ata që e pranojnë se janë mëkatarë.

Levi dhe paraja e tij

“Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte. Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë!”. Ai u ngrit dhe e ndoqi” (Marku 2:13-14).

Levi është Mateu, autori i ungjillit të parë. Ky ish-tagrambledhës i urryer u bë apostulli, mësuesi dhe ungjillizuesi i dashur. Sapo u ndodh në praninë e Jezusit, jeta e tij u ndryshua plotësisht. Jezusi e thirri dhe ai iu përgjigj. Njeriu nuk mund të shpëtohet, po qe se nuk e ndjek Jezusin.

Nga gjithë ajo turmë e njerëzve atë ditë, Zoti zgjodhi atë njeri, të cilin askush nuk e imagjinonte se do ta ndiqte. Çfarë të mire kishte Mateu në zemër, që ta zgjidhte Jezusi? Asnjë të mirë! E megjithatë, Jezusi pa tek Mateu atë të mirë që ai do të kryente, nëse do ta ndiqte me të vërtetë Jezusin. Menjëherë, Mateu e la mënjanë jetën e tij të vjetër – materializmin, dashurinë ndaj parasë dhe rrugët e këqija. Sa të paktë janë ata që ia përkushtojnë jetën e tyre Krishtit në këtë mënyrë! “Ndiqmë!” – kjo fjalë është e thjeshtë në dukje, por ajo ka fuqinë të ndryshojë jetën dhe zemrën e të gjithë atyre që ngrihen, marrin kryqin dhe ndjekin Bariun e Mirë. Në një rast tjetër, Jezusi ia tha këto fjalë edhe një tjetri, që e donte shumë paranë: “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq” (Marku 10:21).

Tagrambledhësit dhe farisenjtë

“Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin. Atëhërë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: “Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?”. Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim” (Marku 2:15-17).

Vini re se kush ishin ata, që e kritikuan Jezusin. Feja e rreme vazhdon akoma që t’i përçmojë dhe persekutojë ata që e ndjekin Zotin. Jezusi i dënoi drejtuesit fetarë, për shkak të vetë-drejtësisë dhe arsyetimit të gabuar të tyre. Pseudo-krishtërimi dëshiron një Krisht, i cili t’i përshtatet ideve të shtrembëruara dhe paperëndishmërisë. Por fakti qëndron këtu se Jezusi nuk do t’i shpëtojë ata, që refuzojnë ta pranojnë mëkatin e tyre: “Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15). Ka nga ata, që e pranojnë Krishtin vetëm si mësues, profet, apo thjesht, si një shembull i mirë. Shumica e njerëzve mendojnë se të zbatuarit e zakoneve fetare, shkuarja në haxhillëk (pelegrinazh), të agjëruarit, apo thënia e lutjeve të gjata janë të mjaftueshme për të qenë në rregull me Perëndinë. Jezusi, Mjeku i Madh, erdhi për të shpëtuar shpirtin e sëmurë nga mëkati. Të gjitha qëniet njerëzore janë të infektuara me virusin e mëkatit, që nga momenti i lindjes. Vetëm ata që e ndjekin Jezusin, do të marrin shërim. Drejtuesit fetarë, të cilët e konsideronin veten si të pastër e pa mëkat, nuk mund ta kuptonin se si një njeri i shenjtë mund të dëshironte që të ishte në praninë e mëkatarëve. Ishin pikërisht ata, që u larguan atë ditë nga shtëpia e Mateut, me zemrën e kalbëzuar prej mëkatit.

Dhëndri dhe Pagëzori

“Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhën te Jezusi dhe i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?”. Dhe Jezusi u përgjigj atyre: “Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë! Por do të vijnë ditët kur do t’u merret dhëndri dhe atëhërë, në ato ditë, ata do të agjërojnë” (Marku 2:18-20).

Jezusi kishte predikuar rreth domosdoshmërisë së të kërkuarit falje prej Perëndisë, por drejtuesit fetarë e kishin mendjen vetëm tek agjërimi. Ata ishin të verbër dhe nuk e shihnin se kishin nevojë për t’u penduar. Sipas tyre, agjërimi ishte provë se ata ishin të drejtë në sytë e Perëndisë. Vini re se si këta hipokritë, të cilët më parë e kishin refuzuar Gjon Pagëzorin, ishin gati tani ta përdornin atë si shembull të ideve të tyre të rreme. Dishepujt e Gjonit ndoshta edhe agjëruan, jo sepse e kishin për detyrë, por sepse Gjoni ishte në burg. Gjon Pagëzori e krahasoi Jezusin me Dhëndrin: “Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!” (Gjoni 3:29). Pra, nëse farisenjtë e nderonin Gjonin me të vërtetë, a nuk duhej që edhe ata ta ndiqnin Atë, për të cilin foli edhe Gjoni?

Zoti iu foli drejtuesve fetarë rreth arrestimit dhe vdekjes së Tij. Deri në atë moment, dishepujt e Jezusit po kënaqeshin me praninë e Tij, por kur Ai t’iu largohej, pa dyshim se ata do të agjëronin, ose nga dëshpërimi, ose ngaqë do ta kalonin kohën duke u lutur. Jezusi nuk e hodhi poshtë nevojën për të agjëruar, por thjesht, tha se zbatimi i rregullave fetare nuk duhet që t’ia zërë vendin besimit të vërtetë tek Perëndia.

Rroba të grisura dhe kacekë të prishur

“Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobe të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq. Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj” (Marku 2:21-22).

Të dyja këto shëmbëlltyra bëjnë fjalë rreth përpjekjeve të njeriut për të përzier ato gjëra, që nuk përzien dot bashkë. Nuk mundet që të jesh dishepull i vërtetë i Krishtit dhe, në të njëjtën kohë, të zbatosh ceremonitë fetare sa për sy e faqe. Të dyja këto nuk shkojnë dot bashkë. Kur krishtërimi biblik u kthye në krishtërim religjoz (fetar) dhe në ceremoni e rite të adoptuara (nga fe të tjera), atëherë ai u bë si një rrëmujë e pavlerë, plot me rrecka të grisura dhe shishe të thyera, ngaqë i mungonte besimi dhe dashuria ndaj Perëndisë. Kisha e Galatasve është shembull i këtij fakti: “O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush? Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit? A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?” (Galatasve 3:1-3). Përzierja rezulton në mungesë harmonie dhe sjell si pasojë urrejtjen, në vend që të sjellë unitet. Ata që përpiqen të na imponojnë të besuarit në shumë fe e zotër, nuk po bëjnë punën e Zotit. Ajo formë e krishtërimit, e cila e ka ndjekur besnikërisht Krishtin dhe fjalën e Tij, i ka transformuar individët, shoqëritë dhe kombet. Kjo vepër e madhe u krye nga besimtarë të rilindur, të mbushur me Frymën e Shenjtë të Perëndisë. Nuk u krye nga ata, që iu kushtonin më shumë rëndësi veshjes (pamjes së jashtme) dhe ceremonive religjoze.               

Përfundim

Ne sot ballafaqohemi me të njëjtat probleme si edhe kisha e hershme. Ka nga ata, që e mohojnë të vërtetën dhe vazhdojnë në rrugën e tyre. Këta njerëz e interpretojnë si t’iua dojë qejfi fjalën e Perëndisë, me qëllim që të vazhdojnë të jetojnë në mëkat. Ata e përdorin fenë si mbulesë për të fshehur mëkatin e tyre. Njerëzit religjozë të ditëve të sotme kanë neveritje, kur dëgjojnë tek flitet kundër mëkatit. Vetëm ata që pendohen dhe kthehen tek Krishti, mund të shpëtohen dhe të mbushen me Frymën e Shenjtë.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net