Delja e humbur



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 13.04.2008

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz; dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur. Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Luka 15:4-7).

Parathënie
Bariu u hidhërua, kur pa se njëra nga delet e tij kishte humbur. Ai bëri të pamundurën, ta sillte prapë në kullotë, jo ngaqë do të përjetonte humbje nga ana financiare, po të kishte një dele më pak, por ngaqë kishte dhembshuri për një krijesë të pambrojtur. Në këtë shëmbëlltyrë, shohim të ilustruar dashurinë dhe përkujdesjen e Krishtit ndaj atyre, që janë të humbur shpirtërisht. Edhe Ai bëri të pamundurën, për t’i sjellë mëkatarët drejt pendimit dhe shpëtimit. Bariu i Mirë dha jetën e Vet, me qëllim që ne të kishim jetë të përjetshme.

Dashuria e bariut
Delja kishte humbur. Fjala “humbi” është e njëjta fjalë, si fjala “humbasë” tek Gjoni 3:16, “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”. Delja po shkonte drejt shkatërrimit. Bariu nuk mund ta mendonte dot një gjë të tillë, ndaj edhe e kuptoi se i duhej të vepronte shpejt, që ta shpëtonte. Delja e kishte vetë fajin, që kishte humbur. Por bariu nuk e la, që ajo t’i vuante pasojat e fajit të vet.
“Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet” (Isaia 53:6)… “Sepse ju ishit si dele endacake por tani ju u kthyet te bariu dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj” (1 Pjetrit 2:25). Zoti e di gjendjen shpirtërore të çdo njeriu. Për shkak të mëkatit të Adamit, të gjithë njerëzit janë të humbur. Por, mëkatari është i tillë, ngaqë do vetë që të jetë mëkatar. Destinacioni i fundit për të gjithë ata, që nuk pranojnë të kthehen tek Krishti, është Ferri: “Të pabesët do të zbresin në Sheol” (Psalmi 9:17)… “Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Perëndia bëri diçka, që ta kthente përmbys këtë situatë.
Delja u desh shumë prej bariut. Ajo ishte e çmuar për të, ndaj edhe ai donte që ta kthente atë prapë në kullotë. Dashuria e Perëndisë ndaj njeriut nuk matet dot: “Shumë kohë më parë Zoti m’u shfaq duke thënë: “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi” (Jeremia 31:3). Ai e vërtetoi dashurinë e Tij: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8). Për të parë dashurinë e Perëndisë, mjafton që t’i kthejmë sytë tek Kryqi i Kalvarit.

Përkushtimi i bariut
Sakrifica - Bariu e vuri veten në rrezik të madh, duke kërkuar delen natën vonë. Ndoshta mund ta hanin ujqërit, apo ta ndiqnin qentë. Edhe shpëtimi ynë kushtoi shumë. I kushtoi jetën Zotit Jezus Krisht: “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet” (Gjoni 10:11)… “Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetrit 1:18-19).
Suksesi - Bariu nuk hoqi dorë së kërkuari, derisa e gjeti delen e humbur. Edhe Zoti Jezus nuk zbriti nga kryqi, derisa arriti të thërriste: “U krye!” (Gjoni 19:30). Që nga ai moment, çdo njeri i humbur mund të merrte shpëtimin, sepse Perëndia “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9).

Fitorja e bariut
Shpëtimi - Delja u shpëtua prej rrezikut, ku ndodhej. Edhe ne jemi shpëtuar prej tmerrit, që na priste: “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë… Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:18, 36). Jemi shpëtuar si prej mëkatit, ashtu edhe prej fuqisë së tij: “Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë. Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir” (Romakëve 6:11-14).
Pushimi - Delja e humbur nuk e gjente dot vetë rrugën për në kullotë. Kishte bredhur shumë lart e poshtë. Vetëm bariu mund ta kthente prapë në vendin e vet të pushimit. Ky vend pushimi nuk ishte kullota, por supet e bariut. Nuk është fuqia jonë, por ajo e Krishtit, që do të na çojë në parajsë. Mund të gjejmë pushim tek Ai, sepse e dimë se Ai kurrë nuk do të na lërë, kurrë nuk do të na braktisë (shiko Hebrenjve 13:5).
Gëzimi - Pati gëzim të madh, kur delja u kthye shëndoshë e mirë. “Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Luka 15:10). Nëse ëngjëjt gëzojnë kaq shumë, kur i humburi shpëtohet, sa shumë më tepër që gëzohet Perëndia? “Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi” (Sofonia 3:17).
     
Përfundim
Shpëtimi është i mundshëm vetëm nëpërmjet Jezusit. Vini re se si bariu e kërkoi pa pushim delen e humbur. Zoti po i thërret akoma të humburit mëkatarë. Ai do t’i gjejë ata, kudo që të kenë bredhur. “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur” (Luka 19:10). Asnjë shpirt nuk ka pse të shkojë në Ferr, sepse Krishti e ka garantuar mënyrën e shpëtimit me anë të gjakut të Tij.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net