Ç’farë është Perëndia im?



nga: udhetimi.com, botuar me: 02.11.2007

Një gjë di, Zot, për një gjë jam i sigurt në ndërgjegjen time; se të dua. Brenda meje dëgjova Fjalën Tënde dhe të desha. Por edhe qielli edhe toka, gjithçka, prej ngado më thonë se të dua. E thonë pa pushim, tek të gjithë njerëzit, “që të mos kenë justifikime”. Por në një shkallë më të lartë Ti “do të mëshirosh ata që mëshiron, dhe dhembshuria jote do jetë për ata që ke dhembshuri”. Në të kundërt edhe qielli edhe toka do të të ngrinin himne në veshët e të shurdhëve.
Por ç’farë dua tek tek Ty, duke të dashur Ty? Nuk është bukuria e ndonjë trupi dhe lavdia e tij e përkohshme, as shkëlqimi i dritës që përkëdhel sytë e mi prej dheu. As meloditë e ëmbla që psalmet ofrojnë tek veshët e mi, e as era dehëse e luleve, e erëzave apo e parfumeve. As mana e mjalti dhe as gjymtyrët që pranojnë përqafimin e mishit. Jo, nuk dua këto në Ty. E megjithatë, duke dashur Perëndinë tim, dua një dritë, një zë, një aromë, një përqafim. Është drita, zëri, aroma dhe përqafimi i njeriut të brendshëm që ngrihet brenda meje, atje ku ndriçon dhe agon shpirtin tim një dritë e pafundme, atje ku ushqimi nuk bëhet pre e grykësisë, dhe velja nuk e dobëson përqafimin. Ja se ç”farë dua duke dashur Perëndinë tim.
Ç”farë është Perëndia im? Pyeta tokën dhe m’u përgjigj: “Nuk jam unë”. Dhe çdo gjë që mban brenda saj më tha: “Nuk jam unë”. Pyeta detin dhe thellësitë e tij, zvarranikët që zvarriten në tokë dhe më thanë: “Nuk jemi ne Perëndia yt, kërko më lart”. Pyeta në zhurmën e erës dhe era më tha: “Më kot mashtrohesh. Nuk jam unë Perëndia”. Pyeta qiellin, diellin, hënën edhe yjet, por edhe ata m’u përgjigjën: “Nuk jemi ne”. Atëherë pyeta të gjitha krijesat që trokasin portat e trupit, shqisat: “Më thoni ju për Perëndinë tim. Përderisa nuk jeni ju, të paktën më flisni për të”. Dhe një zë i madh buçoi: “Ai na krijoi”. I pyesja me kujdesin tim edhe ato më përgjigjeshin me formën e tyre.
Atëherë u ktheva tek vetvetja ime dhe i thashë: “Por ti kush je”. Dhe u përgjigja: “Jam njeri. Por kam dy njerëz - njërin të jashtëm dhe tjetrin të brendshëm. Tek cilin prej të dyve duhet të kërkoj Perëndinë tim?” Dhe ishte pyetja që sapo kisha bërë me sytë e trupit tek toka, qielli, aq larg sa mund të shkonte vështrimi im e aq larg sa mund të dërgoja sytë e mi si lajmëtarë. Por njeriu i brendshëm ishte më i miri, sepse tek ai dhanë përgjigje lajmëtarët e shqisave për qiellin dhe tokën dhe për gjithçka sa përmbledh toka dhe qielli, aq sa iu drejtuan dikujt që i qeveris dhe kontrollon dhe i thanë: “Nuk jemi ne Perëndia yt. Perëndia yt është Ai i Cili na krijoi”.
Njeriu i brendshëm i pa këto me ndihmën e njeriut të jashtëm. Unë njeriu i brendshëm, Uni, unë mendja, i mësova këto me anë të shqisave të trupit. Pyeta gjithë mbështjelljen e gjithësisë për Perëndinë dhe m’u përgjigj: “Nuk jam unë Perëndia, edhe unë jam vepër e Perëndisë tënd”.
Por vallë, formën e qënieve, a nuk e shikojnë të gjitha krijesat që disponojnë shqisa të gjalla? Atëherë pse Perëndia nuk flet me të njëjtën mënyrë tek të gjithë? Kafshët, të mëdha dhe të vogla e shohin, por nuk munden ta pyesin, sepse brenda tyre nuk egziston gjykuesi që gjykon mesazhet e shqisave, dmth logjika. Njerëzit munden që ta pyesin në mënyrë që: “cilësitë e Tij të padukshme prej botës së krijuar si edhe forca e përjetshme dhe hyjnia e Tij, të bëhen të dukshme në mendimet e tyre përmes krijesave të Tij”.
Por njerzit skllavërohen prej krijesave nga dashuria për to, edhe skllavërimi nuk i lejon të gjykojnë. Krijesat nuk “përgjigjen” tek të gjithë ata që i pyesin, nëse ata nuk mund të gjykojnë. Zëri i tyre, dmth bukuria e tyre, nuk ndryshon, qëndron pikërisht e njëjta edhe për atë që vetëm i shikon, edhe për atë që edhe i shikon por edhe i pyet njëkohësisht.
Nuk duket ndryshe tek njëri dhe ndryshe tek tjetri, por e njëjta bukuri që shfaqet në sytë e të dyve, e pafjalë, është si për njerin, e po aq tepër shprehëse edhe për tjetrin. Ose më mirë flet tek të gjithë, por nuk e kuptojnë, përveç atyre që dëgjojnë zërin e jashtëm të saj dhe e ndërthurin me të vërtetën brenda tyre. Dhe kjo e vërtetë më thotë: “Perëndia yt nuk është as toka e as qielli. As ndonjë qënie tjetër materiale. Çdokush e shikon se ato përbëhen prej një mase (materiali) që ndahet dhe ndryshon vazhdimisht dhe nuk egzistojë si një plotësi. Ti shpirt të them, je shumë herë më i mirë prej tyre, përderisa i jep frymë jete masës së trupit tim duke e bërë të jetojë. Këtë asnjë lloj trupi nuk ka mundësi ta japë në një trup tjetër. E megjithatë Perëndia yt është diçka më tepër se të gjitha këto, është vetë jeta e jetës tënde”.

Agustini


per autorin: