Birësia e Besimtarëve
Parathënie
Perëndia njihet me titullin “Atë”. Ai, jo vetëm që është Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, por është edhe Ati i të gjithë atyre që besojnë në Birin e Vetëmlindur të Perëndisë. Koncepti i birësisë është shumë i rëndësishëm për atë që e ndjek Krishtin, sepse, n.q.s. nuk jemi bij të Perëndisë, atëherë nuk i përkasim Atij, dhe jemi, në fakt, përjetësisht të humbur.
Koncepti i judenjve lidhur me birësinë
Eksodi 4:22-23 thotë: “Dhe ti do t’i thuash Faraonit: “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im”. Prandaj unë të them: Lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë; por në qoftë se ti nuk e lë të shkojë, ja, unë do të vras birin tënd, të parëlindurin tënd”. Perëndia ishte Ati i kombit të Izraelit, por kjo nuk do të thotë se çdo individ izraelit ishte bir i Perëndisë. Kurdoherë që Bibla e përdor fjalën “bir” në lidhje me Izraelin, ajo përqëndrohet tek tërë kombi, jo tek individi. “Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim” (Hosea 11:1)… “Sepse jam një atë për Izraelin, dhe Efraimi është i parëlinduri im” (Jeremia 31:9).
Marrëdhënia që egziston midis Perëndisë dhe Izraelit mbetet një marrëdhënie kombëtare, d.m.th. sipas mishit; nuk është marrëdhënie shpirtërore apo personale. Judenjtë e konsiderojnë si ofendim dhe sharje ndaj Zotit (apo blasfemi) idenë që thotë se një njeri mund të quhet bir i Perëndisë. Kur Zoti ynë Jezus Krisht e deklaroi këtë gjë për Veten e Tij, ata synuan ta vrisnin: “Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi” (Gjoni 10:33). Kjo është arsyeja pse ka kaq pak judenj që kanë një marrëdhënie personale me Perëndinë.
Koncepti i johebrenjve lidhur me birësinë
Feja që nuk ka Krisht, madje edhe shumë kisha liberale, kanë pikëpamjen se të gjithë njerëzit, pa dallim, janë bij të Perëndisë. Ky koncept bazohet tek tradita pagane dhe jo tek fjala e Perëndisë. Kurdoherë që dikush thotë se të gjithë njerëzit janë fëmijë të Perëndisë, ai flet gënjeshtrat e Satanait, në vend që të flasë dlirësinë e Biblës.
Homeri e quajti Zeusin (ose Jupiterin) “atë të perëndive dhe të njerëzve” (marrë nga Odisea, viti 800 para Krishtit). Apostulli Pal e përmend këtë lloj mësimi tek Veprat e Apostujve 17:28, “Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: “Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij”. Por, vini re se ky lloj birësimi (i mësipërm) vjen si rezultat i lindjes natyrore, dhe jo si rezultat i të rilindurit (ose lindjes shpirtërore). Pali e sqaron se vetëm besimi tek Krishti mund të na bëjë ne bij të Perëndisë: “Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit” (Veprat e Apostujve 17:31).
Ata që nuk e kanë Krishtin, nuk mund ta konceptojnë dot se si Perëndia, Krijuesi i të gjithëve, mundet që ta gjykojë cilindo prej bijve të Tij në ferr. Ashtu si judenjtë, edhe ata mendojnë se janë automatikisht bij të Perëndisë, prandaj edhe e mohojnë arsyen se përse erdhi Krishti në tokë: “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12).
Koncepti i krishterë i birësisë
Dhiata e Re na jep një koncept shpirtëror dhe personal të birësisë. Birësia është vetëm për ata që janë të rilindur, d.m.th. të lindur prej Frymës. Vetëm besimtarët në Krishtin kanë të drejtën dhe privilegjin ta deklarojnë si të tyrin këtë fakt të çmuar: “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë” (1 Gjonit 3:1, shiko gjithashtu Gjoni 1:12 më lart).
Ky birësim nuk është thjesht çështje besimi, por edhe çështje praktike: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14). Po qe se ky birësim nuk evidentohet në jetën e përditshme, atëherë është, më e keqja, hipokrizi, ose të paktën, mashtrim i vetvetes. Duhet të ketë shenjtëri, bindje dhe manifestim të karakterit të Krishtit në jetën tonë, nëse deklarojmë se jemi bij të Perëndisë. Duhet të duam atë që do edhe Ai, dhe të urrejmë atë që urren edhe Ai. “Që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot” (Filipianëve 2:15-16).
Njohuria se jemi bij të Perëndisë duhet të na bëjë të fortë në besim dhe jo të na vërë në pozitë, apo të na bëjë me turp. “Judenjtë” dhe “johebrenjtë” mund të na tallin e të na persekutojnë, por duhet të qëndrojmë krahas asaj që Bibla e deklaron të vërtetë përsa i përket besimtarit.
Përfundim
Ka nga ata që mendojnë se janë Bij të Perëndisë, sepse kanë lindur në një të ashtu-quajtur vend kristian apo në një familje të krishterë. Të tjerë thonë se janë bij të Perëndisë, sepse Perëndia është Krijuesi i të gjithëve. As birësia kombëtare, as ajo fizike nuk kanë ndonjë fuqi shpëtuese. Ajo që ka vlerë për shpirtin tonë, është birësia shpirtërore dhe personale.
Tek Gjoni 3:3 thuhet: “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë”. Teologjia moderne mund ta refuzojë këtë fakt, duke thënë se ka dalë jashtë mode, por, njëkohësisht, ajo refuzon gjithashtu edhe Perëndinë. Është ligësi e madhe t’i quash bijtë e djallit si bij të Perëndisë (Mateu 13:38, Gjoni 8:44, Veprat e Apostujve 13:10, 1 Gjonit 3:10).
Falemnderit Perëndisë që jemi bijtë e Tij, nëpërmjet besimit në Zotin tonë Jezus Krisht: “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:2-3).
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



