A je me të vërtetë i shpëtuar?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 23.05.2010

“Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes, ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët. Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus, për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus. Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:1-10).
Parathënie
Ç’lloj njerëzish kanë kishat e sotshme? A janë ata të shpëtuar vërtet, apo thjesht njerëz fetarë? Mund të duken si të krishterë, por ka të ngjarë që të jenë thjesht “të perëndishëm në dukje” (2 Timoteut 3:5). Mund t’iu pëlqejnë predikimet e së dielës, por, në fakt, njerëz të tillë “mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës” (2 Timoteut 3:7).  Ka dy lloj tipe anëtarësh kishe dhe ne nuk duhet të imitojmë asnjërin prej tyre.
Fetarët
Shumica e njerëzve fetarë e bazojnë jetën e tyre tek vetë-drejtësia. Njerëz të tillë nuk e kanë ndjerë kurrë të nevojshme të pendohen për mëkatet e tyre, por, përkundrazi, shkojnë në kishë, ngaqë e kanë për detyrë. Kujtojnë se do të shkojnë në Qiell, ngaqë janë njerëz të drejtë, jo ngaqë Krishti u sakrifikua për ta në kryq. E hedhin poshtë, pra, domosdoshmërinë e të rilindurit për së dyti. Por, njerëzit fetarë, po të mos pendohen, kanë për t’u ndëshkuar përjetësisht, pavarësisht se kujt kishe i përkasin. “Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë” (Luka 13:5)… “Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij” (Mateu 25:41).
Njerëz të tillë janë thjesht mëkatarë të reformuar, fetarë të papenduar. “Ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë” (Titit 3:5). Mund të kenë njohuri nga Bibla, por, edhe pse mund të jenë të mirëinformuar, janë prapëseprapë, mëkatarë të reformuar, ngaqë nuk ia kanë përkushtuar jetën Krishtit. Pak rëndësi ka nëse besojnë se Jezusi ka për t’i lejuar që të shkojnë në Qiell, ngaqë janë anëtarë kishe. Vetë Jezusi tha: “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë”… “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”… “Duhet të lindni përsëri” (Gjoni 3:3, 5, 7). Njerëzit fetarë duhet të pendohen, që të shpëtohen.
 
Dembelët
Ka shumë kisha, që janë të mbushura plot e përplot, por, nëse anëtarët e tyre nuk e duan Zotin, Perëndinë e tyre, si me fjalë, ashtu edhe me vepra, a janë këto kisha me të vërtetë të suksesshme? Shumica e adhuruesve janë pa punë, dembelë. Kujtojnë se s’iu ka mbetur gjë tjetër për të bërë, tani që e kanë pranuar Krishtin si Shpëtimtar. Ngrohin karriget në kishë, por, kur vjen puna për t’i shërbyer Perëndisë, zemrën e kanë akull të ftohtë. Ia lënë gjithçka të tjerëve dhe presin që t’i gjejnë gjërat gati. Ankohen shumë, por kurrë nuk bëjnë ndonjë punë.
Apostulli Pal nuk pati parasysh të krishterë të tillë dembelë, kur shkroi tek Romakëve 12:1-2, “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”. Adhuruesit e vërtetë janë punëtorë të Zotit. “As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë” (Romakëve 6:13). Njerëz të tillë e kuptojnë se të adhurosh nuk do të thotë vetëm të këndosh e të duartrokasësh në shërbesën kishtare. “Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit” (Titit 3:8). E kanë kuptuar se, po nuk punuan, adhurimi dhe besimi i tyre nuk ka vlerë fare. “Edhe le të mësojnë edhe tanët t’u kushtohen veprave të mira për nevojat e ngutshme, që të mos jenë të pafrytshëm” (Titit 3:14)… “Besimi, pa vepra, është i vdekur” (Jakobi 2:26).
Në fakt, të krishterët dembelë e çnderojnë Zotin, të Cilin thonë se e duan dhe e adhurojnë, ndaj edhe të tillë njerëz nuk kanë për t’u bërë kurrë të frytshëm. Pali i këshillon besimtarët e vërtetë që të mos jenë “të përtuar në zell”, por “të zjarrtë në frymë”, duke i shërbyer Perëndisë (Romakëve 12:11). Zoti do që të shpëtuarit të shkojnë e të japin fryt (Gjoni 15:16).
           
Përfundim 
“Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?” (1 Pjetrit 4:17). Ka shumë rëndësi ajo, që ndodh brenda për brenda shtëpisë së Perëndisë, sepse vetëm kështu e kuptojmë se duhet t’i jemi dëshmitarë të frytshëm dhe besnikë Zotit. Sa gjë e trishtuar ka për të qenë atëherë, kur Zoti ka për të ardhur për t’i gjykuar banorët e shtëpisë së Tij! Të shumtë do të jenë ata, të cilët kanë për të dëgjuar këto fjalë: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi” (Mateu 7:23). Njerëz të tillë kanë për të përfunduar në Ferr, pavarësisht se kujt feje i përkasin, sepse kurrë nuk i janë bindur Zotit. “Në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij, kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua” (2 Thesalonikasve 1.8-10).  
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/

per autorin:


Që prej 30 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është Kryetari i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 12 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studjuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Ajo është diplomuar gjithashtu me Diplomën në Teologji, të marrë prej Akademisë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@btinternet.com