Çfarë Mund Të Bëjë e Çfarë Nuk Mund Të Bëjë Lutja



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 10.06.2007

Parathënie

Në mbarë botën, ka njerëz që luten, kur ndodh ndonjë katastrofë kombëtare ose ndërkombëtare, apo kur një person merret peng prej një terrorristi. Nëpërmjet lutjes, i kërkojmë Perëndisë të veprojë për hatrin tonë, ose për hatrin e dikujt tjetri. Kjo quhet “Lutje Ndërhyrëse”. “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efesianëve 3:20). Po qe se plotësohen kushtet e Perëndisë, lutja mund të arrijë të bëjë dhe patjetër që do të bëjë shumë gjëra të mrekullueshme.

Ç’mund të bëjë lutja

Lutja mund të na i japë fuqi shpirtit: “Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim” (Psalmi 138:3). Perëndia është i gjithë-pushtetshëm dhe është në gjendje të bëjë “jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë…” (Efesianëve 3:20).

Lutja mund të jetë një burim stabiliteti (qëndrueshmërie) dhe mbrojtjeje në jetën tonë: “Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma? Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën. Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë. Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle. Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde. Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën. Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde. Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë” (Psalmi 121).

Lutja mund të sjellë paqe. Fëmija i Perëndisë, në vend që të mposhtet nga frika e dëshpërimi, duhet të lutet dhe lutja mund t’i sjellë paqen e Perëndisë një jete të trazuar: “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6-7).

Lutja na jep mundësinë për t’ia bërë të ditur Perëndisë gjithçka që kemi në zemër. Bibla na mëson se Ai i përgjigjet lutjes: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket. A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër? Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë” (Mateu 7:7-11)… “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19). Lutja do të gjejë gjithmonë përgjigje, atëherë kur besimtari lutet në përputhje me vullnetin e Perëndisë: “Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson” (1 Gjonit 5:14). Perëndia na i di nevojat që kemi, madje edhe para se t’i lutemi: “Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni… Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra” (Mateu 6:8, 32). Megjithatë, Perëndia do që njeriu të kërkojë në lutje.

Lutja mund të rezultojë në falje. Njeriu gjen falje, kur nuk i nënshtrohet vullnetit të vet, por vullnetit të Perëndisë. Fëmija e Perëndisë gjen falje nëpërmjet lutjes: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi”… Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës” (1 Gjonit 1:9; 2:1-2).

Lutjet e të krishterit mund të kenë ndikim në jetën e të tjerëve. Lutja ndërhyrëse shprehet qartë në Bibël: “Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua, që unë të shpëtoj nga të pabesët në Jude, dhe që shërbesa ime që po bëj për Jeruzalemin t’u pëlqejë shenjtorëve” (Romakëve 15:30-31, shiko gjithashtu Efesianëve 1:16-18, Filipianëve 1:9-11, Kolosianëve 4:3 dhe 1 Timoteut 2:1-3). Bibla nuk na mëson që të lutemi për shpëtimin e dikujt, e që Perëndia do ta shpëtojë personin për të cilin lutemi, pa dëshiruar ai/ajo fare një shpëtim të tillë.

Ç’nuk mund të bëjë lutja

Lutja, në vetvete, nuk mund ta shpëtojë mëkatarin. Askund në Bibël nuk thuhet, as nuk sugjerohet se lutja shpëton mëkatarin. Gjatë gjithë librit të Veprave të Apostujve, lexojmë se si dishepuj të ndryshëm predikuan ungjillin për të shpëtuar mëkatarët. Apostujt nuk u mblodhën thjesht për të patur takime lutjesh, ku t’i kërkonin Perëndisë të shpëtonte këtë apo atë person. Përkundrazi, ata u ngritën për të dëshmuar e për të predikuar Krishtin: “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14). Ka njerëz, që nuk duan ta studiojnë Biblën për ta përcaktuar se cili është vullneti i Perëndisë lidhur me një çështje, por thjesht preferojnë vetëm të luten. Por vullnetin e Perëndisë, apo atë që Ai dëshiron për ne, e mësojmë nga Bibla.

Lutja nuk mund të na çlirojë prej përgjegjësive. Ka nga ata që mendojnë se thjesht mund të luten, në vend që të bëjnë atë që iu ka urdhëruar Perëndia. Por kjo është gabim! Lutja nuk është zëvendësuesja e predikimit, apo e kthimit të mëkatarit tek Perëndia, apo e të jetuarit të një jete të shenjtë.

Lutja nuk mund t’i japë njeriut besim. Kur rojtari filipian i burgut pyeti se si mund të shpëtohej, mori përgjigjen: “Me anë të besimit”. Atëherë, atij iu predikua fjala e Perëndisë, në mënyrë që t’i vinte besimi (shiko Veprat e Apostujve 16:30-31). Besimi vjen nëpërmjet të lexuarit, të studiuarit dhe të dëgjuarit e fjalës së Perëndisë: “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17).

Lutja nuk mund t’ia mënjanojë sprovat të krishterit. Vështirësitë vlejnë si burim rritjeje: “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë” (Jakobi 1:2-4).

Lutja nuk mund ta shenjtërojë mëkatarin. Atij i kërkohet shenjtëri në jetë, por kjo shenjtëri nuk vjen direkt si rezultat vetëm i lutjes. Të jetuarit në përshtatje me fjalën e Perëndisë sjell shenjtëri: “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). 

Përfundim

Ajo që po përpiqemi të vëmë në dukje, është se Perëndia e ka paracaktuar lutjen si metodë për realizimin e gjërave të mëdha. Por lutja kurrë nuk u konceptua për të arritur atë, që nuk është pjesë e vullnetit të Perëndisë. Me qëllim që të përfitojmë prej lutjes, ashtu siç dëdhiron edhe Perëndia, duhet që të ndodhemi në një pozitë të drejtë para Tij dhe ta shfrytëzojmë ashtu siç duhet privilegjin e lutjes. Ka shumë të krishterë, të cilët nuk e dinë se çfarë kërkojnë (Marku 10:38), ose që luten në mënyrë egoiste: “Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja” (Jakobi 4:3). Le ta lexojmë Biblën dhe të mësojmë se ç’është lutja e se cilave lutje iu përgjigjet Perëndia.


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net