Abrahami - Thyerësi i rekordit
Parathënie
Çdo atlet dëshiron të thyejë rekordin botëror në fushën e tij të sportit. Disa njerëz bëjnë gjëra shumë të marra, në mënyrë që t’u shkruhet emri në Librin e Rekordeve Gines. Nuk ka ditë që kalon, pa dëgjuar për një individ apo grup që ka arritur një nivel të ri suksesi. Por, ka një fushë, e cila kurrë nuk do të klasifikohet në librin e rekordeve, sepse s’ka asnjë që të jetë aq i fuqishëm, apo aq i lartë, saqë të hyjë në parajsë me forcat e veta. Shumica e njerëzve mendojnë se do të pranohen në parajsë, ngaqë janë të mirë dhe të ndershëm, apo ngaqë e konsiderojnë fenë e tyre si çelës të artë, që hap parajsën. Perëndia thotë se e gjithë bota është fajtore në sytë e Tij: “Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t’i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit” (Romakëve 3:19-20). E vetmja mënyrë shpëtimi është përmes besimit në gjakun e Zotit tonë Jezu Krisht.
Abrahami dhe fakti i madh
“Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit? Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t’u lëvduar. Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? “Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi”. Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh; ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi. Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë: “Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar. Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t’ia numërojë mëkatin” (Romakëve 4:1-8).
Shpëtimi është nëpërmjet hirit dhe vetëm përmes besimit, pavarësisht se ç’thotë feja. Asnjë vepër e mirë apo e drejtë nuk ka vlerë në këtë drejtim. Të vetmit njerëz që shkojnë në parajsë, janë ata që besojnë në Jezusin dhe në vlerën e drejtësisë së Tij. Abrahami është figura më e rëndësishme në historinë e kombit Izraelit. Ai ishte “miku i Perëndisë” (Jakobi 2:23), dhe ati i kombit hebre. Mbi ç’bazë e pranoi atë Perëndia? A u pranua ai për shkak se ishte i drejtë dhe i përsosur? Jo, përkundrazi, ai ishte një mëkatar i humbur, ashtu si çdo qënie tjetër njerëzore. Ai pati mundësi të kishte një marrëdhënie aq të ngushtë me Perëndinë, thjesht sepse besoi, dhe besimi i tij iu numërua për drejtësi. “Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë” (Jakobi 2:23).
Justifikimi nëpërmjet besimit nuk është shpikje e shkrimtarëve të Dhiatës së Re, por shihet qartë edhe në Dhiatën e Vjetër. Kjo vërteton se Perëndia nuk e pranon njeriun me anë të ndonjë mënyre tjetër. Nëse njeriu nuk vjen vetëm përmes besimit tek Perëndia, atëherë ai është përjetësisht i humbur. “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Romakëve 10:13). Abrahami ishte i pari, që e vërtetoi këtë fakt.
Abrahami, ati i madh
“Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi. Në ç’mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t’u numërohet drejtësia, dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë. Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit. Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet, sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje. Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili (siç është shkruar: “Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve”), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin. Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t’u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: “Kështu do të jetë pasardhja jote” (Romakëve 4:9-18).
Perëndia është Ati ynë hyjnor, por Bibla na thotë se Abrahami është ati i besimit të krishterë. Ai u bë ati i kombit të Izraelit, nëpërmjet bindjes ndaj ritit të rrethprerjes (shiko Zanafilla 17), por faktikisht, ai mori drejtësinë e Perëndisë rreth 15 vjet para kësaj ngjarjeje: “Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë” (Zanafilla 15:6). Abrahami besoi se Perëndia do ta mbante fjalën (premtimin), pavarësisht nga situata rreth tij. Nga ana njerëzore, s’kishte asnjë mënyrë që ai dhe Sara të kishin fëmijë në moshën e tyre të madhe. Premtimi u përmbush në Isakun. Për shkak të besimit të tij, ne e konsiderojmë Abrahamin si model për jetën tonë shpirtërore. “Pasardhësit” e Abrahamit duhet të kenë të njëjtin besim si ai, d.m.th. të shohin përtej gjërave natyrore, dhe drejt fuqisë së Perëndisë, që kryen mrekulli. Ne mund të mos jemi pasardhësit fizikë të Abrahamit, por s’ka dyshim që ai është ati i të gjithë atyre që besojnë.
Abrahami dhe besimi i madh
“Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës. Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë, plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte. Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi. E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar, por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë” (Romakëve 4:19-25).
Ky pasazh na ofron si një shembull, ashtu edhe një përkufizim të besimit të vërtetë. Besimi i Abrahamit shfaqet në faktin se ai besoi dhe pa përtej limiteve dhe pamundësive, që dukeshin në situatën e tij personale. Përkufizimi gjendet tek vargu 21, ku lexojmë se Abrahami ishte “i bindur” se Perëndia do të bënte atë që kishte premtuar. Ai nuk ishte “i bindur”, ngaqë e pranoi fjalën e Perëndisë me detyrim (me forcë). Përkundrazi, ai kishte marrë vendimin që ta pranonte atë si të vërtetë absolute. Ishte i bindur se Perëndia do të bënte diçka të madhe dhe se asgjë nuk do t’ia largonte atij këtë besim. Ky është pikërisht besimi, për të cilin kemi ne nevojë sot. Edhe pse ringjallja e Krishtit duket si e pamundur për intelektin njerëzor, besimi na thotë se kjo është e vërtetë. Feja na mëson se mund të vijmë tek Perëndia nëpërmjet çdo lloj rruge, por besimi na bind se fjala e Perëndisë është e vërteta dhe se ka vetëm një rrugë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Ne besojmë se e kemi pranuar shpëtimin e premtuar dhe drejtësinë nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus. Ky besim i madh bazohet në faktin se Zoti i kryqëzuar, i ringjallur dhe i lartësuar në qiell pagoi çmimin e plotë për shpengimin tonë, dhe se “në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).
Përfundim
Sot, ne mund të gëzohemi në shpëtimin e mrekullueshëm që na është dhënë, në bazë të besimit në veprën e vlefshme të Shpëtimtarit tonë të mrekullueshëm mbi kryq. Duhet ta shpallim se forcat tona, feja dhe ndershmëria jonë nuk ia zënë dot vendin besimit të thjeshtë tek Krishti… “duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit” (Galatasve 2:16).
Nga Pastor Gary J. Hall
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



