Çfarë është pagëzimi me Frymën e Shenjtë?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 05.03.2007

“Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë, sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh” (Veprat e Apostujve 1:4-5).

Parathënie
Për çfarë e kishte fjalën Jezusi, kur foli rreth të pagëzuarit me Frymën e Shenjtë? A është ky pagëzim i njëjtë me atë që u profetizua prej profetit Joel (Joelit 2:28 dhe Veprat e Apostujve 2:17)? Gjon Pagëzori e përdori ujin si simbol të pastrimit nga ana e jashtme, pasi një person të ishte penduar dhe të kishte deklaruar besim tek Perëndia. Por ai foli gjithashtu edhe rreth një pagëzimi tjetër, të cilin vetëm Jezusi mund ta kryente: “Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin” (Mateu 3:11). Çfarë nënkupton pikërisht ky lloj pagëzimi?

Pastrim
Pagëzimi simbolizon larje dhe pastrim. Midis pagëzimit me ujë dhe atij me Frymën e Shenjtë egziston një lidhje e ngushtë, e cila nuk mund të anash-kalohet. Pagëzimi me Frymën e Shenjtë duhet të përfshijë pastrim shpirtëror, sepse Gjoni ka thënë: “Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin. Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm” (Mateu 3:11-12).

Ka nga ata, të cilët sugjerojnë se pagëzimi me ujë është i mjaftueshëm për t’u konsideruar i shpëtuar prej Perëndisë. Por një gjykim i tillë e lë mënjanë domosdoshmërinë e fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë nuk mund ta pastrojë shpirtin prej mëkatit: “Edhe sikur të laheshe me sodë dhe të përdorje shumë sapun, paudhësia jote do të linte një njollë të pashlyeshme para meje,” thotë Perëndia, Zoti” (Jeremia 2:22). Si mund të jemi një banesë e përshtatshme për Zotin, nëse natyra jonë nuk është e pastruar dhe nëse ne nuk bëhemi tempulli i Frymës së Tij të Shenjtë? “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?” (1 Korintasve 3:16)… “Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im”. Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm” (2 Korintasve 6:16-18).

Shpirti
Shpirti është ajo pjesë e jona që e kontrollon trupin njerëzor, përsa kohë që jetojmë në këtë tokë. Shpirti është i infektuar prej mëkatit dhe nuk ka asnjë lloj fuqie për ta shëruar vetveten. Kur nuk iu bind urdhërit të Perëndisë, njeriu i parë, Adami bëri që ky korruptim të hynte brenda natyrës sonë. Ai e humbi privilegjin për të patur imazhin e Perëndisë brenda natyrës së tij. Në këtë imazh përfshihej drejtësia dhe shenjtëria: “Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne” (Zanafilla 1:26). Adami mori, si shkëmbim, natyrën e atij që e mashtroi (d.m.th. të djallit). Të gjithë pasardhësit e Adamit, kur lindin, i ngjasojnë atij, në vend që t’i ngjasojnë Perëndisë: “Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth” (Zanafilla 5:3).

Çdo fëmijë që lind në këtë botë ka një natyrë, e cila shumë shpejt priret drejt të keqes: “Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje” (Psalmi 58:3)… “Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat” (Psalmi 51:5). Nuk është për t’u habitur që si Pali, ashtu edhe Jeremia mund të shkruanin: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10)… “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). A është, pra, e pamundur për ta mposhtur natyrën mëkatare që gjendet brenda nesh? “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë” (Luka 18:27).

Sado që të përpiqemi, ne nuk do të mund ta mposhtim mëkatin dhe korruptimin e brendshëm me forcat tona. Edhe forca më e madhe e vullnetit që mund të kemi, barazohet me zero, sepse në këtë botë s’ka asgjë që të mund ta shërojë natyrën e prishur. A nuk jemi ne vetë provë e gjallë e këtij fakti? Fuqia jonë nuk barazohet dot me fuqinë e natyrës së njeriut, e cila është e mbizotëruar mga mëkati. Sa shumë njerëz largohen prej Krishtit pikërisht për këtë arsye! Fuqia e vullnetit tonë nuk është e mjaftueshme, prandaj kemi nevojë për fuqinë e Frymës së Perëndisë, që të na ndihmojë: “Sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:13).

I vetmi ilaç
Me përjashtim të Krishtit, nuk ka asnjë ilaç tjetër për shpirtin që vuan nga mëkati. Na nevojitet pagëzimi, të cilin mund ta japë vetëm Ai. Kjo është “rrethprerja që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit” (Kolosianëve 2:11). Vetëm Jezusi është Mjeku më i madh, i cili mund ta kryejë një operacion të tillë: “Por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia” (Romakëve 2:29).
Pagëzimi me Frymën e Shenjtë nuk ka të bëjë me ujë, por me zjarr, që na pastron. Perëndia ynë është jo vetëm “Dashuri”, por edhe “një zjarr që konsumon” (1 Gjonit 4:8; Hebrenjve 12:29). Dashuria e përsosur e Perëndisë merr flakë me anë të shenjtërisë, dhe në këtë mënyrë, ajo synon që të djegë e të largojë çdo njollë të mëkatit prej natyrës sonë. Vetëm mosbindja është ajo që e pengon këtë vepër hiri në shpirtrat tanë. Perëndia dëshiron që të na kthejë përsëri në imazhin e Tij.

Përfundim
Secili prej nesh ka nevojë të pagëzohet me Frymën e Shenjtë, sepse, po nuk u pagëzuam, nuk kemi pse të shpresojmë se do të përdoremi prej Perëndisë. Nuk mjafton vetëm që ta kuptojmë se kemi nevojë për këtë pagëzim. Përkundrazi, duhet t’ia kërkojmë atë vetë Perëndisë: “Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë” (Luka 11:13)… “Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë” (Veprat e Apostujve 2:39).

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net