Çfarë kam bërë?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 12.12.2009

“Davidi iku nga Najothi i Ramahut, shkoi te Jonathani dhe i tha: “Çfarë kam bërë? Cili është faji im dhe cili është mëkati im kundër atit tënd, që ai kërkon jetën time?”. Jonathani iu përgjegj: “Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse im atë të ma fshihte këtë gjë? Nuk është e mundur”. Davidi u betua përsëri dhe tha: “Yt atë e di me siguri që unë gëzoj hirin tënd dhe do të ketë thënë: “Jonathani të mos e dijë këtë, që të mos hidhërohet”. Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap”" (1 Samuelit 20:1-3).
Parathënie
Davidi kishte frikë se do ta vrisnin. E dinte se s’mund t’i zinte besë Saulit, por prapëseprapë, nuk e kuptonte dot arsyen se pse donte ta vriste ai. Davidi donte të dinte më shumë, ndaj edhe shkoi tek Jonathani dhe i kërkoi, që ta ndihmonte.
Frika e Davidit
Frika i kishte hyrë Davidit deri në palcë. Kishte shpëtuar edhe më parë nga kthetrat e mbretit Saul, por tani po vraponte më shumë nga frika. Më përpara, ai i kishte shpëtuar shigjetës së Saulit, por, s’kishte pse të ikte me vrap, përsa kohë që ishte nën kujdesin mbrojtës të Samuelit. E shohim, pra, se si edhe njerëzit me besim më të madh, frikësohen ndonjëherë. Kur kishte qenë i ri, Davidi kishte vrarë luanin dhe ariun. Më pas, kishte mundur Goliathin dhe filistenjtë. Ishte treguar hero trim dhe i guximshëm. Por tani, ai kishte frikë.
Davidi kishte frikë, ngaqë s’ia kishte ngulur sytë Perëndisë. Në bisedën e tij me Jonathanin, ai nuk përmend asnjërën prej gjërave të mëdha, që Perëndia kishte bërë për të. Përkundrazi, ai i foli shokut të tij rreth rrezikut, në të cilin ndodhej. Problemi që kishte me Saulin, ia kishte turbulluar mendjen dhe përqëndrimin. Jo se s’duhej të tregohej kaq negativ, por duhej t’i kishte përmendur gjithashtu edhe gjërat pozitive. “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë” (Psalmi 103:1-2). Përsa i përkiste Davidit, ai mund të vdiste nga çasti në çast.
Miku i Davidit
Është gjë e mirë, që Davidi kishte një shok, për t’iu drejtuar në rast nevoje. Por, pse po largohej prej vendit, ku ndodhej profeti i Perëndisë? S’ka dyshim se Samueli gjendej më afër Perëndisë, sesa Jonathani! Davidi duhet t’i kishte kërkuar Samuelit këshillë e inkurajim. Më parë, ishte treguar i zgjuar dhe kishte shkuar tek Samueli, por tani, ngaqë e kishte zënë frika, kujtoi se shoku i vet, Jonathani do ta këshillonte më mirë sesa profeti Samuel.
Davidi arsyetoi me vete. Nga ana llogjike, ishte më mirë që ta pyeste Jonathanin rreth Saulit. Miku i tij do ta zbulonte patjetër arsyen pse Sauli e urrente kaq shumë dhe donte ta vriste. Jonathani, nga ana tjetër, besonte se i ati do ta mbante premtimin dhe nuk do ta vriste Davidin. E shohim, pra, se Jonathani nuk ishte njeriu i duhur, për t’i dhënë këshillë Davidit në këto momente (shiko 1 Samuelit 19:6). “Jonathani kishte besim tek betimi i të atit” (Gjon Uesli). Jonathani i kishte dalë Davidit përkrah edhe më parë, ndaj Davidi s’kishte pse të merakosej. “Kështu Jonathani i foli Saulit, atit të tij, në favor të Davidit dhe i tha: “Mbreti të mos bëj mëkat në dëm të shërbëtorit të tij, në dëm të Davidit, sepse ai nuk ka kryer mëkate kundër teje, dhe veprat e tij kanë qenë shumë të vlefshme” (1 Samuelit 19:4). Mos vallë, Davidi po kujtonte se Jonathani dinte më shumë, sesa ç’po i tregonte atij? Davidi ishte i shqetësuar dhe mendonte se të gjithë ishin kundra tij. “Dhe thoja gjatë përhumbjes sime: “Çdo njeri është gënjeshtar” (Psalmi 116:11). Frika e kishte bërë, që të mos i zinte besë edhe mikut të tij më të ngushtë. Frika ia kishte turbulluar gjykimin.
Jonathani u alarmua nga ato, që po i thoshte Davidi. Kjo vihet re tek shprehja që përdor ai: “Mos ndodhtë kurrë!”. E qortoi Davidin, duke i thënë se patjetër që do t’i tregonte nëse Sauli po thurte apo jo ndonjë plan kundra tij.
Marrëzia e Davidit
Davidi, në vend që të qetësohej me fjalët e Jonathanit, filloi të dyshonte edhe më shumë tek ai. Kujtonte se Jonathani nuk dinte asgjë, ngaqë Sauli nuk po i tregonte të birit se ç’plane po thurte për ta vrarë Davidin. Davidi po përpiqej për ta justifikuar ankthin dhe frikën, që ndjente. Nganjëherë, është e pamundur për t’iu dhënë kurajo atyre njerëzve, që janë kokëfortë e nuk duan ta besojnë se frika e tyre nuk është e vërtetë, por imagjinare. Njerëz të tillë do ta gjejnë patjetër një arsye, për t’u justifikuar se nuk po ecin me Zotin. “Mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap”. Kjo shprehje e Davidit ka pothuajse të njëjtin kuptim si shprehja: “Jam me një këmbë në varr”.
Davidi po tregohej i marrë, sepse po i varte më shumë shpresat tek Jonathani, sesa tek Perëndia. E harroi, për një moment, se miku i tij nuk mund ta mbronte dot prej zemërimit të Saulit. Në momentin kur i largojmë sytë prej Zotit, na zvogëlohet besimi dhe na rritet frika. Për ata, që nuk pranojnë t’i besojnë Perëndisë, frika dhe shqetësimet s’kanë fund kurrë. “Po qe se Davidi do të kishte jetuar në qetësinë e besimit, atëherë do ta kishte kuptuar se edhe vendi, ku ndodhej ishte më i sigurtë, sesa ç’e mendonte. Sauli, me gjithë urrejtjen dhe fuqinë e tij, nuk do të mund ta kapte dot, përsa kohë që besimi i Davidit ishte tek Zoti” (Aleksandër Maklaren).
     
Përfundim
Siç do ta shohim edhe në studimet e ardhshme, Davidi kishte filluar të mos tregonte më një besim të sinqertë. Po frikësohej prej problemeve, në vend që t’i besonte Perëndisë. Frika, ankthi dhe shqetësimet po ia bënin mendjen lëmsh. Perëndia nuk dëshiron aspak, që edhe ne të veprojmë në të njëjtën mënyrë. “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie” (2 Timoteut 1:7). “Madje edhe atëherë kur rreziku na duket shumë tmerrshëm, nëse jemi besimtarë, nuk kemi për të vdekur, derisa të realizohet plani, që ka Perëndia për ne, apo derisa t’i kemi shërbyer brezit tonë, sipas vullnetit të Tij” (Mateo Henri).   
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com