“Alfa” – E vërtetë apo Gënjeshtër?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 28.04.2007

 

Pas së vërtetës së kursit “Alfa” fshihen gabime serioze, që kanë të bëjnë me doktrinën e krishterë. Me fjalë të tjera, shumica e gjërave që mësohen gjatë kursit, janë të pranueshme, por pas së vërtetës qëndron i fshehur helmi i doktrinës së rreme. Është njësoj si një kek, i cili është i gatuar me materialet më të mira, që mund të blihen në dyqan. Ky kek duket i bukur e i mirë nga ana e jashtme, madje edhe shijen e ka të mirë, por brenda tij është fshehur një helm vdekjeprurës – një helm, që vihet re, vetëm po ta kontrollosh kekun me imtësi. Pa më thoni, a do të donit ta hanit këtë lloj keku?
 

Nëse fjalët e kursit “Alfa” përmbajnë helmin e doktrinës së rreme, atëherë a duhet që një besimtar ta tolerojë këtë kurs? Përgjigja është: “Jo, aspak”. “Pak maja e bën të vijë gjithë brumin” (Galatasve 5:9). E ashtu siç nevojitet vetëm pak maja për të bërë bukë, ashtu edhe pak doktrinë e rreme duhet për t’u përhapur e për ta korruptuar të gjithë individin.
 

“Alfa” dhe Kisha Katolike
 

Kursi “Alfa” ka gjetur edhe miratimin e Kishës Katolike. Kisha Katolike e Romës nuk është një Kishë e Krishterë. Ajo thotë se një person është i shpëtuar, atëherë kur ai/ajo i pranon mësimet dhe veprimet e Kishës Katolike. Por Bibla thotë se shpëtimi është me anë të hirit, nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9). Kisha Katolike thotë se ata që e besojnë këtë doktrinë, janë të mallkuar.
 

E megjithatë, në një konferencë “Alfa” të kohëve të fundit, një prift katolik foli kështu lidhur me kursin “Alfa”: “Ky kurs nuk mund të tregojë plotësisht gjithçka rreth doktrinës katolike. Është kurs për fillestarët. Por, në të njëjtën kohë, gjithçka që thuhet në këtë kurs, është në përputhje me doktrinën katolike”.
 

A nuk është për t’u habitur, pra, që kursi “Alfa” nuk është në kundërshtim me ato që thotë Kisha Katolike, se shpëtimi vjen me anë të veprave, e jo nëpërmjet besimit?!
 

“Alfa” dhe Domosdoshmëria e Shpëtimit
 

Qëllimi i shumicës së kishave, që e përdorin kursin “Alfa”, është “për të shpëtuar njerëz”. Ky kurs, siç e thotë edhe vetë themeluesi i tij, Niki Gumbëll, është për ata, që nuk shkojnë në kishë, për ata, që duan të dinë më shumë rreth krishtërimit, si edhe për ata, që janë të rinj në besimin e tyre tek Jezus Krishti. Por, a nuk ju duket e çuditshme, që një kurs, i cili synon t’i prezantojë njerëzit me besimin e krishterë, i kushton shumë pak kohë çështjeve themelore të Ungjillit? Në fakt, nga 15 kapitujt e librit të kursit, vetëm 4 prej tyre kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e shpëtimit. Kjo ndodh ngaqë kursi “Alfa” ka një qëllim të fshehtë. Ai ka për synim që t’iua hapë mendjet dhe zemrat atyre që e ndjekin këtë kurs, ndaj gjërave që nuk kanë kurrfarë baze në të vërtetën.
 

Fryma e Shenjtë në mëkatarin
 

Bibla na thotë se duhet të besojmë tek Jezusi, me qëllim që të shpëtohemi. Duhet të besojmë se Ai është Biri i Perëndisë and i vetmi Shpëtimtar, dhe se Ai vdiq në kryq për ne, duke mbartur mbi supet e Tij mëkatin dhe ndëshkimin tonë. Por, të besosh nuk do të thotë të kesh thjesht njohuri për këto gjëra. Nuk do të thotë që thjesht ta pranosh doktrinën e Krishtit me vullnetin tënd. Përkundrazi, besimi është rezultat i punës së Frymës së Shenjtë në shpirtin dhe zemrën e individit, duke i dhënë atij/asaj jetë të re, e duke e ndryshuar atë me anë të fuqisë së Tij, me qëllim që ai/ajo ta marrë Krishtin ashtu siç i ofrohet në Bibël. “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia” (Gjoni 1:12-13). Është Perëndia Frymë e Shenjtë që i bind njerëzit për mëkatin dhe bën që ata të pendohen dhe të besojnë tek Krishti.
 

Ky lloj mësimi mungon fare tek kursi “Alfa”. Gjatë kursit, të pranishmit, pasi janë informuar për faktet e Ungjillit, recitojnë një lutje, që të thonë se e kanë pranuar Krishtin, e pastaj ata bëhen të krishterë. Por, shpëtimi nuk është thjesht marrja e një vendimi për të jetuar si i krishterë. Jo, shpëtimi është një ndryshim jete, i shkaktuar nga Fryma e Shenjtë në zemrën e mëkatarit. Në dy video-kasetat e para të “Alfës” jepen dëshmitë e dy besimtarëve. Ata flasin rreth marrëdhënies që kanë me Perëndinë dhe rreth lutjes. Mirë, por edhe anëtarët e sinqertë të feve të tjera deklarojnë se kanë një marrëdhënie me Perëndinë dhe se i luten Atij. “Alfa” nuk përmend fare kuptimin e kthimit të vërtetë tek Krishti. Për shembull, nuk thuhet se mëkatari duhet të bindet për mëkatin, pastaj të pendohet dhe të besojë tek Krishti. Nuk përmendet gjithashtu as siguria e shpëtimit për shkak të vdekjes së Krishtit!
 

Pa dyshim, ka raste kur individë të caktuar janë shpëtuar vërtet, duke ndjekur kursin “Alfa”, por shumica thjesht kanë ndryshuar mënyrën e jetesës dhe kanë vendosur të bëhen të krishterë, pa u bindur e pa u penduar vërtet për mëkatet e tyre. Kursi “Alfa” përpiqet të zgjidhë problemin e rënies së numrit të njerëzve, që shkojnë sot në kishë. Ato kisha, që për vite me rradhë, janë munduar t’i mbushin dhomat e tyre me njerëz, por s’kanë patur sukses, tani e shohin “Alfën” si një rrugëzgjidhje të menjëhershme për t’i sjellë njerëzit në kishë. Kështu, shumë njerëz, me ndërgjegjen e tyre marrin vendim për të jetuar si të krishterë, besojnë të gjitha parimet e krishtërimit dhe marrin pjesë në aktivitete të krishtera, por fatkeqësisht, zemra nuk iu është ndryshuar kurrë prej Frymës së Shenjtë. Vetë Gumbëlli (autori i “Alfës”) thotë se sot Kisha e Krishterë ka me miliona anëtarë në mbarë botën. Por thjesht të jesh anëtar i kishës, nuk do të thotë se vërtet i përket Krishtit.
 “Eksperienca” e marrjes së Frymës së Shenjtë – Gjuhët e panjohura
 
 “Alfa” thotë se momenti vendimtar nuk është atëherë, kur një besimtar kthehet tek Krishti, por kur Fryma e Shenjtë vjen tek ai dhe i jep atij dhunti frymore (p.sh. dhunti shërimesh, dhuntinë e profecisë, etj). Por Bibla nuk thotë kështu. Momenti vendimtar sipas Biblës është atëherë, kur Fryma e Shenjtë hyn në shpirtin e mëkatarit, dhe ai, dikur i vdekur në mëkat, tani bëhet i gjallë, dikur në errësirë, tani ka dritën e Krishtit, që i rrezaton nga brenda.
 

 “Alfa” thotë se momenti vendimtar nuk është atëherë, kur një besimtar kthehet tek Krishti, por kur Fryma e Shenjtë vjen tek ai dhe i jep atij dhunti frymore (p.sh. dhunti shërimesh, dhuntinë e profecisë, etj). Por Bibla nuk thotë kështu. Momenti vendimtar sipas Biblës është atëherë, kur Fryma e Shenjtë hyn në shpirtin e mëkatarit, dhe ai, dikur i vdekur në mëkat, tani bëhet i gjallë, dikur në errësirë, tani ka dritën e Krishtit, që i rrezaton nga brenda. Ky lloj mësimi i “Alfës” lidhur me karakterin dhe veprimtarinë e Frymës së Shenjtë është me rrezik të madh për ata që e ndjekin këtë kurs. Disa prej tyre, kur arrijnë në atë pjesë të kursit, që bën fjalë për veprimtarinë e Frymës së Shenjtë, mund të mos dinë asgjë rreth bindjes për mëkatin dhe pendimit. Të tjerët, që nuk e njohin mirë Biblën, thjesht pranojnë të kenë një “eksperiencë” të marrjes së Frymës së Shenjtë. Pikërisht, në këtë moment, Gumbëll lutet që Fryma e Shenjtë të zbresë mbi ta. Por si e dinë të pranishmit se e kanë pranuar vërtet Frymën e Shenjtë? Sipas “Alfës”, një nga shenjat është se ata fillojnë e flasin në gjuhë të panjohura.
 

Por Bibla thotë: “Shumë të dashur, mos i besoni çdo fryme, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë” (1 Gjonit 4:1). Si mund t’i vëmë në provë frymërat? Me anë të Biblës, Fjalës së Perëndisë. Nëse këta profetë nuk flasin në përputhje me Biblën, atëherë ata nuk kanë dritën e Perëndisë (shiko Isaia 8:20). Nëse është vërtet Fryma e Perëndisë që zbret mbi ta, atëherë ajo që përjetojnë, duhet të përputhet me atë që thotë Bibla. Nëse nuk përputhet, atëherë fenomeni, që ndodh (në këtë rast, gjuhët e panjohura) dhe marrja e Frymës duhet të hidhen poshtë. Nëse fenomeni, që ka lidhje me ardhjen e Frymës së Shenjtë, nuk përputhet me standartin e Biblës, atëherë nuk është Fryma e Perëndisë, që zbret mbi ta, por një frymë tjetër.
 

Gumbëlli thotë kështu, lidhur me gjuhët e panjohura dhe të mirat që sjellin: “Gjuhët janë një formë lutjeje”. Për ta vërtetuar këtë, ai citon 1 Korintasve 14:2, “Sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë…”. Por Gumbëlil nuk e vazhdon më tej vargun, që thotë: “…sepse askush nuk e kupton…”. Apostulli Pal na thotë se n.q.s. një njeri flet në një gjuhë të panjohur nga besimtarët e tjerë në kishë, atëherë është vetëm Perëndia Ai, që e di se ç’po thotë ky person. Pali shkruan më tej: “Por ai në frymë flet mistere. Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim” (vargu 3). Pali thotë se vetëm Perëndia e di se ç’po thotë ai që flet në një gjuhë tjetër. Fjalët e tij janë mistere, nuk kanë vlerë për kishën. Ato nuk kanë të bëjnë fare me lutjen.
 

Tek 1 Korintasve 14:14, Gumbëlli thotë se Pali i lidh gjuhët e panjohura me lutjen. Pa ta shohim. “Sepse, në qoftë se unë lutem në një gjuhë tjetër, fryma im lutet, por mendja ime është e pafrytshme”. Për momentin, duket sikur Gumbëlli ka të drejtë. Por le të lexojmë vargun që vjen më pas: “Po atëherë? Do të lutem me frymën, por do ta bëj edhe me mendjen; do të këndoj me frymën, por do të këndoj edhe me mendjen”. Pali thotë se nëse lutesh në një gjuhë tjetër, mendjen e ke bosh, nuk kupton gjë; lutja është e pafrytshme. Nuk duhet të lutemi kështu. As nuk duhet të adhurojmë kështu. Duhet ta vëmë në punë mendjen. Fatkeqësisht, ka nga ata që thonë se duhet ta boshatisim mendjen, kur vijmë tek Zoti. Por Perëndia kurrë nuk iu thotë të krishterëve që ta boshatisin mendjen. Përkundrazi, ata duhet të jenë vigjilentë e të ndërgjegjshëm për atë që bëjnë.
 

Qëllimi biblik i dhuntisë së gjuhëve të panjohura
 

Gumbëlli nuk e përmend fare qëllimin biblik të dhuntisë së Gjuhëve. “Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin” (Veprat e Apostujve 2:4). Apostujt filluan të flasin në gjuhë të tjera aty në vend,  menjëherë. Atyre nuk iu desh kohë që t’i mësonin këto gjuhë, por ishte Fryma e Shenjtë që iua dha. Por “Alfa” i inkurajon të pranishmit që të jenë “këmbëngulës, të mos heqin dorë nga marrja e dhuntisë së gjuhëve, sepse gjuha nuk vjen menjëherë. Duhet kohë që të mësohet e të perfeksionohet”. Por, mos vallë, Fryma e Shenjtë në ditën e Pentikostit jep një dhunti të përsosur, e sot jep një dhunti të papërsosur?
 

Le t’i kthehemi përsëri vargut të mësipërm (Veprat 2:4). Apostujt filluan të flasin në gjuhë të tjera. Pse? A ishte kjo shenja, që tregonte se e kishin marrë premtimin e Atit (d.m.th. Frymën e Shenjtë)? Apo mos vallë, me gjuhë të tjera filluan ta adhuronin e t’i luteshin Perëndisë? Jo. Vargjet 5 dhe 6 na japin përgjigjen e saktë. Në to thuhet se në Jeruzalem banonin Judenj nga të gjitha kombet dhe apostujt iu predikuan atyre në gjuhën e vet. Apostujve, pra, iu dha dhuntia e gjuhëve, me qëllim që të predikonin Ungjillin.
 

Gjuhët e tjera janë dhunti e Perëndisë. Ato jepen “për dobinë e përbashkët” të bashkësisë së besimtarëve dhe nuk janë më të rëndësishme sesa dhuntitë e tjera të Frymës (1 Korintasve 12:7-11). Jo të gjithë të krishterët flasin gjuhë të panjohura, sepse Perëndia nuk iu jep të gjithëve të njëjtat dhunti, por Ai i ka “ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë” (1 Korintasve 12:11).
 

Është e vërtetë se Pali e falenderoi Perëndinë, ngaqë fliste “më shumë në gjuhë” se të gjithë të tjerët (1 Korintasve 14:18). Por ai tha gjithashtu: “Por në asamble parapëlqej të them pesë fjalë me mënçurinë time për mësimin e të tjerëve se dhjetë mijë fjalë në gjuhë tjetër” (1 Korintasve 14:19). Bibla na këshillon se të folurit  në një gjuhë tjetër duhet të pasohet nga interpretimi i asaj gjuhe, në mënyrë që kisha të ndërtohet e të forcohet (1 Korintasve 14:6-9). Gjithashtu të mos harrojmë se “po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon” (1 Korintasve 13:1).
 Fenomene të tjera
 
 Gumbëlli përmend edhe fenomene të tjera, që ndodhin gjatë “fundjavës së ardhjes së Frymës së Shenjtë”, fenomene që janë të lidhura me “Bekimin e Torontos”, një doktrinë tjetër shumë e rrezikshme jo-biblike, si p.sh. marrjen e dhuntisë së shërimit, të fjalëve të diturisë, të vizioneve, ëndrrave dhe të profecive. Mendja e të pranishmëve në kurs është e hapur për të pranuar zbulime, shenja e mrekulli, që nuk kanë fare bazë në Bibël. Atyre iu thuhet se të gjitha këto vijnë nga Perëndia, prandaj edhe duhet të merren si të vërteta. Kështu, pjesëmarrësit e kursit “Alfa” i pranojnë këto gjëra, pa i vërtetuar nëse përputhen apo jo me Biblën.
 

 Gumbëlli përmend edhe fenomene të tjera, që ndodhin gjatë “fundjavës së ardhjes së Frymës së Shenjtë”, fenomene që janë të lidhura me “Bekimin e Torontos”, një doktrinë tjetër shumë e rrezikshme jo-biblike, si p.sh. marrjen e dhuntisë së shërimit, të fjalëve të diturisë, të vizioneve, ëndrrave dhe të profecive. Mendja e të pranishmëve në kurs është e hapur për të pranuar zbulime, shenja e mrekulli, që nuk kanë fare bazë në Bibël. Atyre iu thuhet se të gjitha këto vijnë nga Perëndia, prandaj edhe duhet të merren si të vërteta. Kështu, pjesëmarrësit e kursit “Alfa” i pranojnë këto gjëra, pa i vërtetuar nëse përputhen apo jo me Biblën. Si përfundim
 

Kursi “Alfa” bazohet shumë në përjetimin e fenomeneve të ndryshme, që në praktikë, e kanë themelin në fetë e rreme. Pjesëmarrësit në “Alfa” e thërrasin frymën të zbresë mbi ta dhe më pas pushtohen prej frymës. Por nëse kjo frymë nuk është Fryma e Perëndisë, atëherë ata i kanë lejuar mendjet e tyre t’iu ndikohen prej frymërave të tjera, frymëra djallëzore. Kështu pra, “Alfa” kryen paudhësi në emër të Krishtit dhe praktikon e mëson ligësi në emër të Tij. “Alfa” i përgatit njerëzit për t’i pranuar këto gabime e për t’i toleruar ato si të vërteta.  
 

Redaktuar nga: Pastor Gary J Hall

 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net