Ç’mik na është Jezu Krishti!



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 06.05.2007

Parathënie

Jemi thirrur për të patur një marrëdhënie të ngushtë e personale me Zotin Jezus Krisht. Dishepujt morën bekime të mrekullueshme gjatë gjithë shërbesës së Krishtit, tek qëndronin në praninë e Tij dhe tek mësonin nga Ai. “Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës” (1 Gjonit 1:1). Ç’vlerë ka t’i zbatosh mësimet e Jezusit e të mos kesh një marrëdhënie të vërtetë me Të? Sa të krishterë ka, që jetojnë një jetë të bindshme ndaj fjalës së Perëndisë, por nuk e njohin Atë si Mikun e tyre më të ngushtë?

Miqtë e Jezusit

“Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj. Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im” (Gjoni 15:14-15). Ky varg na mëson qartë se një shërbëtor mund të jetë i bindshëm ndaj urdhërimeve të Zotit, por faktikisht, nuk e njeh Atë në mënyrë intime. Edhe pse jemi shërbëtorë të Krishtit, ne faktikisht i shërbejmë Atij si miq. Kjo do të thotë se jo vetëm që i bindemi, por edhe e duam dhe i qëndrojmë besnikë. E tillë është edhe marrëdhënia, tek e cila na ka thirrur edhe Ai. Shkurtimisht, Jezusi do që të jetë Miku ynë: “Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla” (Fjalët e Urta 18:24).

Jezusi, Miku Besnik

“Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueu 1:5, shiko gjithashtu Hebrenjve 13:5). Prania e Tij brenda nesh është themeli i marrëdhënies sonë me Krishtin. Ishte Perëndia Ai, që e themeloi këtë lloj bashkësie mes Tij dhe njeriut. Të gjitha perënditë e rreme kërkojnë zbatim të rreptë të rregullave dhe riteve fetare. Besimi tek këto perëndi është i bazuar në frikë, shërbim dhe nënshtrim. Vetë fjala “Islamizëm” do të thotë “nënshtrim”. Në Kuran nuk do të lexoni kurrë rreth mundësisë për të patur një marrëdhënie të dashur mes perëndisë së myslimanizmit dhe pasuesve të tij. Edhe kultet, gjithashtu, e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë se ne mund të jemi miq të Perëndisë. Perënditë e të gjitha feve të rreme janë perëndi të largëta e të paprekshme. Vetëm Bibla na tregon se njeriu mund të ketë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, jo nga frika, por nga të qënit mik me Të. Zoti Jezus Krisht nuk erdhi për të themeluar një fe të re, por, përkundrazi, për të ri-themeluar miqësinë mes Perëndisë dhe njeriut. Drejtuesit fetarë e njihnin Atë si mik të mëkatarëve (shiko Mateu 11:19). “Dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete” (Efesianëve 2:16). “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1).

Mund të jemi të sigurtë se, ngaqë Jezusi është Miku ynë Besnik, Ai kurrë nuk do të na mashtrojë, apo të na zhgënjejë. Ai gjithmonë e mban fjalën. “Që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara” (Hebrenjve 6:18). Zoti është besnik, jo sepse kështu besojmë ne, por sepse Ai është vërtet besnik: “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten” (2 Timoteut 2:13). Edhe fjalia pothuajse e fundit, që iu tha Jezusi pasuesve të Tij, e përshkruan Atë si Mik të tyren, që do t’iu qëndronte gjithmonë afër: “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20). Kemi një Mik, të cilit mund t’i kërkojmë ndihmë, kur kalojmë kohë të vështira, apo kur jemi të shqetësuar e të dekurajuar. Të diturit (njohuria) se Ai është me ne, është zgjidhje për të gjitha problemet e jetës.

Po ne, a jemi miqtë e Tij?

Shërbëtorët, sapo mbarojnë punën, ikin. Miqtë, përkundrazi, nuk e kanë punën me orar. “Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj” (Gjoni 15:14). Prandaj edhe bindja jonë bazohet tek marrëdhënia që kemi me Perëndinë, jo tek rregullat fetare. Një mik i vërtetë i Krishtit është gati të japë jetën për Ungjillin, ashtu siç e dha edhe Ai për ne: “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13). Miku gjithmonë mendon për të mirën e shokut. Miku sakrifikon vetveten, nuk kërkon shpërblim, por bën edhe më shumë se ç’i kërkohet. “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23).  

Përfundim

Ideja se mund të egzistojë miqësia mes Perëndisë dhe njeriut, nuk është vetëm mësim prej Dhiatës së Re, por e ka themelin në atë të Vjetrën: “Kështu Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij” (Eksodi 33:11). “Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim” (Isaia 41:8). “Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë” (Jakobi 2:23).

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net