A jeni ulur siç duhet?

Categories: Predikime

“Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë. Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba. Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur. Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: “Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të”. Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis. Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak.” (Veprat e Apostujve 20:7-12).
 
Parathënie
Në këtë pasazh lexojmë historinë e një djaloshi, të ulur në parvazin e dritares, ndërkohë që dëgjonte apostull Pal tek predikonte. Atë, ashtu si edhe shumë njerëz të tjerë, që shkojnë përjavë në kishë, e zuri gjumi, mbylli sytë dhe u rrëzua përtokë.
 
Rreziku
Atë natë, Eutiku vendosi të ulej në një vend të rrezikshëm dhe ky vendim i kushtoi jetën. Të ulurit në një vend të rrezikshëm shpesh na shkakton pasoja të rënda, ndaj edhe duhet ta zgjedhim me kujdes vendin ku ulemi. “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit” (Psalmi 1:1). Vendimi që marrim për t’u ulur apo për të qëndruar në këmbë pranë dikujt tjetri, mund të ketë një ndikim të madh në jetën tonë. Vallë, a e paralajmëroi njeri Eutikun se sa me rrezik ishte të ulurit në parvazin e dritares? Ndoshta ai kujtoi se nuk do ta zinte gjumi e se nuk do t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi. Thjesht me llogjikë duhet ta kishte kuptuar vetë se ishte një gjë e rrezikshme të uleshe kaq lart mbi parvazin e një dritareje.
Ka nga ata të krishterë, që luajnë lojra me mëkatin. Në fakt, ata e tundojnë Perëndinë dhe vënë në rrezik shpirtin e tyre. Sa më shumë që t’i afrohemi mëkatit, aq më e madhe do të jetë mundësia se do të largohemi plotësisht prej Zotit. Të shumtë janë ata besimtarë, qëllimi i vetëm i të cilëve duket sikur është që ta provojnë sesa shumë mund të mëkatojnë, para se ta zemërojnë Perëndinë. Njerëz të tillë i ngjajnë Eutikut, i cili e kishte mendjen diku tjetër, ndërkohë që dëgjonte predikimin e mrekullueshëm të Palit. Për një moment, ai ishte i ulur rehatshëm me besimtarët e tjerë. Por s’kaloi shumë kohë dhe shijoi vdekjen.
 
Gjumi
Cilado që të ketë qenë arsyeja e fjetjes së Eutikut, një gjë është e sigurtë: ai nuk po e përqëndronte vëmendjen aq sa duhej tek predikimi i fjalës së Perëndisë. Herë pas here, çdo pastor i sheh anëtarët e kishës së vet tek bien në gjumë gjatë predikimit të tij. Të shumtë janë ata, të cilët mund të mos flenë fizikisht, por janë shpirtërisht të fjetur. Kjo është një gjendje akoma edhe më e keqe. Më mirë të zgjohen tani, sesa të vdesin përgjithmonë! “Prandaj Shkrimi thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty” (Efesianëve 5:14)… “Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni” (1 Korintasve 15:34).
Ka raste, kur edhe vetë pastorin e ka zënë gjumi! “Rojtarët e tyre janë të verbër, janë të gjithë të paditur, janë të gjithë qen memecë, të paaftë të lehin; shohin ëndrra, rrinë shtrirë, u pëlqen të dremitin. Janë qen llupës, që nuk ngopen kurrë, janë barinj që nuk kuptojnë asgjë; ndjekin të gjithë rrugën e tyre, secili shikon interesin e vet, për llogari të vet. “Ejani,” thonë, “do të marr verë dhe do të dehemi me pije dehëse; nesër do të jetë si sot, madje shumë më mirë” (Isaia 5:10-12). Mungesa e besimit dhe ftohtësia e zemrës të çon në humbjen e shumë prej bekimeve të Perëndisë. “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes; që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë. Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!” (Marku 13:35-37).
 
Rënia
Pse ra Eutiku nga dritarja, në vend që të binte brenda në dhomë? Ra jashtë, ngaqë ishte mbështetur keq. Ata që mbështeten “në gjykimin” e tyre, zakonisht nuk i besojnë Zotit “me gjithë zemër” dhe nuk janë gati ta pranojnë Atë “në të gjitha rrugët” e tyre (shiko Fjalët e Urta 3:5).
Gjithashtu, mund t’i bëjmë pyetje vetes se kë po shikonte Eutiku, ndërsa rrinte ulur tek parvazi i dritares? Mos, vallë, po shikonte njerëzit në rrugë, apo yjet në qiell? Mos e kishte mendjen diku tjetër, në vend që ta kishte tek ato që po thoshte Pali? Ka nga ata besimtarë, të cilët rrinë ulur në “parvaze” të rrezikshme me emrin “neglizhimi i të shkuarit të kishë”. Kujtojnë se shikojnë më mirë prej këtyre “parvazeve”, ngaqë janë më lart sesa të tjerët, por shumë shpejt kanë për t’u rrëzuar përtokë. Ata që nuk pranojnë të shkojnë në kishë me besimtarët e tjerë, e vënë në rrezik shpirtin e tyre. “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:25). Njerëz të tillë konsiderojnë të marrë ata, që thonë se duhet të mblidhemi në kishë me vëllezërit dhe motrat e tjera. Por, nëse vërtet i duam këta njerëz, atëherë nuk duhet ta neglizhojmë situatën e rrezikshme, në të cilën ndodhen. Duhet t’i qortojmë dhe t’i paralajmërojmë ata, që mbështeten keq, në vend që të mbështeten tek “krahët e përjetshëm” të Krishtit (Ligji i Përtërirë 33:27).
 
Vdekja
Vendimi që mori Eutiku, më në fund i solli vdekjen. Me kaq do të mbyllej edhe historia, po të mos ndërhynte Perëndia me mëshirën dhe hirin e Tij. Pali e përqafoi djaloshin, që ishte rrëzuar përtokë dhe Zoti e ktheu atë përsëri në jetë. Duhet t’iu afrohemi atyre, që flenë e që janë larguar prej Perëndisë. Duhet të jemi gati për t’i ndihmuar madje edhe kur janë rrëzuar plotësisht. “Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen, le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh” (Jakobi 5:19-20). Juda na e përshkruan me këto fjalë përgjegjësinë që kemi: “Ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme. Dhe kini dhemshuri për njëri duke përdorur dallim, por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rroben e ndotur nga mishi. Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë” (Judës, vargu 21-25).  
Përfundim 
Nëse e vëmë re se dikush është ulur në një vend të rrezikshëm, i mbështetur keq, apo duke fjetur, le të shkojmë e ta paralajmërojmë atë për situatën në të cilën ndodhet. Nuk duhet ta neglizhojmë problemin, sepse mund të mos na jepet më rasti për paralajmërim – ai njeri mund të vdesë për punë minutash! Eutiku vërtet që u ringjall, por të tjerëve mund të mos iu jepet një shans i tillë. Ka rëndësi të madhe, pra, vendi ku ulemi – tek një vendim i tillë mund të na varet jeta, ose vdekja.
     
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
Author: magda.maylam

Leave a Reply