Ç’do të sjellë e ardhmja?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 10.01.2010

“Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme. Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet” (Galatasve 6:7-9).
Parathënie
Të shumtë do të jenë ata, që kanë për të parashikuar ngjarjet e vitit 2010-ë. Disa kanë për të thënë se si moti, ashtu edhe gjendja ekonomike kanë për t’u keqësuar akoma edhe më shumë, apo se do të ketë qoftë edhe një rrezik lufte mbarëbotërore. Të tjerë kanë për të sugjeruar se jeta ka për t’u përmirësuar dhe se e adhmja do të jetë më e mirë për të gjithë njerëzimin. Nuk kemi nevojë që fallxhorë të tillë të na thonë se ç’do të ndodhë gjatë këtij viti të ri, sepse Bibla na e bën të qartë të ardhmen. Nëse njeriu mbjell mëkat e ligësi, atëherë ai ka për të korrur fatkeqësi e katastrofa.
Mbjellja dhe korrja
Gjithçka që bën njeriu, qoftë për mirë, apo për keq, ka pasojat e saj. Një i krishterë, i cili jeton sipas parimeve të fjalës së Perëndisë, ka për të korrur shpërblimet e Perëndisë. Por ai komb, që e hedh poshtë Zotin dhe fjalën e Tij ka për të vuajtur gjykimin, që i takon. “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Psalmi 9:17). Jetojmë në një epokë të rehatshme. Të paktë janë ata njerëz, që shqetësohen për shpirtrat e tyre. Përkundrazi, e zhytin veten gjithnjë e më shumë në mëkate të formave nga më të ndryshmet. Mundohen ta harrojnë faktin se një ditë do të vdesin dhe se atëherë kanë për të qëndruar ballë për ballë me Krijuesin e tyre. “Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (Galatasve 5:19-21). Ka për të ardhur edhe koha e të korrave të mëkatit.
Por njerëzit e Perëndisë janë të vendosur për t’i shkuar pas drejtësisë. “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Galatasve 5:22-23). Nëse mbjellim në Frymë, do të kemi paqe në mes të çfarëdolloj stuhie dhe do të kënaqemi me shpërblimet e përjetshme.
Furtuna
“Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë” (Osea 8:7).
Dikur, Britania e Madhe u përdor fuqimisht prej Perëndisë. Ky komb përhapi Lajmin e Mirë në mbarë botën. Misionarët anglezë udhëtuan deri në skajet më të largëta, për të shpëtuar shpirtrat e njerëzve. Shoqëritë biblike e përkthyen dhe e botuan Biblën në të gjitha gjuhët e njohura të botës. Ky vend u themelua mbi ligjet e drejta të Perëndisë dhe si pasojë, korri bekimet e Tij. Por, sa thellë jemi zhytur tani në mëkat!
Sot, në Angli është pothuajse krim të flasësh për emrin e Krishtit. Bibla, Kryqi dhe festat e krishtera janë ofenduese për shumë njerëz, ndërkohë që emrat e perëndive të rreme ngrihen lart e më lart. Me mijëra bebe vriten çdo vit nëpërmjet aborteve. Homoseksualët mburren për mëkatet e tyre në mes të rrugës. Martesa mes një burri e një gruaje konsiderohet si e dalë jashtë mode, kurse marrëdhëniet bashkëshortore mes dy personave të të njëjtit seks konsiderohen si diçka e mrekullueshme. Popullsia jonë nuk ka njohuri fare rreth Perëndisë, por bën siç i do vetja. (Osea 4:1 dhe Gjyqtarëve 17:6). Janë fajtorë, ngaqë e kanë hedhur poshtë atë, që është e shenjtë dhe e moralshme. “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi! Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes! Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathtëve në përzierjen e pijeve dehëse, që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij! Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit” (Isaia 5:20-24). Jemi bërë më keq sesa Sodomi dhe Gomora dhe do kemi të njëjtin fat - zemërimin e Perëndisë.
                 
Ç’mund të bëjmë ne?
Le ta inkurajojmë veten dhe t’i dalim përkrah emrit të Zotit. Duhet të jetojmë një jetë të drejtë. Dhe, ashtu si apostulli Pal, duhet të tregohemi të guximshëm në besim, pavarësisht nga rrethanat në të cilat ndodhemi. “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16)… “Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë” (2 Timoteut 1:12). E kemi për detyrë, që të lutemi për kombin tonë. “Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kronikasve 7:14)… “Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder” (1 Timoteut 2:1-2).     
Përfundim
Gjithsecili prej nesh ka për të korrur atë që mbjell. Çdo vepër e ligë, jo vetëm që e zmadhon edhe më shumë ndëshkimin e merituar, por e dobëson gjithashtu edhe shëndetin e kombit. Nëse duam që t’i ndryshojmë gjërat, nëse duam që t’ia shohim fundin ndikimit, që ka feja e rreme mbi popullsinë, nëse duam që njerëzit të kthehen tek Perëndia i vërtetë, atëherë na duhet që, si të krishterë që jemi, të jetojmë vetë jetë të drejta e të ndershme, sepse ne vetë jemi përgjegjës për këtë brez.
                    
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  

per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net