Burimi i jetës



nga: kamenica, botuar me: 15.12.2006

Është fryma ripërtëritëse e Zotit Jezu Krisht ajo që e bën shpirtin të gjallë ndaj Tij. Kjo duket qartë edhe në vetë fjalët e Tij: “Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë” (Gjoni 6:63). Atëherë, për herë të parë, “hiri i Zotit tonë Jezu Krisht është me frymën tonë”. Sepse do të vësh re që hiri i Zotit tonë Jezu Krisht nuk është me mendjen tonë mishtore: ajo gjithmonë mbetet e njëjta, një trup mëkati dhe vdekjeje, mish, mish i prishur, në të cilin “nuk banon asgjë e mirë” dhe për këtë nuk ka as hirin e Zotit tonë Jezu Krisht. Hiri i Tij është me frymën tonë, me “njeriun e ri” për të cilin lexojmë se është “krijuar sipas Perëndisë, [d.m.th., sipas imazhit të Perëndisë] në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës”.Kjo quhet “fryma” jonë sepse ka lindur prej Frymës, ashtu siç edhe vetë Zoti ia shpalosi këtë mister solemn Nikodemit: “Çka lindur na mishi është mish; por çka lindur nga Fryma është frymë”. Ky nuk është një dallim shumë i hollë apo i vogël, por një e vërtetë shumë e rëndësishme; pasi nëse nuk e shohim ndryshimin mes dy natyrave, mes frymës dhe mishit, ligjit që vepron tek gjymtyrët dhe ligjit të mendjes, gjithmonë do të mbetemi në robëri, duke kërkuar shenjtëri në mish. Kështu, pra, duke qenë me frymën tonë, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht i fryn herë pas here kësaj fryme, punon e vepron në të dhe mbi të; pasi mes këtyre të dyjave ka, si të them, një bashkim të hirshëm dhe frymëror. Kështu ne nuk mund të jetojmë pa hirin e Zotit Jezu Krisht më shumë nga toka që mund të jetojë pa diellin.

Ai duhet të ndriçojë, ose përndryshe nuk do të kemi dritë; ai duhet të rigjallërojë, përndryshe nuk do të kemi ngrohtësi; ai duhet të plehërojë, përndryshe ne nuk do të kemi fryt. Prandaj, herë pas here, ka një vërshim të dëshirës së pastër të shpirtit tonë drejt Zotit Jezu Krisht, dëshirë e cila kërkon që hiri i Tij të jetë me frymën tonë; që ky hir të vërshojë përgjithmonë në ne, në mënyrë që të na bëjë krijesa të reja, të dëbojë gjithë dyshimin dhe frikën, të dërrmojë krejtësisht gjithë prangat e vargonjtë, të na mbushë me dashuri dhe përulësi, të na konformojë me imazhin e Tij të shumëvuajtur, të krijojë në ne çdo lloj fryti që do të teprojë për lavdinë e Tij, të jetë me ne në jetë e vdekje dhe të na çojë të sigurt në përjetësi. 

 


per autorin: