Bindja Praktike
Parathënie
Bindja nuk është diçka që kultivohet, apo që mësohet gradualisht. Përkundrazi, një njeri që dëshiron ta ndjekë Krishtin, duhet që t’ia dorëzojë plotësisht jetën Atij, që nga fillimi. Duhet të egzistojë një përkushtim pa rezerva - një përkushtim, cili forcohet nga dita në ditë në rrugën tonë me Krishtin. Po t’ia dedikojmë pjesërisht veten tonë Zotit, atëherë shumë shpejt do të gabojmë dhe do të biem në mëkat. E vërteta qëndron këtu: ne duhet t’ia dorëzojmë Atij të gjithë jetën tonë: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). Nuk duhet të ketë masa gjysmake, kur bëhet fjalë për bindjen.
Ta dish (ta kuptosh) vullnetin e Perëndisë
Kurrë nuk do ta dimë vullnetin e përsosur të Perëndisë në jetën tonë dhe për jetën tonë, po qe se nuk ia kemi dorëzuar plotësisht veten Atij. T’ia dorëzosh veten Perëndisë, do të thotë ta lësh gjithçka nën kujdesin e Mjeshtrit dhe të jesh i gatshëm për të marrë udhëzime, që vijnë vetëm prej Tij.
Besimtarët mund ta dinë e mund ta kuptojnë vullnetin e përgjithshëm të Perëndisë, kur e lexojnë dhe e studiojnë Biblën. Çdo pasues i vërtetë i Krishtit duhet të jetë i bindshëm ndaj fjalës së shkruar të Perëndisë, por ka nga ato gjëra specifike, që mund të kuptohen vetëm atëherë, kur jemi të drejtuar prej Frymës së Shenjtë. Është pikërisht kjo zonë e vullnetit të Perëndisë, ku vihet re më tepër mungesa e bindjes në shumicën e të krishterëve. Ta zbatosh ligjin e fjalës së shkruar, nuk është njëlloj sikurse të jesh i udhëhequr prej Frymës së Shenjtë: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14). Mund të jemi të gatshëm për t’iu bindur urdhërimit të Krishtit: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt” (Mateu 28:19), por kemi nevojë për Frymën e Shenjtë që të na tregojë se ku të shkojmë e kur të shkojmë. Ai na jep udhëzime për të kryer mandatin e madh, në përputhje me vullnetin e përsosur të Perëndisë. Pra, e shohim se nuk mjafton vetëm që ta dish vullnetin e Perëndisë, por duhet që të dish gjithashtu se si ta kryesh vullnetin e Tij sa më mirë, që ta kënaqësh Perëndinë. Misionarët e famshëm ungjillizues e kishin kuptuar këtë të vërtetë lidhur me vullnetin e Perëndisë, prandaj, duke iu bindur Atij, shkuan aty, ku më parë nuk kishte shkuar njeri. Në njërin prej predikimeve të tij me titull “T’i bindesh Biblës”, Martin Lloid Xhouns ka thënë: “Bindja e tanishme është kushti që na vë gjithmonë Perëndia, para se të na japë më shumë mençuri për të kuptuar Biblën. Fryma e Shenjtë e të kuptuarit dhe e shenjtërimit iu jepet vetëm atyre dishepujve, që i binden Atij”.
Ta mësosh vullnetin e Perëndisë
“Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17).
Në fillim, duhet t’i bindemi vullnetit të përgjithshëm të Perëndisë, të shfaqur në Bibël, para se të shpresojmë se do ta dimë vullnetin e Tij në situatat personale dhe specifike të jetës sonë. Nëse i bindemi fjalës së Tij, atëherë Zoti do të na vajosë e do të na përgatisë për shërbesën (detyrën) që ka planifikuar për ne. Mungesa e bindjes do ta pengojë rritjen tonë shpirtërore.
Nuk mjafton vetëm që ta mësosh se cili është vullneti i Perëndisë, por duhet që, gjithashtu, ta vësh atë në zbatim. Duhet të bëjmë atë që na ka urdhëruar Perëndia, në kohën kur thotë Ai, sipas mënyrës së Tij dhe sipas vajosjes që na jep Ai. Më poshtë, po rradhitim tre detaje të rëndësishme, që kanë lidhje me të mësuarit e vullnetit të Perëndisë:
Duhet ta pranojmë se vullneti i Perëndisë nuk mund të gjendet thjesht duke vënë në punë intelektin njerëzor. Ka nga ata që mendojnë se kualifikimet arsimore që kanë marrë, iu japin automatikisht atyre të drejtën për ta ditur vullnetin e Perëndisë. Është e rëndësishme që të jesh i përulur, kur vjen puna tek bindja: “Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij” (Psalmi 25:9). Fryma e Shenjtë vepron në mënyrë efikase, përmes atyre që e përulin veten para Perëndisë dhe janë të gatshëm të mësojnë prej Tij.
Duhet të besojmë se Perëndia dëshiron të na mësojë vullnetin e Tij. Në fakt, nëse synojmë që të jetojmë me bindje në shërbim të Tij, atëherë duhet të presim që Ai të na tregojë vullnetin e Tij. Sa pak njerëz e dëgjojnë zërin e Perëndisë në jetën e tyre të përditshme!
Duhet ta kërkojmë me zell vullnetin e Perëndisë. Nëse kemi marrë vendim që të jemi të bindur, atëherë do të duam që ta dimë me saktësi se çfarë kërkon Perëndia prej nesh. A jemi gati të heqim dorë nga mëkati? Përndryshe, kurrë nuk do ta mësojmë vullnetin e Perëndisë për jetën tonë: “Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh. Dhe Zoti, Perëndia yt, do t’i lëshojë tërë këto mallkime mbi armiqtë e tu dhe mbi tërë ata që të urrejnë dhe të kanë persekutuar. Ti përkundrazi do të kthehesh dhe do t’i bindesh zërit të Zotit dhe do të zbatosh në praktikë të gjitha urdhërimet që të porosit sot. Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu” (Ligji i Përtërirë 30:6-9).
T’i bindesh me besnikëri vullnetit të Perëndisë
“Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë” (Luka 16:10). Perëndia nuk do t’iu japë gjëra të mëdha atyre, që refuzojnë t’i binden Atij në rrethanat e përgjithshme të vullnetit të Tij. Nëse nuk i bindemi Biblës, si mund të pretendojmë se jemi të udhëhequr nga Fryma e Perëndisë? Ka nga ata që “duke qenë të pabindur… pengohen në fjalë” (1 Pjetrit 2:8).
Bindja besnike është shenjë e dashurisë së përsosur që banon në zemrat tona: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia…Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij”…Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai” (Gjoni 14:15, 21, 23). Dashuria jonë kundrejt Tij vuloset nëpërmjet bindjes. Perëndia mund të veprojë vetëm kur shikon bindje brenda nesh: “Duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet” (Efesianëve 1:5)… “Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Filipianëve 2:12-13). Çarls Spërxhën ka thënë: “Vini re, pra, miq të dashur, se ç’na duhet, me qëllim që të jemi pjesëtarë të farës së Abrahamit – na duhet besim tek Perëndia dhe bindje ndaj urdhërimeve të Tij”.
Përfundim
Besimtarët e vërtetë jetojnë jetë plot bindje besnike. Nuk duhet të kemi thjesht një fe, që na rehaton ndërgjegjen, por duhet të dëshirojmë që të jemi plotësisht të dorëzuar para Zotit. Nëse kemi marrë vendim se do të jemi të bindur, atëherë vetë Perëndia do të na japë fuqinë, që na nevojitet për të vënë në praktikë vullnetin e Tij të përgjithshëm dhe specifik.
“Besoni dhe jini të bindur, sepse, përveç të besuarit dhe të bindurit, s’ka asnjë mënyrë tjetër, që të bën të lumtur në Jezusin”.
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



