Dëshmitari i zgjuar

Categories: Predikime

“Ai që shtie në dorë shpirtërat, është i urtë” (Fjalët e Urta 11:30).
 
Parathënie
Besimtari e ka për detyrë, që t’i “fitojë” shpirtërat e njerëzve, nëpërmjet dëshmisë së tij personale. Ky koncept gjendet në të dyja Dhiatat. Besimtarët e Dhiatës së Vjetër e ndanin besimin e tyre me të tjerët, duke përdorur çfarëdo lloj mënyre të mundshme. Davidi, p.sh. kënaqej, kur iu tregonte mëkatarëve rreth Zotit. “Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje” (Psalmi 51:13). Në Dhiatën e Re, besimtarëve iu është dhënë fuqia nga Fryma e Shenjtë, për t’iu dëshmuar të tjerëve për Krishtin. “Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). Nuk është vullneti i Perëndisë, që njerëzit e Tij të qëndrojnë të heshtur e të mos flasin rreth shpëtimit, që kanë marrë prej Tij.
 
Rëndësia e të dëshmuarit
Vullneti i Perëndisë gjithmonë ka qenë që njerëzit e Tij ta ndanin lajmin e mirë me të tjerët, d.m.th. të bëheshin dëshmitarët e Tij në praninë e atyre, që nuk e njihnin Atë si Zot e Shpëtimtar. “Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër. Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër. Unë kam shpallur, kam shpëtuar dhe kam njoftuar; dhe nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis jush; prandaj ju jeni dëshmitarët e mi, thotë Zoti, dhe unë jam Perëndi” (Isaia 43:10-12). Judenjve iu ishte dhënë si detyrë, që të ishin një popull misionar e ungjillizues, një popull, që duhej të përpiqej për t’i kthyer ata që besonin në perëndi të rreme, tek Perëndia i vetëm e i vërtetë. Farisenjtë e kishin kuptuar mirë rëndësinë e të dëshmuarit për Zotin, sepse, edhe pse Zoti Jezus i kritikoi shpesh, prapëseprapë, Ai iu tha: “Përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë” (Mateu 23:15). Edhe pse farisenjtë vepronin kështu, qëllimet e tyre ishin të mbrapshta, sepse e dinin se po i “fitonin” (po i bënin) njerëzit për vete, jo për Zotin. Krishti, nga ana tjetër, iu tha dishepujve të Tij, që t’i “fitonin” shpirtërat e njerëzve vetëm për Të. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19-20). Nëse nuk shkojmë, atëherë si do të mund ta kuptojnë ata rrugën e shpëtimit? “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14).
 
Përkufizimi i dëshmitarit
Një dëshmitar është thjesht dikush, që i tregon gjykatës atë, që ka parë me sytë e vet. Dëshmia e tij bazohet në fakte, jo në gënjeshtra, apo thashetheme. Dëshmitari, pra, e ka për detyrë ta bindë jurinë se dëshmia e tij është e vërteta absolute. Neve, si të krishterë, na është ngarkuar përgjegjësia, për t’iu treguar të tjerëve të vërtetat e fjalës së Perëndisë, pa i shtrëmbëruar ato, me qëllimin që t’i fitojmë shpirtërat e njerëzve për Krishtin. Të mos e harrojmë se asnjë dëshmitar nuk është në gjendje që t’i shpëtojë vetë shpirtërat e njerëzve, por ai duhet t’i sjellë ata tek Shpëtimtari, me qëllim që të marrin jetën e përjetshme. “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).           
 
Qëllimi i të dëshmuarit 
Qëkurse Perëndia e urdhëroi njeriun e parë, që t’iua predikonte fjalën e Tij të humburve, qëllimi i të dëshmuarit ka mbetur, që nga fillimi, po i njëjti qëllim, d.m.th. jo që t’iu tregojmë njerëzve rreth një kishe të caktuar, në mënyrë që ata të shkojnë atje, por që t’iu tregojmë atyre për Krishtin. Me pak fjalë, pra, ashtu siç e thotë edhe vetë Jezusi, duhet t’i mësojmë njerëzit dhe t’i pagëzojmë ata. Jemi thirrur, që ta çojmë dritën e shpëtimit aty, ku egziston errësira shpirtërore. “Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 13:47), që t’i largojmë njerëzit nga mëkati: “Që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve” (Veprat e Apostujve 26:18). Danieli e quan kështu këtë detyrë: “kthimi i mëkatarëve tek drejtësia”: “Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë” (Danieli 12:3).
 
Tema e të dëshmuarit
Nuk kemi pse të diskutojmë rreth gjërave të botës, gjoja sa për ta thyer akullin e për ta hapur bisedën me dikë. Duhet të hyjmë drejt e në temë, në temën, që shpëton shpirtërat. Kisha e parë foli për Jezusin, e jo rreth lajmeve të përditshme, apo se ç’po bënin, p.sh. romakët. “Sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar” (1 Korintasve 2:2). Apostujt thjesht iu treguan të tjerëve rreth Jezusit. “Por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar” (1 Korintasve 1:23)… “Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin” (2 Korintasve 4:5)… “Që është Krishti në ju, shpresë lavdie, që ne e kumtuam, duke e qortuar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi” (Kolosianëve 1:27-28). I vetmi mesazh që na është dhënë, është Ungjilli i Krishtit. “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15). Kjo nuk është e vështirë, prandaj pse nuk veprojmë ashtu siç na ka urdhëruar Jezusi? Sa shumë njerëz kanë për t’u shpëtuar atëherë!
Duhet t’iua tregojmë të tjerëve domosdoshmërinë e të rilindurit përsëri, me anë të pendimit e të besimit. Është e qartë, pra, se lajmëtari duhet ta dijë se kush e ka dërguar dhe se për çfarë bën fjalë lajmi, që do t’iu japë njerëzve. “Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar” (Veprat e Apostujve 4:20). Sipas Davidit, vetëm ata, që janë të shpëtuar, janë në gjendje ta predikojnë siç duhet Ungjillin e përjetshëm. “Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit” (Psalmi 107:2). Nëse nuk e mësojmë temën e të dëshmuarit, atëherë nuk mund të jemi të frytshëm si dëshmitarë, por, përkundrazi, nëpërmjet paditurisë sonë do ta turpërojmë kauzën e Krishtit. “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15). Nëse jemi me të vërtetë të shpëtuar, atëherë nuk do ta kemi aspak të vështirë për t’iu treguar të tjerëve rreth këtij shpëtimi të mrekullueshëm. “Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim” (Psalmi 66:16).
 
Përfundim 
Dëshmitari i zgjuar dëshmon si me fjalë, ashtu edhe me vepra, d.m.th. si duke folur, ashtu edhe duke jetuar një jetë të shenjtë. Përndryshe, ai është thjesht një hipokrit. Fjalët e mëposhtme të Pjetrit iu drejtohen jo vetëm çifteve në një lidhje martesore, por edhe të gjithë atyre, që dëshirojnë t’i fitojnë të tjerët për Zotin. “Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre” (1 Pjetrit 3:1). E shohim, pra, se dëshmitari, që do të fitojë shpirtërat, duhet të jetë shembull për të gjithë, duke jetuar një jetë të shenjtë e duke praktikuar atë, që predikon edhe vetë. Prandaj edhe nuk jemi thirrur thjesht vetëm për të dëshmuar, por për të qenë dëshmitarë të ditur, të zgjuar, si me fjalët që themi, ashtu edhe me jetën që jetojmë.     
    
    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 
 
Author: magda maylam

Leave a Reply