Adulami



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 27.02.2010

“Pastaj Davidi u nis që andej dhe u strehua në shpellën e Adulamit; kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan, zbritën aty poshtë tek ai. Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe ose që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta. Që andej Davidi shkoi në Mitspah të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit: “Lejo që ati dhe nëna ime të vijnë dhe të banojnë me ju, deri sa unë të mësoj se çfarë do të bëjë Perëndia për mua”. Kështu ai i çoi para mbretit të Moabit, dhe ata qëndruan me të tërë kohën që Davidi ndodhej në fortesë. Pastaj profeti Gad i tha Davidit: “Mos qëndro më në fortesë, por nisu dhe shko në vendin e Judës”. Atëherë Davidi u nis dhe shkoi në pyllin e Herethit.” (1 Samuelit 22:1-5).
Parathënie
Jeta po bëhej gjithnjë e më e vështirë për Davidin. Edhe familja e tij në Bethlehem gjendej në një situatë të vështirë, ngaqë nga dita në ditë, Sauli mund të hakmerrej kundra tyre, për shkak të Davidit. Disa komentatorë të Biblës na sugjerojnë se Davidi u ballafaqua me gjendjen e tij shpirtërore, sapo u largua prej Gathit. Autori B. Deill thotë se “largimi i Davidit prej Gathit dhe vajtja e tij në shpellën e Adulamit shërbejnë si pikë reference në karierën e tij”. Që prej këtij momenti, Davidi fillon e merr vendime më të mençura dhe është gati ta dëgjojë fjalën e Perëndisë.
Shpella
Davidi gjeti si vend strehimi një shpellë afër Adulamit, e cila ndodhej rreth 15 km larg Bethlehemit. Adulami kishte një numër shpellash të tilla, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, duke formuar, sipas autorit Din Stanli, “një pallat mbretëror nëntokësor”. Kështu që Davidi s’e kishte fare problem të strehonte 400 vetë në një shpellë të tillë. Nga pamja e jashtme, një shpellë nuk na duket aspak si një bekim prej Zotit, por, për Davidin, një vend i tillë ishte shumë më i mirë sesa gjithçka tjetër, që kishte përjetuar ai kohët e fundit.
Davidi shkroi dy psalme, për të përkujtuar kohën e qëndrimit të tij në shpellën e Adulamit. Këto psalme (57 dhe 142) na përshkruajnë sadopak ringjalljen e besimit të tij.
Kreu
Davidi u bë drejtuesi i këtij grupi refugjatësh, në të cilin përfshihej edhe familja e tij - të gjithë të pakënaqur me Saulin. Tek 1 Kronikasve 12:16-18 na përshkruhet se si Davidi i mirëpriti të gjithë. “Edhe disa nga bijtë e Beniaminit e të Judës shkuan te Davidi në kala. Davidi u doli përpara dhe, duke marrë fjalën, tha: “Në rast se keni ardhur tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me juve, por në se keni ardhur për të më tradhëtuar dhe për të më dorëzuar në duart e kundërshtarëve të mi, megjithëse unë nuk kam përdorur fare dhunën, Perëndia i etërve tanë le të shohë dhe le të dënojë”. Atëherë Fryma e përshkoi Amasain, të parin e të tridhjetëve, që thirri: “Ne jemi me ty, David; jemi me ty, o biri i Isait! Paqe, paqe ty dhe paqe atij që të ndihmon, sepse Perëndia yt të ndihmon”. Atëherë Davidi i priti dhe i bëri komandantë të trupave”. Davidi pra, ishte gati t’i pranonte të gjithë ata, që ishin të pakënaqur, apo ata që ishin të zhytur në borxhe, etj. Siç do ta shohim edhe në studimet e ardhshme, njerëz të tillë u treguan vërtet besnikë ndaj Davidit, për shkak të mirësisë, që ai tregoi ndaj tyre.
Davidi do të ishte ndjerë vërtet i lumtur, ngaqë e kishte pranë vetes familjen e tij. Nuk ishte ai, që i thirri të vinin, por ata ndoshta e kuptuan vetë se ai kishte nevojë për ta. Tani ata kishin mundësi ta inkurajonin e ta mbështetnin. Si kreu i grupit që ishte, Davidi tani ishte përgjegjës për të gjithë ata, që i kishin ardhur pranë, ndaj edhe nuk mund të merrte më vendime të pamatura dhe nuk mund ta vinte dot jetën e tyre në rrezik. 
Kujdesi
Davidi e pa se shpella nuk ishte një vend i përshtatshëm për babanë e tij të vjetër, Isain, ndaj edhe e çoi tërë grupin e tij në Moab. Autori Çarls Çapman ka shkruar kështu: “Edhe në mes të shqetësime të mëdha të jetës së tij, Davidi prapëseprapë tregoi kujdes të madh për mirëqënien e prindërve të vet”. Ai kishte besim se mbreti i Moabit do t’i mbronte prej Saulit, ngaqë Ruthi, gjyshja e Isait kishte qenë vetë prej Moabit. “Kështu Sauli e forcoi mbretërinë e Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve që ndodheshin rreth e qark: Moabit, bijve të Amonit, Edomit, mbretërve të Tsobahut dhe Filistejve; ai korrte fitore nga çdo anë që të kthehej” (1 Samuelit 14:47). Mbreti Saul ishte armiku i Davidit dhe i moabitëve, por kjo nuk do të thoshte se Davidi dhe moabitët do të bëheshin aq shpejt miq me njëri-tjetrin. Sidoqoftë, për momentin, Davidit iu duk e arsyeshme të vepronte në këtë mënyrë, sepse të paktën e dinte se familjen e kishte në duar të sigurta, ndërkohë që vetë po mundohej ta kuptonte më mirë vullnetin e Perëndisë për jetën e tij.
Këshilla
Në Mitspanë e Moabit ndodhej një fortesë, nga e cila e merr emrin edhe vetë vendi ‘Mitspah’. Ky ishte, pra, një vend i përshtatshëm, për t’u ruajtur prej sulmeve të armikut. Por Davidit nuk iu desh të priste gjatë për këshillën e Perëndisë. Profeti Gad i tha që të kthehej përsëri në vendin e Judës dhe të priste në pyllin e Herethit. Ka të ngjarë që familja e tij qëndroi në Moab. “Kështu pra, Perëndia po ia vinte Davidit në praktikë besimin, mençurinë dhe kurajon, duke e përgatitur kështu atë për mbretërinë e tij të ardhshme” (Gjon Uesli). E shohim pra, se si Davidi iu bind përsëri Perëndisë. U kthye tanimë në rrugë të mbarë.
                  
Përfundim  
Mbretëria e Davidit filloi të themelohej, jo në një pallat mbretëror, por në një shpellë. Ata që i shkonin nga pas, nuk ishin luftëtarë, por borxhlinj. Pikërisht, mbi një themel të tillë do ta ngrinte një ditë edhe Jezusi kishën e Tij. “Biri i Davidit është gati t’i pranojë të gjithë ata shpirtra të dëshpëruar, të cilët do ta bëjnë Atë kreun e tyre dhe do t’i binden urdhrave të Tij” (Mateo Henri). “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij. Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim, që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 Korintasve 1:26-31).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip:
http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net

Lidhje te tjera..

 

  • #
  • #
  • #
  • No related posts