Agonia e Shpëtimtarit dhe Indiferenca e Shërbëtorëve të Tij



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 17.11.2007

Parathënie
Ka patur shumë komentatorë të famshëm të Biblës, të cilët, edhe pse e kanë shpjeguar me hollësi atë që ndodhi në Kopshtin e Gjetsemanisë, prapëseprapë e kanë pranuar se këto ngjarje janë shumë të thella e nuk mund të shpjegohen plotësisht. Në këtë studim, do të përqëndrohemi vetëm tek të vërtetat themelore të pasazhit në vazhdim.

Trishtimi
“Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: “Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur”. Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi” (Marku 14:32-33).
Këtu e shohim se si Zoti Jezus Krisht ishte shpirtërisht i trishtuar, ngaqë do të mbante mbi supet e Tij peshën e mëkatit të të gjithë botës. Nuk e harrojmë Gjon Pagëzorin, që, duke folur për Jezusin, tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Pa dyshim, Ai nuk kishte frikë prej vuajtjes apo dhembjes fizike. E dinte se i Ati do ta braktiste, në momentin kur mëkati i njerëzimit t’i vihej mbi supe. Ndëshkimi më i madh për mëkatin është ndarja prej Perëndisë: “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më” (Isaia 59:2). Pa dyshim, pra, ashtu siç na tregon edhe Luka, Jezusi, “duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë” (Luka 22:44).
Nuk ka fjalë, që të mund ta përshkruajnë plotësisht atë që ndjeu Zoti, kur mëkatet dhe paudhësitë e njerëzimit iu vunë mbi supe. Bibla na thotë se Ai “u bë mallkim për ne” (Galatasve 3:13) dhe se Ai “mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona” (Isaia 53:4) dhe se Ati Perëndi “bëri të jetë mëkat për ne Ai që nuk njihte mëkat” (2 Korintasve 5:21). Natyra e Tij e shenjtë ndjeu tërë forcën e barrës së neveritshme, që i ishte vendosur mbi supe: “Dhe Zoti bëri që të bjerë mbi Të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:6).
Nganjëherë, ne të krishterët e jetojmë jetën në mënyrë të shkujdesur. Kjo vërteton se nuk e kuptojmë plotësisht as neverinë e mëkatit, as çmimin që pagoi Shpëtimtari për të na shpenguar prej pasojave të mëkatit. Po qe se nuk e marrim mëkatin seriozisht, atëherë kurrë nuk kemi për ta kuptuar sakrificën e Shpëtimarit. Po qe se, ashtu si budallenjtë, edhe ne qeshim “me mëkatin” (Fjalët e Urta), atëherë do të përfundojmë duke u tallur edhe me arsyen e sakrificës mbi kryq.

Lutja  
“Dhe u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar”. Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë” (Marku 14:34-35).
Jezusi u lut në momente vuajtjeje dhe mundimi. Tek lutja Ai gjeti ilaçin kundër pikëllimit dhe trishtimit të shpirtit. Edhe pse “kupa” e vuajtjes nuk iu largua, prapëseprapë Atij iu dha forcë prej Qiellit për ta përballuar vuajtjen: “Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë” (Luka 22:43).
Edhe ne kemi ç’të mësojmë prej këtyre vargjeve. Kujt i drejtohemi, kur ndeshemi me vështirësi e probleme? A mund të themi me Davidin: “Kur të kem frikë, do të mbështetem te Ti” (Psalmi 56:3)? Mund të mos na lehtësohet menjëherë vuajtja, por kjo gjë nuk duhet të na pengojë për të ardhur tek Perëndia e për t’ia zbrazur zemrën Atij: “A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet” (Jakobi 5:13).

Nënshtrimi
“Dhe tha: “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!” (Marku 14:36).  
Perëndia mund të bëjë gjithçka. Por Ai kurrë nuk e shkel vullnetin e Tij. Edhe vetë Birit të Perëndisë iu desh t’i përulej vullnetit të Atit të Tij. Këtu e shohim se sa i përkryer është Shpëtimtari ynë: “Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden” (Hebrenjve 5:8-9). Mënyra se si u soll Zoti në Kopshtin e Gjethsemanisë është një shembull i përsosur besnikërie dhe përuljeje. Po ne, a jemi gati për të vuajtur për hir të Krishtit, apo për ta braktisur Atë? Ata që kanë mendjen e Krishtit (shiko Filipianëve 2:5), do ta durojnë gjithçka që iu lejon vullneti sovran i Perëndisë.

Ata që fjetën
“Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme? Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët”. U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë. Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t’i përgjigjeshin. Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: “Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!” (Marku 14:37-42).
Pjetri, Jakobi dhe Gjoni fjetën, pikërisht atëherë kur duhej të rrinin zgjuar e të luteshin. Shumë besimtarë sot veprojnë njëlloj si këta dishepuj. Para se ta mohojnë Zotin, ata tregohen indiferentë e të shkujdesur si ndaj vuajtjeve të Tij, ashtu edhe ndaj vetë shpirtit të tyre. Djalli ka qejf t’i shohë shenjtorët tek flenë në kishë, apo gjatë kohës së lutjes.
Duhet të mos e harrojmë se armiku ynë më i madh nuk është djalli, por është vetë mishi ynë: “Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi” (Galatasve 5:17). Nuk duhet të harrojmë që të rrimë zgjuar e të lutemi, sepse nuk i dimë mirë dobësitë tona. Ata që rrinë zgjuar e luten, nuk bien në mëkat në momentin e tundimit apo të vuajtjes.
 
Përfundim
A jemi gati ta durojmë gjithçka për hir të Krishtit? “Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit” (2 Timoteut 2:3). A jemi gati që të rrimë zgjuar e të lutemi, e jo që të jetojmë jetë të shkujdesura? Vetëm atëherë mund të fillojmë ta ndjekim shembullin e Jezusit: “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së Tij” (1 Pjetrit 2:21).


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net