Dashuria mes dy vëllezërve
Dy vëllezër, një beqar dhe tjetri i martuar, kishin një fermë me tokë pjellore, që prodhonte grurë me shumicë, secilit prej vëllezërve i takonte gjysma e të vjelave.
Në fillim gjithçka shkoi mirë. Pastaj, herë pas here, vëllai i martuar filloi të zgjohej gjatë natës dhe të mendonte: “Nuk është e drejtë kështu. Vëllai im nuk është i martuar dhe merr gjysmën e gjithë prodhimit. Unë kam grua dhe pesë fëmijë, prandaj nuk kam arsye të preokupohem për pleqërinë. Po kush do të kujdeset për vëllain tim të shkretë kur të plaket? Ai duhet të vërë mënjanë më shumë se sa unë për të ardhmen, pra është e logjikshme se ka më shumë nevojë se unë”.
E me këtë mendim u çua nga shtrati, hyni fshehurazi në shtëpinë e të vëllait dhe i hodhi një thes grurë në hambar.
Edhe vëllai beqar filloi të kishte këto shqetësime gjatë natës. Herë pas here zgjohej e thoshte me vete:
“Vëllai im ka grua e pesë fëmijë dhe merr gjysmën e asaj që toka prodhon. Unë nuk kam asnjëri përveç vetes për të mbajtur. Është e drejtë pra që vëllai im i shkretë, që ka sigurisht më shumë nevojë se unë, të marrë pjesën time”.
Kështu u çua nga shtrati dhe shkoi ta çonte një thes grurë në hambarin e vëllait. Por u befasuan shumë kur në mëngjes vunë re se në hambaret e tyre gjendej po e njëjta sasi e grurit.
Dhe kështu vazhduan të veprojnë për një kohë të gjatë.
Një ditë u çuan të dy në të njëjtën orë dhe u takuan në mes të rrugës, secili me një thes grurë në shpinë!
Atëherë, nga qielli dëgjuan një zë:
“Ky vend, në të cilin u shfaq një dashuri vëllazërore kaq e madhe, meriton të jetë i zgjedhur që mbi të të ndërtohet shenjtërorja ime: Shenjtërorja e dashurisë vëllazërore”.
E në fakt Salomoni (i biri i mbretit David që e ndërtoj tempullin e Jeruzalemit) e zgjodhi pikërisht atë vend për ndërtimin e Tempullit të tij.
A thua sot Salomoni do ta gjente ende ndonjë vend për ndërtimin e tempullit?



