A janë rezultatet dëshmi e suksesit?
“Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u nis nga shkretëtira e Sinit, duke marshuar me etapa sipas urdhrave të Zotit, dhe u vendos në Redifim. Por nuk kishte ujë të pijshëm për popullin. Atëherë populli u grind me Moisiun dhe i tha: “Na jep ujë për të pirë”. Moisiu u përgjigj: “Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?”. Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: “Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhe bagëtia jonë?”. Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: “Çfarë të bëj për këtë popull? Edhe pak dhe ata do të më vrasin me gurë”. Zoti i tha Moisiut: “Kalo para popullit dhe merr me vete disa pleq nga Izraeli; merr në dorë edhe bastunin me të cilin rrahe lumin, dhe nisu. Ja, unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë dhe populli do të pijë”. Kështu bëri Moisiu para syve të pleqve të Izraelit. Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit, dhe sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: “A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?” (Eksodi 17:1-7).
Parathënie
Në këtë pasazh, Moisiun e shohim duke zbatuar pikë për pikë urdhërin e Perëndisë. Për shkak të një bindjeje të tillë, populli i Izraelit pati ujë të pijshëm. Kjo mrekulli e ky rezultat vërtetoi se Moisiu ishte me të vërtetë një shërbëtor i bindshëm i Perëndisë. Por, më vonë, lexojmë në Bibël rreth një situate tjetër, kur izraelitëve iu desh përsëri ujë për të pirë dhe Zoti i tha Moisiut: “Merr bastunin; ti dhe vëllai yt Aaron thirrni asamblenë dhe para syve të tyre i flisni shkëmbit, dhe ai do të japë ujin e tij; kështu do të nxjerrësh për ta ujë nga shkëmbi dhe do t’u japësh të pinë njerëzve dhe bagëtisë së tyre” (Numrave 20:8). Kësaj rradhe, Moisiu bëri më shumë sesa ç’i tha Perëndia: “Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë” (Numrave 20:11). Si në rastin e parë, ashtu edhe kësaj rradhe, Moisiu arriti rezultat të mirë, por, herën e dytë ai nuk bëri vullnetin e Perëndisë: “Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: “Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre” (Numrave 20:12). E shohim, pra, se rezultatet nuk janë gjithmonë dëshmi suksesi.
Rezultatet nuk vërtetojnë gjë
Vini re se si nga shkëmbi “doli ujë me bollëk”. Në sytë e asamblesë së Izraelit, Moisiu ishte njeri i Perëndisë, një njeri që bënte mrekulli, që ishte i suksesshëm në shërbesën e tij. Përpara tyre ndodhej një njeri, që iua plotësonte nevojat dhe jo vetëm kaq, por që iua plotësonte nevojat me bollëk. Edhe ne, po të kishim qenë atë ditë aty me Moisiun, do ta kishim ngritur atë në pjedestal. Do ta kishim konsideruar atë si udhëheqësin tonë. Por, Perëndia u inatos me atë që bëri Moisiu. Në atë moment, shërbëtori i Tij nuk ishte më i suksesshëm, por kishte dështuar. “Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij” (Psalmi 106:32-33). Moisiut, ngaqë nuk iu bind mirë urdhërit të Perëndisë, nuk iu lejua që ta çonte Izraelin në Tokën e Premtuar. Në vend që të ishte udhëheqësi shpirtëror i Izraelit, Moisiu e zbaviti popullin e Perëndisë me dredhi e marifete.
Ajo që bëri Moisiu atë ditë, nuk ishte dëshmi suksesi, por dëshmi rebelimi e mosbindjeje në zemrën e tij. Të shumtë janë ata njerëz, të cilëve iu kanë bërë shumë përshtypje predikuesit e famshëm, të cilët i shohin në televizor. Predikues të tillë hiqen sikur janë njerëz të Perëndisë dhe i bëjnë për vete turmat, me paraqitjen e tyre të shkëlqyer, pothuajse teatrale. Të shumta janë historitë që dëgjojmë nga goja e këtyre predikuesve rreth aventurave të tyre në vende të ndryshme të botës. Por, ata që përdorin hile e marifete, për t’i tërhequr turmat e njerëzve, shumë shpejt bien në të njëjtin kurth, ashtu si edhe Moisiu. Pak rëndësi ka sesa të mëdha janë turmat e njerëzve që vijnë në kishë, apo sesa miliona njerëzve iu është dhënë ushqim në Afrikë, apo sesa shkolla biblike janë hapur në Rusi. Po qe se Perëndia nuk do që të bëhen gjëra të tilla, atëherë këta predikues kot që merren me këto punë. “Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit” (Psalmi 127:1). Arritja e rezultateve të shkëlqyera nuk vërteton absolutisht asgjë, po qe se këto rezultate nuk i arrijmë, duke u bazuar tek vullneti i Perëndisë. Pak rëndësi ka nëse një pastor e mbush kishën me njerëz, apo nëse kisha po përparon. Përkundrazi, ajo që ka rëndësi është kjo: “A po zbatohet vullneti i Perëndisë në kishë?”
Bindja është rruga drejt suksesit
Moisiu, jo vetëm që nuk iu bind Perëndisë, por ishte fajtor, ngaqë e lartësoi veten, jo Perëndinë, në sytë e popullit. Zoti ndëshkoi gjithashtu edhe një udhëheqës tjetër të Izraelit, për mosbindjen e tij. I tha Saulit, nëpërmjet profetit Samuel: “Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve” (1 Samuelit 15:22).
Shumica e krishtërimit të sotshëm i ngjan një spektakli, një reklame. Ku janë ata udhëheqës e ato kisha, që e duan dhe i binden me të vërtetë Zotit? Perëndisë nuk i bëjnë shumë përshtypje të kënduarit bukur, apo broshura tërheqëse, apo godina kishe të ndërtuara me finesë. Suksesi i vërtetë dhe i përjetshëm arrihet vetëm atëherë, kur Perëndia i Shenjtë nderohet prej besimtarëve, që i binden. “Ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre” (Numrave 20:12).
Përfundim
Izraelitëve iu dha ujë me bollëk. Kjo ishte një ngjarje spektakolare, një ngjarje mahnitëse, që do të përmendej gjithnjë prej brezave të ardhshëm. Por, ajo që bëri Moisiu, ishte e gabuar në sytë e Perëndisë, ngaqë ai nuk veproi sipas urdhërit të Tij. Zoti lartësohet vetëm në mes të atyre, që i shërbejnë Atij me bindje. Vetëm atëherë mund të jemi të suksesshëm në sytë e Perëndisë. “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15)… “Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh” (Jozueu 1:8).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



