Besimi i Kalebit

Categories: Predikime

Parathënie 
Perëndia, me dorën e Tij të fuqishme, i kishte çliruar izraelitët prej skllavërisë 400-vjeçare. Gjatë gjithë udhëtimit të tyre prej 40 vjetësh nëpër shkretëtirë, Ai iua kishte plotësuar atyre të gjitha nevojat. Tani ata ishin në prag të Tokës së Premtuar.
Frika
Moisiu kishte dhënë urdhër, që 12 vetë të shkonin e ta vëzhgonin tokën e Kananit. “Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit, dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit. Kështu para tij raportuan duke thënë: “Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij. Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut. Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit” (Numrat 13:25-29). Të gjithë këta burra kishin lajme të mira për t’i raportuar asamblesë së Izraelit, lidhur me tokën dhe prodhimet e begatshme të saj. Por dhjetë prej tyre patën frikë prej banorëve, që jetonin në atë vend. Vetëm Jozueu dhe Kalebi kishin besim se marrja e Kananit nuk ishte punë e vështirë. Frika e skllavëron besimtarin. “Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar” (Fjalët e Urta 29:25).
Besimi
“Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: “Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri” (Numrat 13:30). Kalebi iu foli izraelitëve dhe iu tha atyre që të shkonin e ta pushtonin menjëherë tokën e premtuar. Ai kishte besim tek Perëndia, sepse, nëse Ai iua kishte premtuar atyre këtë vend, atëherë nuk kishte pengesë, që t’i ndalonte. Vini re se si ai tha: “le të ngjitemi”, d.m.th. “të gjithë ne”, ngaqë ai besonte se populli i Perëndisë duhej të vepronte si një trup i vetëm, në mënyrë që të përmbushej premtimi. Për Kalebin, s’kishte arsye pse të prisnin më shumë, sepse hezitimi në prag të fitores sjell vetëm humbje. S’është për t’u habitur, pra, se edhe besimtarët e parë të Krishtit ishin të gjithë “në një mendje të vetme, në të njëjtin vend”, para se Fryma e Shenjtë të derdhej mbi ta (Veprat e Apostujve 2:1). Kur një popull beson dhe vepron si një trup i vetëm, ai mund të realizojë vepra të mëdha. “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet! Është si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij. Është si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi” (Psalmi 133). Perëndia do të kryejë vepra të mëdha edhe midis nesh, nëse punojmë të bashkuar së bashku për lavdinë e Tij.
Kalebi e dinte se Izraeli ishte në gjendje ta pushtonte tokën, që ia kishte premtuar Perëndia. Ky besim i tij i palëkundshëm mbështetej tek fakti se Zoti ishte me ta. Ata ishin në gjendje të luftonin me fuqinë e Perëndisë. Edhe ne, si besimtarë që jemi, kemi një fuqi të pafundme, nëse mbështetemi tek Zoti dhe i besojmë Atij. “Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isaia 40:31)… “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).
Ato gjëra, që sollën 12 burrat prej Kananit, vërtetonin se Perëndia i kishte qëndruar besnik fjalës së Tij. “Dhe kam thënë: Nga shtypja e Egjiptit do t’ju çoj në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë” (Eksodi 3:17). Çfarë mund t’i ndalonte ata, prej së shkuarit e së pushtuarit të trashëgimisë, që iua kishte dhënë vetë Perëndia? Burrat dhe gratë besimtare kanë një vizion për t’i realizuar detyrat e tyre, ngaqë kanë besim tek Perëndia, i Cili është besnik.
                    
Përfundim
“Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: “Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne”. Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: “Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë. Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t’u dukeshim atyre” (Numrat 13:31-33).
Gjithmonë do të ketë nga ata njerëz, që nuk duan të angazhohen me punët e Perëndisë, ngaqë kujtojnë se këto punë janë të vështira. Zoti Jezus Krisht na tha, që të shkojmë e t’i marrim të korrat. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19-20). Por, fatkeqësisht, puna qëndron këtu se “e korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak” (Mateu 9:37).
Na duhet besimi, që kishte Kalebi. Të tjerët e përqëndruan vëmendjen e tyre tek gjigandët, kurse ai pa Perëndinë. Për të, gjigandët ishin xhuxha, në krahasim me Perëndinë e Gjithëfuqishëm. Kurrë nuk do ta përfundojmë detyrën, që na ka dhënë Jezusi, po qe se nuk e pranojmë faktin se Ai është me ne dhe na jep fuqi për ta realizuar atë detyrë. “Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet” (Galatasve 6:9).
                     
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 
 
  
magda.maylam
Author: magda.maylam

me teper per autorin Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

Leave a Reply