Dashuria e Perëndisë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 09.09.2011

“Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit. Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë? Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë. Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim zemrat tona para atij; sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë. Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë; dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij. Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai. Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.” (1 Gjonit 3:16-24).
 
Parathënie 
Dashuria është më shumë sesa një ndjenjë emocionale, apo një përgjigje e dhembshur. Edhe kafshët kanë dashuri, por dashuria e vërtetë vjen nga Perëndia. Këtë dashuri bota as s’e kupton, as s’na e jep dot. Kjo dashuri nuk gjendet brenda nesh, por Perëndia iua jep atyre që janë të lindur për së dyti. Këtë dashuri e marrim dhe e kuptojmë, atëherë kur bëhemi krijesa të reja. Ata që e kanë një dashuri e tillë, duhet ta ndajnë atë me të tjerët. Por, si mund ta vëmë dita-ditës në praktikë këtë dashuri?
 
Së pari, duhet të dëgjojmë…
“Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin” (1 Gjonit 3:11). Fakti qëndron këtu se e kemi dëgjuar me qindra herë këtë mesazh dashurie gjatë jetës sonë të krishterë, por a ia kemi kushtuar vëmendjen mesazhit? Ndoshta kur vjen puna për të dëgjuar, ia vëmë veshin vetëm atyre gjërave, që na pëlqejnë. I duam, p.sh. vetëm ata, që na duan dhe i përbuzim ata, që na urrejnë. Por kjo nuk tregon se e kemi dashurinë e Perëndisë brenda nesh. “Ju keni dëgjuar se qe thënë: “Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd”. Por unë po ju them: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mateu 5:43-48). Nuk iua vëmë veshin atyre, që na ofendojnë. Me pak fjalë, pra, nuk duam të dëgjojmë edhe një predikim tjetër sesi t’i duam armiqtë tanë.
Po të duam ta vëmë në praktikë Dashurinë e Perëndisë në jetën tonë, atëherë duhet ta pranojmë se ajo që thotë Ai në fjalën e Tij është gjithmonë e saktë dhe se, kur e praktikojmë këtë dashuri, atëherë e vërtetojmë se kemi një marrëdhënie personale me Të. Ata që duan me një dashuri të tillë, janë dëgjues të mirë të Zotit.
 
Pastaj duhet ta pranojmë…
Duhet ta pranojmë se bota na urren, madje edhe kur nuk i kemi bërë keq. Nuk duhet të habitemi aspak prej këtij fakti. “Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin. Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush. Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren” (Gjoni 15:17-19). Duhet ta përqëndrojmë vëmendjen tek Perëndia dhe tek dashuria që kemi për Të. “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5). Vetëm atëherë jemi në gjendje t’i duam të tjerët. “Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde” (Levitikut 19:18). Këtë rregull duhet të ndjekim e jo t’iu shkojmë pas atyre, që përpiqen t’i duan të tjerët, pa e dashur në fillim Perëndinë.
Nëse e duam Krishtin, atëherë kemi për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). A mund ta hedhim poshtë ndonjërën prej urdhërimeve të Tij? “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34-35). Nuk është e lehtë të duash ashtu siç na urdhëron Zoti. Përkundrazi, një dashuri e tillë është një veprim i vullnetshëm i yni, d.m.th. e kemi vetë në dorë, nëse vendosim ta duam apo jo një person të caktuar. Të duash në mënyrë të tillë vërteton se ke një besim të jashtëzakonshëm.
Bota na urren, sepse nuk e kupton as Perëndinë, as natyrën e dashurisë. Shumica e të krishterëve i mërzisin jobesimtarët, duke iu treguar atyre thjesht fakte teologjike, në një kohë që, po t’iu shfaqin dashurinë e Perëndisë, kjo do të mjaftojë që ata të kthehen tek Zoti. Nuk duhet të tregohemi hipokritë e të flasim gjithë kohës rreth besimit tonë. Duhet ta vëmë atë në praktikë. Ata që kanë dashuri, janë si drita në errësirë. “Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:14-16).    
 
Dashuria e hedhur poshtë
“Jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta” (1 Gjonit 3:12). Tek Zanafilla 4, lexojmë historinë e dy vëllezërve, që ngritën dy altarë për ta adhuruar Perëndinë. Jo vetëm që njëri prej tyre nuk u pranua prej Perëndisë, por shohim gjithashtu se Kaini nuk deshi ta adhuronte Zotin së bashku me Abelin. Ligësia që kishte në zemër, e largoi Kainin prej të vëllait dhe prej Perëndisë. Në fakt, atij i mungonte dashuria në zemër, ndaj edhe të vëllanë e vrau me mendjen e tij, para se ta vriste me duart e tij (Zanafilla 4:8). A u përpoq ndonjëherë, vallë, Abeli ta korrigjonte të vëllanë, duke i thënë se ç’lloj flijimi kërkonte Zoti? Pa dyshim se ai e donte aq shumë Kainin, saqë do t’i kishte treguar rrugën e drejtë për tek Perëndia. Dashuria e vërtetë gjithmonë e thotë të vërtetën me dashuri. Prandaj edhe Gjoni thotë: “Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren” (1 Gjonit 3:13).
Zoti Jezus e dha jetën e Vet për botën (Gjoni 3:16) dhe ne jemi thirrur, që t’ia japim jetën njëri-tjetrit. Kjo nuk është e lehtë, sepse, po të ishte një gjë e lehtë, atëherë nuk do të ishte e nevojshme që Gjoni ta shkruante letrën e tij lidhur me dashurinë. Ata që nuk besojnë, e hedhin poshtë këtë dashuri dhe, si pasojë, ata që flasin rreth kësaj dashurie, urrehen nga bota. Prandaj edhe duhet ta vëmë në praktikë një cilësi të rëndësishme të dashurisë: faljen. Perëndia, me dashurinë e Tij, i fal të gjithë ata, që vijnë tek Ai me besim. Edhe ne duhet të tregohemi të gatshëm për t’i falur ata, që na kanë bërë keq. “Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?”. Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë” (Mateu 18:21-22). Një dashuri që nuk fal, nuk është dashuri e Perëndisë.
 
Përfundim  
Dashuria e kësaj bote bazohet tek emocjonet dhe ndjenjat dhe shumë shpejt, kthehet në urrejtje. Dashuria e vërtetë është e përjetshme. Ajo nuk ndryshon kurrë dhe nuk ndikohet prej situatave të ndryshme të jetës. Një dashuri e tillë ta transformon jetën.
   
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com