Bashkësia (Shoqëria) e krishterë



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 23.04.2008

“Prandaj edhe ne e falenderojmë pa pushim Perëndinë, se kur ju keni marrë nga ne fjalën e Perëndisë, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni. Sepse ju, o vëllezër, u bëtë imituesit e kishave të Perëndisë që janë në Jude në Jezu Krishtin, sepse edhe ju keni vuajtur nga ana e bashkëkombasve tuaj të njëjtat gjëra, sikurse edhe ata kanë vuajtur nga Judenjtë” (1 Thesalonikasve 2:13-14).

Parathënie
Pjesëmarrja së bashku me besimtarët e tjerë në takimet, që zhvillohen në kishë, është një faktor shumë i rëndësishëm në pjekurinë dhe rritjen e të krishterit. Në kishë, çdo besimtar mund të gjejë udhëzim, inkurajim dhe ngushëllim. Natyrisht, nuk është gjithmonë e lehtë të shkosh mirë me të gjithë vëllezërit dhe motrat në Krishtin, por, nuk duhet të ketë arsye pse të heqim “dorë nga të mbledhurit bashkë tonin” (Hebrenjve 10:25).

Bashkësia e vërtetë dhe Fjala e Perëndisë
Nëse Krishti, Fjala e Gjallë (shiko Gjoni 1:1), si edhe Bibla, fjala e shkruar, nuk janë në qendër të bashkësisë sonë, atëherë kjo bashkësi është pa themel. Pa Krishtin dhe Biblën, takimet tona nuk janë gjë tjetër veçse takime shoqërore. Ka shumë kisha, që i bazojnë marrëdhëniet e tyre të krishtera në aktivitetet e kësaj bote. Në kisha të tilla vihet re një mungesë respekti ndaj autoritetit të Biblës. Për më tepër, Krishti nuk nderohet si Zot: “Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën; por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat” (1 Gjonit 1:6-7). Pak rëndësi ka sesa të mikpritshëm e miqësorë janë anëtarët e një kishe. Po qe se Krishti nuk nderohet dhe Bibla nuk predikohet në atë kishë, atëherë ajo nuk i ngjan kishës së Dhiatës së Re: “Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje” (Veprat e Apostujve 2:42). Gjon Uesli ka thënë: “Ju, sekte të ndryshme, që deklaroni: “Krishti është këtu” e “Krishti është atje”! Vërtetojeni përpara Perëndisë! Më tregoni se ku jetojnë të krishterët!”

Bibla e besuar me të vërtetë
Ç’është Bibla? Mos është, vallë, “Libri i Mirë”, që lexohet e studiohet vetëm prej disave? Shkrimet e Shenjta nuk janë thjesht një përmbledhje thëniesh të urta, të lidhura brenda një kapaku prej lëkure. Ato duhet të veprojnë në ne, d.m.th. Bibla duhet të na e transformojë vazhdimisht zemrën, shpirtin dhe mendjen. Apostulli Pal shkruan kështu tek Hebrenjve 4:12, “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës”… “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17).
Fjala e Perëndisë sjell si rezultat rritjen shpirtërore të atyre, që e besojnë. Ajo na udhëheq, na korrigjon dhe na fuqizon për t’i shërbyer Zotit: “Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove, dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:14-17). Fjala, kur pranohet në zemër, është si fara e mirë e Mbretërisë, që lulëzon në jetë të përjetshme. Në komentimin që i kanë bërë Biblës, autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun kanë thënë: “Fjala e Perëndisë, e pranuar në zemrën tënde, shfaqet edhe në jetën tënde, duke e treguar energjinë e saj në efektet praktike që ka mbi ty, p.sh. duke bërë që ti të kesh durim këmbëngulës në momente vështirësie”.

Vuajtjet dhe vështirësitë
Ka momente, kur kisha e gjen veten në situata, që nuk i kontrollon dot. Kisha e hershme, p.sh. përjetoi përndjekje prej paganëve dhe Judenjve. Kurse ne, sot, ballafaqohemi me ligjet e mbrapshta të qeverisë, me krishtërimin fallco, si edhe me fetë e rreme. Probleme të tjera dalin gjithashtu, kur dikush, që nuk është i të njëjtit mendim e fryme me ne, përpiqet të shkaktojë përçarje. Ishin Judenjtë ata, që filluan t’i përndiqnin të krishterët thesalonikas, duke përhapur gënjeshtra tek paganët, lidhur me besimtarët, ashtu siç bënë edhe në Berea: “Por, kur Judenjtë e Thesalonikit morën vesh se fjala e Perëndisë ishte shpallur nga Pali edhe në Berea, shkuan edhe atje dhe e turbulluan turmën” (Veprat e Apostujve 17:13).
Nuk jetojmë në një vend përrallor, ku gjithçka është e përsosur. Përkundrazi, takohemi e shoqërohemi në kishë me njerëz të vërtetë, që kanë probleme të vërteta. Kisha e vërtetë (d.m.th. trupi lokal i besimtarëve) duhet t’i japë mbështetje çdo besimtari, kur dalin konflikte, vështirësi e përndjekje: “Që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën. Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç” (1 Korintasve 12:25-27). Nëse kisha përndiqet e persekutohet, kjo do të thotë se ajo po i qëndron besnike Krishtit. Gjon Uesli ka thënë: “Të njëjtat fryte, të njëjtat vuajtje dhe e njëjta përvojë, në çdo vend e në çdo kohë, janë kriter i shkëlqyer i të vërtetës ungjillore”. “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). 

Përfundim  
Një kishë, që e adhuron Krishtin si Zot, që bazohet në autoritetin e fjalës së Perëndisë dhe që i jep mbështetje madje edhe anëtarit më të dobët të saj, mund të përdoret prej Perëndisë për të kryer vepra të mëdha në emër të Tij. 
  
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net