Bindja e Krishtit (Studim me 2 pjesë)
Pjesa 1
Parathënie
Të paktë janë ata besimtarë që dinë ndonjë gjë rreth bindjes së Zotit tonë Jezus Krisht, dhe si rezultat, ata nuk i kushtojnë ndonjë rëndësi të veçantë të qënit besnik ndaj Perëndisë në jetën e përditshme. Në këtë studim, do të synojmë ta kuptojmë se pse kishte kaq shumë vlerë bindja e Krishtit, dhe se ç’kuptim ka ajo për ne sot.
Adami, i Padrejti
Njeriu i parë, Adami, u bë i padrejtë për shkak të mosbindjes. Ai ua transmetoi këtë pozitë të gjithë pasardhësve të tij: “Nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë” (Romakëve 5:19). Kjo mosbindje solli si vdekjen fizike, ashtu edhe vdekjen shpirtërore për të gjithë: “Të gjithë vdesin në Adamin” (1 Korintasve 15:22). Për shkak se jemi “në” Adamin përmes lindjes natyrale, menjëherë u ndodhëm nën fuqinë e mëkatit dhe të vdekjes. Situata në të cilën u ndodh Adami pasi mëkatoi, është e njëjta situatë në të cilën ndodhën të gjithë ata që nuk janë të shpëtuar. Mendojmë si Adami, jetojmë si Adami dhe flasim si Adami – sepse në gjenet dhe në zemrat tona kemi trashëguar farat e rebelimit dhe të mëkatit të Adamit. Kemi zemrën e Adamit – një zemër të korruptuar dhe të shkatërruar nga mëkati. Prandaj, duhet të arrijmë tek ajo pikë, ku e shohim se në ne, d.m.th. në mishin tonë “nuk banon asgjë e mirë” (Romakëve 7:18). Në zemrën e njeriut sundon natyra mëkatare e Adamit, dhe si pasojë, njeriu është i “vdekur në faje dhe në mëkate” (Efesianëve 2:1) dhe nga ana njerëzore, nuk egziston asgjë që të mund ta ndryshojë këtë situatë.
Jezusi, i Drejti
Jezus Krishti, Adami i dytë, erdhi për t’i ofruar njerëzimit një fillim të ri, nëse njerëzit do të besonin në vdekjen e Tij sakrifikuese. Mëkatari që e pranon Krishtin, bëhet një me Të dhe deklarohet i drejtë nga Perëndia. Të shpenguarit janë “në” Krishtin, nëpërmjet aktit të Tij të bindjes: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin” (1 Korintasve 15:22)… “Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë” (1 Korintasve 15:45)… “Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli” (1 Korintasve 15:47). Bindja e Krishtit bëri të mundur që pasardhësit e Adamit të bëhen të drejtë në sytë e Perëndisë: “Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë” (Romakëve 5:19). Drejtësia e vërtetë mund të gjendet vetëm në Jezus Krishtin. Themeli i justifikimit tonë është në gjakun mëkat-shlyes të Shpëtimtarit të drejtë, dhe për këtë arsye, ne mund të bëhemi pjestarë të drejtësisë së Tij: “Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit” (Hebrenjve 3:14).
Ç’do të kish ndodhur, vallë, po qe se Zoti nuk do të ishte treguar i bindshëm ndaj thirrjes për të bërë gjithçka që u dërgua për të bërë? A do të ishte i mjaftueshëm gjaku i Tij për faljen e mëkateve tona? Ne do të ishim akoma në mëkat, po qe se Ai nuk do t’i ishte bindur pikë për pikë vullnetit të Atit të Tij: “Dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:8).
Bindja dhe shpëtimi
Perëndia i kërkoi Adamit që thjesht ai t’i bindej lidhur vetëm me një gjë, por, përmes mosbindjes së tij, ne të gjithë u bëmë bij të mosbindjes, nën kontrollin e Satanait, gati për të merituar zemërimin e Perëndisë: “Në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes” (Efesianëve 2:2)… “Zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes” (Efesianëve 5:6)… “Për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes” (Kolosianëve 3:6). Ky mallkim egzistoi deri në momentin kur Krishti e hoqi atë me anë të gjakut të Tij mbi Kalvar. E ngaqë mosbindja është rrënja e të gjitha mëkateve, ajo duhet prerë.
Kjo rrënjë u hoq nëpërmjet ndreqjes së asaj që kishte bërë Adami. Jezusi e zëvendësoi mosbindjen e Adamit me bindjen e Tij. Ashtu sikurse mosbindja e Adamit solli padrejtësinë universale, ashtu edhe bindja e Krishtit solli drejtësinë universale për të gjithë ata që pendohen dhe shpëtohen: “Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës. Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë” (Romakëve 5:18-19)… “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12).
Përfundim
Vdekja e Krishtit në kryq dhe jeta e re, që vjen si rezultat i saj, duhet të na japin zemër për të jetuar një jetë plot bindje besnike përkundrejt Perëndisë. Kjo është provë e sigurtë se nuk jemi më “bij të mosbindjes”: “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes” (Efesianëve 2:1-2)… “Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur, edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë. Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime. Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë. Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes” (Efesianëve 5:1-6)… “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes” (Kolosianëve 3:5-6).
Nëse dikur jeta jonë sundohej nga mosbindja e Adamit, atëherë tani brenda nesh duhet të sundojë bindja e Krishtit: “A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?” (Romakëve 6:16). Kur e pranojmë me besim drejtësinë e Krishtit, atëherë ndodhemi në rrugën e përuljes së plotë para Perëndisë, një përulje që do të lulëzojë dhe do të begatojë hap pas hapi. Për ç’arsye tjetër na shpëtoi Ai, pra, po qe se s’ishte me qëllimin që të jetojmë si bij të bindshëm?
————————————————————-
Pjesa 2
Parathënie
Me qëllim që njeriu të jetë i çliruar prej natyrës dhe mosbindjes së Adamit, ai ka nevojë që të rilindë, duke pranuar drejtësinë që ia ofron falas Perëndia përmes Krishtit. Drejtësia e Krishtit ishte rezultat i bindjes ndaj vullnetit të përsosur të Atit të Tij.
Sundimi i mëkatit
Mëkati sundon në çdo fëmijë të Adamit të parë, por drejtësia duhet të sundojë në fëmijët e Adamit të dytë. Me qëllim që të ndodhë kjo, ne duhet që t’i nënshtrohemi Zotit: “Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë” (Romakëve 6:12-13).
Besimtari është i çliruar prej mosbindjes, nëpërmjet besimit në punën e përfunduar të Krishtit mbi Kalvar, por drejtësia në jetën e përditshme duhet të ruhet përmes bindjes ndaj Perëndisë. Një fëmijë i vërtetë i Perëndisë nuk është më skllav i mëkatit dhe i mishit: “A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?” (Romakëve 6:16). Gjaku i Krishtit e largon vulën që na ishte vënë si pasardhës të Adamit. Jezusi iu bind deri në vdekje vullnetit të Atit të Tij: “Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im” (Gjoni 10:17-18). A nuk duhet ta pranojmë se Ai e di se edhe pasuesit e Tij mund ta shijojnë dashurinë e Atit vetëm nëpërmjet bindjes? “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij… Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai” (Gjoni 14:21, 23).
Ç’kuptim kishte bindja për Krishtin?
Bindja e Krishtit nuk ishte një akt i vetëm (i kryer vetëm një herë), por, përkundrazi, një përkushtim gjatë gjithë jetës së tij ndaj vullnetit të Atit: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38)… “Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd” (Hebrenjve 10:9). Qëllimi më i lartë i ardhjes së Tij në tokë (dhe këtu përfshihet edhe vdekja në kryq) ishte bindja ndaj Perëndisë. Me anë të Frymës së Shenjtë, Ai i mëson kishës së Tij edhe gëzimin që marrim kur bindemi: “Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë” (Mateu 12:50). Bindja ndaj Perëndisë tregon se kemi tiparet e familjes së Jezusit.
Për Jezusin, bindja ishte gëzim, dhe jo barrë e rëndë: “Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd” (Psalmi 40:8)… “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij” (Gjoni 4:34). Ashtu siç ushqimi dhe lumturia i japin shëndet trupit, ashtu edhe bindja do t’ua freskojë dhe do t’ua forcojë shpirtin atyre që kënaqen me fjalën dhe vullnetin e Perëndisë: “Janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet” (Psalmi 19:10).
Krishti qëndroi në pritje, gati për të bërë vullnetin e Atit të Tij. Jezusi, edhe pse ishte Perëndi i përsosur, u bë njeri i përsosur, dhe si njeri, iu desh që t’i nënshtrohej Perëndisë. Prandaj edhe iu lut dhe i kërkoi Perëndisë që ta drejtonte. Edhe ne duhet të jetojmë çdo ditë sipas vullnetit të Perëndisë. Kordat e veshëve tanë duhet të jenë të akorduara, gati për të dëgjuar zërin e Tij: “Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin… Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time” (Psalmi 40:6, 8). Atëherë dhe vetëm atëherë nuk do të duam asgjë tjetër përveçse udhëheqjes së Tij të përditshme. Por kjo nuk do të ndodhë, po qe se nuk i dorëzohemi plotësisht Perëndisë. Gjithçka tjetër përveç kësaj është mosbindje.
Mosbindja nuk prodhon asgjë tjetër veçse dështim dhe zhgënjim. Po të vazhdojë të mosbindet, besimtari do të humbasë besimin dhe sigurinë tek Perëndia dhe tek fjala e Tij. Mosbindja është një lloj mendjemadhësie, por bindja është përulje e vënë në praktikë: “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:5-8). Ai jetoi një jetë vetëmohuese në shërbim të Perëndisë dhe kurrë nuk kërkoi që ta lartësonte Veten, por gjithmonë jetoi në përputhje me vullnetin e shfaqur të Atit të Tij. Bindja dhe mendjemadhësia nuk mund të bashkë-jetojnë me njëra-tjetrën: “Nënshtrojuni, pra, Perëndisë… Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!” (Jakobi 4:7, 10).
Përfundim
Ashtu si Jezusi, edhe ne duhet të tregojmë bindje pa rezerva ndaj Perëndisë, madje edhe kur kjo bindje na kushton jetën. Bindja është një nga aspektet, ku ne mund të bëhemi një me Krishtitn dhe të konformohemi sipas vullnetit të Tij: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). Bindja e Krishtit është shembulli, sipas të cilit ne duhet të jetojmë, sepse vetëm nëpërmjet bindjes besnike jemi të sigurtë se Perëndia banon në ne dhe ne në Të.
Nga Pastor Gary J Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



