Dashuria e Krishtit dhe Çlodhja e të Krishterit



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 12.07.2007

Parathënie

Këto vargje të shkurtra të studimit tonë përmbajnë një pasuri udhëzimesh për besimtarin, i cili është duke bërë vazhdimisht punën e Zotit. Jemi thirrur që, jo vetëm ta vëmë Krishtin në plan të parë në jetën tonë të përditshme, por edhe që ta kalojmë kohën, duke e inkurajuar veten tek Ai dhe tek fjala e Tij. “Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij” (1 Samuelit 30:6). Të jesh i zënë me çdo lloj pune, nuk do të thotë se je i zënë me punën e Zotit.

Mandati

“Tani apostujt u mblodhën tek Jezusi dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe i kishin mësuar” (Marku 6:30).

Apostujve iu ishte dhënë mandati, që t’iu transmetonin të humburve mesazhin e Krishtit: “Pastaj ai i thirri te vetja të dymbëdhjetët dhe filloi t’i dërgojë dy nga dy; dhe u dha pushtet mbi frymët e ndyra” (Marku 6:7). Tani, ata po ktheheshin për t’i raportuar Krishtit. Pa dyshim, do të kenë qenë shumë të entuziazmuar, kur shikonin fuqinë e Zotit tek vepronte nëpërmjet tyre. Mund ta imagjinojmë se sa të emocionuar duhet të kenë qenë, tek i treguan Jezusit për suksesin që kishin arritur. Jezusi iu vuri në dukje se, edhe pse ishte e pëlqyeshme t’i shikoje njerëzit tek çliroheshin prej mëkatit dhe Satanait, prapëseprapë, apostujt nuk duhet ta neglizhonin shpëtimin e tyre: “Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd”. Dhe ai u tha atyre: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe. Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë. Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej” (Luka 10:17-20).

Apostujt, duke përfshirë këtu edhe grupin e të quajturve “të shtatëdhjetët”, raportuan mbi gjithçka që kishin përjetuar, tek po predikonin fjalën. Ky fakt na tregon se të lutesh nuk do të thotë thjesht që t’i tregosh Zotit të gjitha dëshirat dhe nevojat që ke, por, përkundrazi, lutja duhet të jetë një moment bashkëbisedimi i përzemërt me Të. Shpesh, harrojmë se mundet që të diskutojmë me Të gjithçka që na ndodh në jetën e përditshme. Në këtë mënyrë, marrim prej Tij udhërrëfimin dhe fuqinë e duhur për atë ditë të caktuar. Sekreti për të patur sukses në jetën e përditshme të një besimtari, është miqësia dhe bashkësia e tij me Zotin. Veprat dhe fjalët tona janë të pavlefshme, po qe se nuk jemi “këmbëngulës në lutje” (Romakëve 12:12). Apostujt e kishin mësuar mirë këtë sekret: “Kurse ne do të vazhdojmë t’i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës” (Veprat e Apostujve 6:4). Në punën tonë për Krishtin, predikimi dhe lutja duhet të jenë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Konsiderata

“Dhe ai u tha atyre: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak”. Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s’u dilte koha as për të ngrënë. U nisën, pra, me një barkë drejt një vend të vetmuar e të mënjanuar” (Marku 6:31-32).

Këtu e shohim se sa i vëmendshëm ishte Jezusi për mirëqënien e apostujve të Tij. Ai nuk ishte pronar, që t’iua merrte shpirtin punëtorëve të Vet. “Fuqia” e Tij mund të jetë e mjaftueshme për ta mposhtur “dobësinë” tonë, por Ai nuk na stërmundon sa të mos e ngremë kokën fare nga puna (2 Korintasve 12:9). Madje edhe të çlodhurit ka rëndësi jetësore në punën tonë për Krishtin. Por kjo çlodhje nuk duhet të jetë liri për të bërë si të na dojë qejfi në këtë botë. Përkundrazi, çlodhja është një kohë për të marrë forca të reja, për t’u rifreskuar e për t’u rinovuar: “Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isaia 40:31). Duhet të tregojmë kujdes për shpirtin tonë, para se t’iu vijmë në ndihmë të tjerëve me problemet e tyre shpirtërore, sepse përndryshe ata do të na lodhin aq shumë, sa të arrijnë të na bëjnë që të heqim dorë nga besimi në Krishtin.

Këshilla që na jep ky varg, nuk është për t’u vënë në zbatim prej shumicës së anëtarëve të kishës së sotme, sepse shumë pak prej tyre janë në rrezik ta sforcojnë veten e tyre për Zotin. Shumica e tyre janë dembelë, ngaqë e harxhojnë kot kohën, duke bërë gjëra të parëndësishme. Duhet ta shfrytëzojmë “kohën, sepse ditët janë të mbrapshta” (Efesianëve 5:16). Duhet të ecim “me urti ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën” (Kolosianëve 4:5). Duhet ta gjejmë kohën, për ta kontrolluar jetën tonë shpirtërore dhe për të medituar mbi fjalën e Perëndisë. Kurrë nuk do të begatojmë në gjërat e Perëndisë, po qe se nuk begatojmë në të kujdesurit për shpirtin tonë. Si do të mund t’i thërrasim njerëzit tek Krishtit, nëse nuk i drejtohemi vetë Atij për ndihmë?

Dhembshuria

“Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t’u mësojë shumë gjëra” (Marku 6:33-34).

Këto vargje të fundit të këtij pasazhi biblik theksojnë arsyen se përse të kaluarit e kohës me Zotin ka vlerë jetësore në jetën tonë të përditshme. Duhet ta shfrytëzojmë me mençuri kohën, sepse nuk e dimë se kur do të thirremi për t’i shërbyer dikujt, që ka nevojë për ndihmën tonë. Po qe se jemi në bashkësi të vazhdueshme me Krishtin, atëherë, kur të na kërkohet që ta vëmë në shfrytëzim kohën tonë, do të jemi gjithmonë gati.

Edhe ne duhet t’i duam njerëzit, ashtu siç i deshi Jezusi. Ata që s’janë të shpëtuar, nuk kanë asnjë drejtues shpirtëror dhe nuk duhet të presim që ata të marrin udhërrëfim prej kishës së themeluar prej shekujsh në këtë vend (d.m.th. kishës së Anglisë). Çdo besimtar e ka për detyrë që t’i drejtojë të humburit tek Krishti, duke iu mësuar atyre ato që thotë Bibla. Duhet t’iu tregojmë njerëzve për dashurinë e madhe që ka Perëndia për ta (Gjoni 3:16) dhe se Jezusi është “Bariu i Mirë”, i cili dha jetën e Vet për t’i çliruar prej mëkatit (Gjoni 10:11). Të krishterët që besojnë në Bibël, janë të vetmit njerëz, që e dinë të vërtetën, që i çliron mëkatarët dhe, nëse iu tregojmë atyre të vërtetën e pashtrembëruar, atëherë ata do ta kuptojnë se kemi “qenë me Jezusin” (Veprat e Apostujve 4:13). Turma nuk iu turr pas apostujve, edhe pse ata kishin kryer shumë mrekulli. Përkundrazi, ata “u mblodhën rreth Tij”. Po qe se bota nuk e sheh kishën tek ecën me Krishtin, ne kurrë nuk kemi për ta bërë atë, që të mblidhet rreth Tij. Edhe ne, ashtu si Jezusi, duhet të jemi gati për të dhënë jetën tonë, në mënyrë që t’i fitojmë të humburit për Krishtin.       

Përfundim            

Mund të jemi të merakosur për të humburit dhe të shfaqim dhembshuri të madhe për ta. Mund të kemi dëshirë që t’i shohim pjesëtarët katolikë të familjes sonë, apo komshinjtë myslimanë, që të vijnë tek Krishti. Por, në të njëjtën kohë, nuk duhet ta neglizhojmë as shpirtin tonë. Duhet të shpenzojmë kohë të mjaftueshme nga ana cilësore, vetëm për vetëm me Zotin, me qëllim që t’i bëjmë ballë botës në fuqinë e Frymës së Shenjtë: “Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë” (1 Timoteut 4:16).

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net