Besimi që rritet gjithnjë e më shumë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 06.12.2008

“Ne e kemi për detyrë ta falenderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron, aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni” (2 Thesalonikasve 1:3-4).

Parathënie
Besimi i të krishterëve thesalonikas ishte vazhdimisht në rritje, pavarësisht nga persekucioni dhe problemet e ndryshme, me të cilat po ballafaqoheshin. E shohim, pra, prej këtij fakti, se kjo kishë përbëhej prej atyre besimtarëve, që nuk pranonin ta kompromentonin besimin e tyre. Shpeshherë, besimi i vërtetë konsiderohet si “i patundur”. Por, në fakt, një besim i tillë shkon gjithmonë në një drejtim, d.m.th. drejt Perëndisë. E, në këtë mënyrë, një besim i tillë bëhet edhe më i fuqishëm.

Lavdëroni Perëndinë
Grupi i misionarëve, i përbërë prej Palit, Timoteut dhe Silës, u kënaq shumë, kur mori vesh se një numër i mirë besimtarësh po qëndronin të fortë e të patundur në besim. Pali përdor shprehjen “e kemi për detyrë”, për të na thënë se atij nuk i mbetej gjë tjetër, veçse ta falenderonte e ta lavdëronte Perëndinë për këta besimtarë të tillë. E sa herë që Pali lutej për kishën e Thesalonikut, ai përdorte të njëjtën shprehje: “Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona” (1 Thesalonikasve 1:2)… “Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve, nuk pushoj së falenderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia” (Efesianëve 1:15-16). Pali nuk po iua bënte qejfin këtyre besimtarëve me fjalë boshe. Përkundrazi, ai po vinte në dukje punën e mirë, që Perëndia po kryente mes tyre. Gëzimi i tij ishte “fort i drejtë”, e me vend, plotësisht i merituar.

Besimi që rritet gjithnjë e më shumë
Besimi i tyre nuk ishte i plogët, por ishte një besim, që rritej e fuqizohej vazhdimisht. Besimi i krishterë nuk është i ngulitur në rregullat e kësaj apo asaj kishe. Përkundrazi, ai është një besim, që rritet, sa herë që drita e fjalës së Perëndisë na e ndriçon mendjen. Një besim i tillë jep fryte të përjetshme: “Duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit” (1 Thesalonikasve 1:3).

Dashuria që tepron
Tek 1 Thesalonikasve 1:3, Pali e quajti këtë lloj dashurie: “mundimin e dashurisë”. Një vepër e tillë dashurie, e kryer për hir të Krishtit, do të bekohet dhe do të shtohet akoma edhe më shumë. Në komentimin që i bën kësaj shprehjeje, Gjon Uesli thotë: “Dashuria që tepron, është ashtu si lumi që vërshon e del nga shtrati i tij e vazhdon akoma të rrjedhë”. Besimtarët thesalonikas kishin gjetur mënyra nga më të ndryshmet, për ta shprehur dashurinë e tyre, si brenda në kishë, ashtu edhe jashtë saj, në shoqërinë që i rrethonte.

Rezultati
Ishte pikërisht një besim e një dashurie e tillë, që i dha shkak Palit të mburrej për këtë kishë, sa herë që predikonte, sidomos në Akaia dhe në Maqedoni. Ai iu tregonte të tjerëve se sa mirë po ecnin këta besimtarë, pavarësisht nga persekucioni që po kalonin. Në këtë mënyrë, ai po i inkurajonte besimtarët e tjerë, që të merrnin shembull prej thesalonikasve. Durimi i tyre vërtetonte faktin se Perëndia ishte i vërtetë dhe se Ai nuk e kishte harruar popullin e Tij. Një durim i tillë iu dha shpresë atyre, që e dëgjonin Palin tek predikonte, apo atyre që lexonin letrat e tij.
Të krishterët e Thesalonikut vuajtën shumë për shkak të besimit të tyre: “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Por, prapëseprapë, ata ishin të sigurtë se asnjë njeri nuk mund t’i ndante dot ata prej Perëndisë, që i donte. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi” (Romakëve 8:35-37). Ata ishin vërtet në kulmin e betejës, por, prapëseprapë, po qëndronin të patundur e fitimtarë. “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatëruar” (2 Korintasve 4:8-9). 
    
Përfundim
Në këtë studim, kemi parë, pra, karakteristikat e një kishe, që është në rritje, e gjallë dhe e bekuar. Pa reklamë nga ana e jashtme, por thjesht e mbushur me besim, dashuri dhe shpresë në Krishtin. Këto janë ato karakteristika, që ta transformojnë jetën dhe ndikojnë për mirë në botën, që na rrethon.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 


per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com