Dashuria Vëllazërore
“Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë. Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njeri tjetrin. Sepse ju e bëni këtë ndaj gjithë vëllezërve që janë në gjithë Maqedoninë; por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që në këtë të shtohemi edhe më shumë” (1 Thesalonikasve 4:8-10).
Parathënie
Si sillemi me njerëzit brenda dhe jashtë kishës? Pali na thotë se nuk duhet të jemi me dy fytyra. Pa dyshim që jeta jonë shpirtërore duhet të jetë e shenjtë, por shenjtëria jonë ndikon gjithashtu edhe në mënyrën se si sillemi në sytë e botës. Duhet të jemi pasues besnikë të Krishtit në gjithçka: “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet Tij” (Kolosianëve 3:17).
Mos përbuz!
Nëse i përbuzim apo i urrejmë të tjerët, atëherë nuk jemi pasues të vërtetë të Krishtit. Sjellja jonë e paperëndishme iu tregon të tjerëve se nuk jemi vërtetë fëmijë të Perëndisë. Ata që përbuzin, kanë besim fallco. Ata që gjejnë kënaqësi në epshet e botës, nuk mund ta shfaqin dot dashurinë e Krishtit.
Dashuria vëllazërore
Për besimtarin, dashuria e krishterë është një gjë e natyrshme dhe e vetvetishme. Nëse e ndjekim me të vërtetë Krishtin, atëherë automatikisht do t’i duam edhe ata, që i përkasin Atij: “Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri… Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin. Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njeri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne” (1 Gjonit 4:7-8, 11-12). Është Fryma e Shenjtë Ai, që na jep kapacitetin për të dashur: “Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë” (Romakëve 5:5). Urdhërimi për të dashur të tjerët nuk është një urdhërim i ri. Gjithmonë plani i Perëndisë ka qenë që fëmijët e Tij të jenë njerëz të dashurisë: “Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti” (Levitikut 19:18). Zoti Jezus Krisht e nxorri edhe më shumë në dritë këtë lloj mësimi: “Dhe Jezusi i tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët” (Mateut 22:37-40).
Është pikërisht dashuria e krishterë ajo, që e dallon besimtarin nga njerëzit e kësaj bote. Të tjerët duhet ta vënë re mirë këtë dallim midis nesh dhe vetë atyre: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35). Një dashuri e tillë nuk është një opcion, por një urdhërim: “Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin” (Romakëve 12:10)… “Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër” (1 Pjetrit 1:22)… “Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15:12). Kjo dashuri rritet gjithnjë e më shumë, tek ballafaqohemi me situata e rrethana të ndryshme, të cilat na ofrojnë mundësinë për ta praktikuar një dashuri të tillë.
Përfundim
Dashuria vëllazërore nuk mund të arrihet nëpërmjet një proçesi. Përkundrazi, ajo duhet praktikuar vazhdimisht, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë situata në të cilën ndodhemi, apo lloji i personit, ndaj të cilit duhet të tregojmë një dashuri të tillë: “Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë. Por unë po ju them juve që më dëgjoni: “T’i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë” (Luka 6:26-27). Jo vetëm që duhet të duam, por gjithashtu efekti i dashurisë sonë duhet të ndihet kudo. Vetëm në këtë mënyrë, bekimi i Perëndisë qëndron mbi ne: “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet! Është si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij. Është si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi” (Psalmi 133).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



