Ç’është e vërteta?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 23.12.2007

“Ç’është e vërteta?” (Gjoni 18:38).

Parathënie
Pyetja e Pilatit ishte, në të vërtetë, një përgjigje kritike ndaj deklaratës që Jezusi bëri rreth Vetes: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim” (Gjoni 18:37). Ç’është e vërteta? E vërteta nuk mund të gjendet brenda një teorie, një feje, një vendi, apo një libri filozofik. Ajo mund të gjendet vetëm tek Zoti Jezus Krisht. Vetëm Ai është e vërteta absolute. Ne besojmë se Bibla është e vërteta, sepse Perëndia është Autori Hyjnor i saj.

E vërteta e ka origjinën nga Perëndia
Perëndia është autori i tërë së vërtetës. Pavarësisht se sa të mençur e të zgjuar mund ta kujtojë veten njeriu, prapëseprapë, ai as nuk mund të bëjë, as nuk mund të thotë diçka, që është origjinale. Nëse beson tek Perëndia, atëherë njeriu e kupton se themeli i së vërtetës gjendet tek Perëndia: “Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria (ose e vërteta) e tij vlen për të gjitha brezat” (Psalmi 100:5). Ata, që e mohojnë Perëndinë, iu shkojnë pas gënjeshtrave të Satanait: “Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës” (Gjoni 8:44).
Prandaj, pra, nëse Perëndia tha se homoseksualiteti, idhujtaria, shkelja e kurorës dhe kurvëria ishin mëkate në shekullin e I-rë pas Krishtit, atëherë këto mbeten mëkate edhe sot, në shekullin XXI-të: “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (1 Korintasve 6:9-10). Nuk ka fare rëndësi se ç’thotë njeriu mëkatar. Perëndia nuk i korrigjon (nuk i ndryshon) fjalët e Tij, ashtu siç bëjnë politikanët.

Perëndia nuk mund të gënjejë
“Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë”… “Në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave”… “Është e pamundur që Perëndia të gënjejë” (Numrave 23:19; Titit 1:2; Hebrenjve 6:18). Ka vetëm një të vërtetë, ngaqë ka vetëm një Perëndi: “Për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij” (1 Korintasve 8:6). Natyra dhe vullneti i Tij hyjnor janë të pandryshueshme dhe nuk mund të ndryshohen kurrë: “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj”… “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Malakia 3:6; Jakobi 1:17). E vërteta e Tij është universale: “Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës” (1 Timoteut 2:3-4). Kështu, pra, e vërteta është e njëjtë për të gjithë, kudo që të ndodhen, në çdo vend e në çdo komb, në të gjitha kohërat. Perëndia nuk mund të gënjejë, por njerëzit shpesh, ose gënjejnë: “Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre” (Romakëve 3:13), ose gabojnë lehtë: “Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre, të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre. Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur” (Efesianëve 4:17-19). Prandaj, edhe ne duhet t’i besojmë gjithmonë Perëndisë, jo njerëzve: “Qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar” (Romakëve 3:4). Shpeshherë, njerëzit i mashtron vetë vetja e tyre: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). Prandaj, duhet që gjithmonë t’i besojmë Perëndisë, jo tendencave (prirjeve) personale.

Bibla është fjala e së vërtetës
“Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë” (Psalmi 119:160)… “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). Bibla është Fjala e Perëndisë, ndaj edhe duhet t’i drejtohemi asaj, për të gjetur të vërtetën: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:16-17).

Zoti Jezus Krisht na e shfaq plotësisht të vërtetën
“Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14)… “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Nëse njeriu dëshiron ta dijë plotësinë e së vërtetës hyjnore, atëherë ai duhet t’iu kushtojë vëmendje fjalëve, që foli Ati në lidhje me të Birin: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!” (Mateu 17:5).
Ungjilli (Lajmi i Mirë) është për të gjithë njerëzit, kudo që të ndodhen, deri në fund të botës: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19-20). Fryma e Shenjtë u dërgua për t’iu treguar pasuesve të Krishtit të gjithë të vërtetën: “Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do vijnë. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë. Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t’jua kumtojë” (Gjoni 16:13-15).       
Përfundim
E vërteta mbetet e vërtetë, edhe kur askush nuk di gjë për të. E vërteta është e vërtetë, edhe kur askush nuk e pranon, apo nuk e ndjek. “Ç’është e vërteta?” Jezus Krishti është e vërteta. Vetëm Ai mund ta çlirojë njeriun: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”…Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë” (Gjoni 8:32, 36). 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net