Bindja sipas Biblës (Studim me 3 pjesë)



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 02.04.2007

Pjesa 1
 

Parathënie

Gjithçka që besojmë duhet të gjejë mbështetje të plotë tek fjala e shkruar e Perëndisë. Në studimin tonë mbi bindjen, në vend që të mbështetemi tek librat dhe jetët e të tjerëve, do të përcaktojmë se si vepruan autorët e Biblës me këtë temë.

Fillimi dhe mbarimi

Që nga fillimi i Krijimit, vëmë re se bindja u prezantua si një e vërtetë thelbësore. Tek Zanafilla 2:16-17 gjejmë urdhërimin e parë të Perëndisë: njeriu duhet t’i bindej vullnetit të Tij. “Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: “Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri”. Por vini re se sa shpejt dështoi njeriu: “Dhe Perëndia i tha: “Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?” (Zanafilla 3:11). Perëndia dha si urdhërim bindjen, dhe jo besimin, përuljen dhe adhurimin, sepse Adami do t’i përmbushte edhe këto të tjerat, po qe se do t’i bindej Perëndisë. Ajo që ishte e domosdoshme ishte bindja. Fati i përjetshëm i njeriut do të përcaktohej nga të bindurit apo të mosbindurit e tij.

Në faqet e fundit të Biblës egziston një shënim për të treguar se nga ka rënë njeriu dhe se besimtarit mund t’i lejohet të hajë nga Pema e Jetës, vetëm nëpërmjet bindjes: “Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit” (Zbulesa 22:14).

Ligji i pandryshueshëm

Është jashtëzakonisht e qartë se bindja ndaj fjalës së Perëndisë nuk është një e drejtë zgjedhjeje (një variant), por është një urdhërim. Njeriu i parë, edhe pse ishte i përsosur, vuajti pasojat e të mosbindurit. Atij iu ndalua mundësia për të marrë nga Pema e Jetës. Si është e mundur, pra, që besimtarët e sotëm mendojnë se Perëndia nuk iu vë re atyre, kur ata rebelojnë haptas kundër fjalës së Tij? Të dyja Dhiatat bëjnë fjalë rreth faktit se mëshira hyjnore dhe jeta e përjetshme janë të rezervuara vetëm për ata që i besojnë dhe i binden Perëndisë. Perëndia nuk e ka ndryshuar kurrë mendjen lidhur me domosdoshmërinë për t’iu bindur Atij: “Dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden” (Hebrenjve 5:9).

Bindja e Krishtit

Që prej Adamit e deri më sot, njeriu vazhdon ta refuzojë thirrjen e Perëndisë për t’iu bindur, prandaj edhe shpata e Tij flakëruese qëndron akoma aty ku e vendosi Perëndia, në mënyrë që njeriu të mos arrijë të hyjë në jetën e përjetshme: “Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës” (Zanafilla 3:24). Njeriu përpiqet ta sfidojë Perëndinë, sidomos nëpërmjet fesë dhe kryerjes së veprave të mira, duke u munduar të kalojë përtej shpatës flakëruese. Por, në vend që të vishet me përsosmërinë, njeriu është i veshur me rrobat e ndotura të drejtësisë së tij vetjake: “Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era” (Isaia 64:6). E ngaqë u desh vetëm një veprim mosbindjeje që të sillte mëkatin, po ashtu u desh vetëm një veprim bindjeje nga ana e Krishtit, për të na siguruar plotësisht rrugën neve për të shkuar përsëri tek Perëndia: “Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë” (Romakëve 5:19)… “Dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:8)… “Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden” (Hebrenjve 5:8-9).

Shpengimi është i bazuar fuqishëm mbi themelin e bindjes. Mosbindja i solli dhe vazhdon t’i sjellë akoma njerëzimit zëmërimin e Perëndisë, por bindja sjell restaurim (ose kthim në gjendjen e mëparshme). Nuk ka shpëtim po s’pati bindje. Përmes Krishtit, besimtari ka privilegjin e të filluarit përsëri nga e para, për të korrur fitore pikërisht në atë vend ku dështoi Adami: “Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha” (1 Gjonit 3:24).

Përfundim

Bibla na mëson se Perëndia pret që fëmijët e Tij t’iu binden urdhërimeve të Tij. Ai e vë re madje edhe mosbindjen më të vogël. Bindja është për të mirën tonë, jo thjesht një formë adhurimi drejt Perëndisë. Bindja bën që besimtari të ketë pjesën e tij në shpërblimet e lavdishme të shenjtorëve: “Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve” (1 Samuelit 15:22).

Në studimin e ardhshëm, do të shohim më mirë se si e paraqet Dhiata e Vjetër domosdoshmërinë për t’u bindur.
—————————————————-

Pjesa 2

Parathënie
Në këtë studim mbi bindjen, do të gërrmojmë më thellë në atë që thotë Dhiata e Vjetër lidhur me këtë temë. Edhe pasi të kemi lexuar vetëm pak faqe nga fjala e Perëndisë, shumë shpejt do të shohim se bindja zë një vend të rëndësishëm në Bibël. Shumë vetë e lexojnë Biblën vetëm për të gjetur premtime, për ta rritur besimin e tyre apo për të njohur vullnetin e Perëndisë. Por, po qe se bindja nuk vihet re fare, atëherë asnjë nga këto gjëra që përmendëm më lart, nuk ka vlerë për shpirtin.

Noeu dhe bindja
Në ditarin e jetës së Noeut zbulojmë se ai iu bind urdhërimeve të Perëndisë: “Dhe Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar” (Zanafilla 6:22)… “Dhe Noeu bëri pikërisht ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti” (Zanafilla 7:5). Po sikur Noeu të kishte marrë vendim për ta refuzuar vullnetin e Perëndisë? A do ta bënim ne këtë studim sot, po qe se ai do të kishte vepruar kështu? E ardhmja e racës njerëzore dhe e tërë krijesave u var nga përkushtimi dhe bindja e Noeut. “Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit” (Hebrenjve 11:7).

Abrahami dhe bindja
Të gjithë e dimë për besimin e Abrahamit, por a dimë gjë për bindjen e tij? Besimi i tij u vërtetua se ishte i cilësisë më të lartë, sepse ai iu bind Perëndisë: “Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte” (Hebrenjve 11:8). Besimi i patriarkut me të drejtë konsiderohet si model për të gjithë ata që besojnë në Zotin Jezus Krisht, por le të mos harrojmë se pa bindjen ky besim nuk ishte asgjë: “Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke, unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim” (Zanafilla 22:16-18)… “Dhe do t’i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit; do t’u jap atyre tërë këto vende, dhe të gjitha kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhërat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia” (Zanafilla 26:4-5).

Moisiu dhe bindja
Edhe pse në fillim Moisiu nuk pranoi të bënte ashtu siç e urdhëroi Perëndia, shumë shpejt ai veproi sipas porosisë së Tij (shiko Eksodi 3:1 – 4:17). Edhe para se t’i jepte Dhjetë Urdhërimet, Perëndia i foli Moisiut rreth domosdoshmërisë për t’iu bindur Atij në prani të popullit të Tij: “Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja” (Eksodi 19:5). Premtimi i Perëndisë varej nga bindja e Izraelit për të kryer ato që i kishte urdhëruar Perëndia. Si mund të shpresojë një i krishterë se do të marrë shenjtëri, lavdi dhe bekim, po qe se nuk i bindet Perëndisë?

Tabernakulli, gjithashtu, duhej të ndërtohej sipas planeve që i kishte dhënë Perëndia Moisiut, dhe vetëm atëherë “reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin” (Eksodi 40:34). A nuk do të thotë kjo se Perëndia banon vetëm në mes të një populli të bindshëm? Moisiu e paralajmëroi Izraelin për pasojat e mosbindjes, tek Ligji i Përtërirë 11:26-28, “Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë.” Ata hynë me vonesë në Tokën e Premtuar (pas 40 vjetësh), sepse refuzuan t’i bindeshin Perëndisë.

Mbreti Saul dhe bindja
Sauli mbahet mend sidomos për mosbindjen e tij ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Përmes profetit Samuel, Zoti i kishte dhënë mbretit udhëzime të sakta lidhur me sakrifikimin në Gilgal (1 Samuelit 10:8). Por, Sauli kujtoi se dinte me shumë sesa Perëndia, ndaj veproi ashtu siç i deshi qejfi (1 Samuelit 13:8-14). T’i bindesh vetëm 99% të urdhërimeve që të ka dhënë Perëndia, është njësoj sikur të mos i bindesh fare Atij.

Sauli nuk zuri mend nga ky veprim, por, përkundrazi, vazhdoi të mos i bindej Perëndisë edhe më shumë. Atij i ishte mbushur mendja se kishte vepruar ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia (1 Samuelit 15:1-3, 13, 20). Por e vërteta qëndronte kështu: ai kishte kohë që kishte marrë vendimin për ta neglizhuar vullnetin e Perëndisë: “Samueli i tha: “Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret” (1 Samuelit 15:22-23). Vini re: Meqë rebelimi është njësoj si mëkati i shortarisë (apo magjisë), nuk duhet të habitemi kur e shohim se Sauli kreu të njëjtin mëkat, i cili e vulosi njëherë e përgjithmonë të ardhmen e tij (1 Samuelit 28:7-8). Ata që refuzojnë t’i binden Perëndisë, i binden Satanait.

Përfundim
Shumica e njerëzve pranojnë më mirë që të jenë religjozë (të dhënë pas zakoneve fetare), sesa të jenë të bindshëm ndaj Perëndisë. Betimet, sakrifikimet dhe veprat e mira i ofrohen Zotit në shkëmbim të jetës së përjetshme, me shpresën se Ai do t’i zvogëlojë standartet (rregullat) e Tij. Feja gjithmonë ka synuar që ta mbulojë dështimin e njeriut në këtë lloj mënyre, por Perëndia akoma kërkon bindje: “Sepse unë nuk u fola etërve tuaj dhe nuk u dhashë atyre asnjë urdhër, kur bëra që të dalin nga vendi i Egjiptit, përsa u përket olokausteve dhe flijimeve; por këtë urdhër u dhashë: “Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur” (Jeremia 7:22-23). E vetmja sakrificë që është miratuar prej Perëndisë, është vdekja e Jezus Krishtit në Kalvar. Ne jemi thirrur për të qenë të bindshëm ndaj zërit të Shpëtimtarit tonë: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin” (Gjoni 10:27).
———————————————————-
 

Pjesa 3

Parathënie
Tema e bindjes paraqitet kaq qartë në Dhiatën e Re, saqë është për t’u habitur se pse kaq shumë njerëz e konsiderojnë këtë temë të parëndësishme. A nuk çnderohet Perëndia, kur kjo e vërtetë me vlerë jetësore nuk përfillet fare? Është e pamundur të ndodhesh në rradhën e atyre që janë besnikë, po qe se bindja nuk është pjesë e jetës tënde të krishterë.

Mësimi i Jezusit rreth bindjes
Zoti Jezus Krisht erdhi në këtë botë për të paguar sakrificën më të madhe për mëkatin. Gatishmëria që tregoi Ai për të vdekur në kryq, ishte pjesë përbërëse e bindjes së Tij ndaj të Atit: “Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd” (Hebrenjve 10:9)… “Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar” (Gjoni 5:30). Për këtë e kishte fjalën edhe Pali, kur shkroi: “Dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:8).

Mësimet e Jezusit përmbajnë shumë të dhëna lidhur me domosdoshmërinë për t’u bindur. Në fakt, Ai thotë se pasuesit e Tij duhet t’i binden Atij, nëse duan të shkojnë në Qiell: “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 7:21). Është e qartë, pra, se është e pamundur të jesh i krishterë, pa patur bindje ndaj Zotit: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia… Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij”… “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia” (Gjoni 14:15, 21, 23-24). Pak rëndësi ka se sa pak (apo shumë) iu japim llustër këtyre thënieve; një gjë është e qartë se mosbindja është shenjë që tregon se ne nuk e duam Zotin: “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij” (Gjoni 15:10).

Sot, kjo lloj bindjeje nuk predikohet në katedrat e kishave tona, sepse shumicës së njerëzve, kjo bindje iu duket e vështirë për t’u kuptuar. Nuk është për t’u habitur, pra, se në këto kisha mungon fuqia e Perëndisë. Duhet që të ketë një kthim të besimtarëve drejt bindjes me gjithë zemër ndaj Perëndisë.

Mësimi i Apostujve rreth bindjes
Edhe apostujt dhanë mësim rreth domosdoshmërisë për t’u bindur. Në këtë studim, do të shohim se ç’thanë Pjetri, Pali, Jakobi dhe Gjoni rreth kësaj teme.

a) Pjetri. Pjetri e kuptoi se bindja ishte një element i rëndësishëm në jetën e besimtarit, edhe po qe se kjo bindje të çonte në vuajtje dhe vdekje. Ai iu tha me guxim atyre që e kundërshtonin predikimin e tij: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve” (Veprat e Apostujve 5:29). Kjo lloj bindjeje është bindje aktive (vepruese) dhe jo pasive. Pjetri nuk do ta pranonte idenë që thotë se një person i pabindshëm ndaj Perëndisë mund ta ketë Frymën e Shenjtë: “Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij” (Veprat e Apostujve 5:32). Bindja ndodhet në vetë natyrën e fëmijës së Perëndisë: “Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj” (1 Pjetrit 1:14-15). Në fakt, nuk mund të deklarojmë se jemi të shenjtë, po s’qemë të bindur: “Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër” (1 Pjetrit 1:22).

b) Pali. Ç’është besimi pa bindjen? Tek Romakëve 1:5, Pali na e tregon se sa të pandarë nga njëri-tjetri janë besimi dhe bindja: “Me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij”. Në fund të së njëjtës letër, ai shkruan: “Por tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t’i sjellë në dëgjesën e besimit” (Romakëve 16:26). Prandaj, ata që thonë se kanë besim, duhet t’i binden Perëndisë: “Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t’i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër” (Romakëve 15:18). Pali na mëson se bindja (dëgjesa) jonë duhet t’i përngjajë asaj së Krishtit: “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:5-8). Kjo është e vetmja mënyrë, me anë të së cilës me të vërtetë mund t’i sjellim lavdi Perëndisë: “Dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta” (2 Korintasve 5:15).

c) Jakobi. Sot, “Veprimtaria e Besimit” (Faith Movement – një lloj rryme jo-biblike) përplaset shumë herë me librin e Jakobit. Edhe pse Abrahami u justifikua (u quajt i drejtë) me anë të besimit, besimi i tij kishte si pjesë përbërëse edhe bindjen ndaj Perëndisë: “Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos” (Jakobi 2:21-22). Besimi, pa bindjen, është i vdekur: “Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete… Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi… Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakobi 2:17, 24, 26). Shumë vetë e dëgjojnë të vërtetën, e deklarojnë dhe e shpallin atë, por të paktë janë ata që e zbatojnë: “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten… Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet” (Jakobi 1:22, 25).

d) Gjoni. Apostulli Gjon përdor disa prej shprehjeve më të forta që ndodhen në Bibël lidhur me bindjen. Ata që thonë se janë të krishterë, por nuk i binden Perëndisë, janë në fakt hipokritë dhe gënjeshtarë: “Ai që thotë: “Unë e kam njohur atë”, dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të” (1 Gjonit 2:4). Bindja është provë e saktë se Krishti është brenda nesh: “Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë. Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim zemrat tona para atij; sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë. Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë; dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij” (1 Gjonit 3:18-22). Pasuesi i bindshëm i Krishtit kurrë nuk dyshon se Perëndia e do: “Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda” (1 Gjonit 5:2-3).

Përfundim
Nëse bindja zë një vend kaq të rëndësishëm në Bibël, pse ndodh, atëherë, që ajo mospërfillet kaq serbes nga kisha e ditëve të sotme? Në thelb të kësaj mosbindjeje duhet të jetë dashuria për mëkatin, e cila është gjithashtu shkaku i dështimit tonë në lutje dhe në vepra. Sa më shumë që t’i bindemi Perëndisë, aq më shumë do të kënaqemi me praninë e Tij. Bindja duhet të jetë pika e fillimit dhe e mbarimit të jetës sonë të krishterë. Pa bindjen, besimi është i mangët. Të besosh me besim të vërtetë do të thotë t’i dorëzohesh plotësisht vullnetit dhe qëllimeve të Perëndisë.

Nga Pastor Gary J Hall


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net