A ia vlen?



nga: Gary J. Hall & Magda Maylam, botuar me: 23.03.2008

Teksti: Psalmi 73

Parathënie
Mendimet e Asafit këtu janë shumë të ngjashme me ato të besimtarëve të çdo brezi. Nëse gjithçka shkon mirë e bukur për ata që nuk besojnë, ndërkohë që i krishteri vuan gjatë gjithë jetës, atëherë a ia vlen të besosh në Perëndinë? Mishi e trupi njerëzor thonë ‘jo’, por ne, ashtu si edhe autori i këtij psalmi, duhet t’i shohim gjërat me syrin e Perëndisë: “Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre” (Psalmi 73:17). Ata që nuk besojnë, nuk pyesin fare për Perëndinë. Nuk e marrin aspak në konsideratë faktin se duhet të besojnë në Krishtin dhe ta ndjekin Atë. Jobesimtarët duket sikur kanë më shumë begati e pasuri sesa fëmijët e Perëndisë: “Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij” (Psalmi 73:3). Nganjëherë, na duket sikur do ishte më mirë sikur të mos besonim në Zot: “Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time” (Psalmi 73:13).

Ia vlen, sepse…
Dikur ishim të humbur në mëkat e të destinuar për në Ferr: “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23)… “Ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët” (Efesianëve 2:3).

Ia vlen, sepse…
Dikur ishim të dënuar: “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjoni 3:18)… “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:1).

Ia vlen, sepse…
Dikur mbanim mbi supe barrën e rëndë të fajit, një barrë, e cila na u hoq kur erdhëm tek kryqi i Kalvarit: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja. Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin i pajtimit, sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit. Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë! Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:17-21).

Ia vlen, sepse…
Bota nuk kënaqet me ato që ka. Të pasurit duket sikur vuajnë më shumë nga depresioni, shqetësimet e ndryshme dhe dëshpërimi, sesa të varfërit. Mbreti Salomon e dinte mirë një fakt të tillë. Ai kishte më shumë pasuri, sesa ç’mund ta imagjinonim, por shpirtin e kishte të pakënaqur. I provoi të gjitha: alkolin, imoralitetin, shkollimin dhe mençurinë njerëzore. Por përgjigjen e gjeti brenda në zemër, kur tha: “Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën” (Predikuesit 1:14). Njeriu gjen paqe e siguri të vërtetë vetëm atëherë, kur e kupton se vetëm Perëndia është Ai, që mund t’ia kënaqë shpirtin: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Psalmi 73:25). Vetëm atëherë ka kuptim jeta e tij: “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28).

Ia vlen, sepse…
Shtëpia jonë nuk është prej kësaj bote, sepse në këtë botë asgjë nuk ka vlerë të përjetshme: “Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës. Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota” (Gjoni 17:14-16). Shtëpia jonë është me Krishtin: “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3). Duhet ta falenderojmë vazhdimisht Perëndinë për shpëtimin e mrekullueshëm, që na ka dhënë. Kur të arrijmë në Qiell, nuk do ta marrim fare në konsideratë sesa shumë kemi vuajtur për Krishtin: “Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të. Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:17-18). 
  
Përfundim
Një komentator i Biblës, Xheimisën Foset-Braun, ka thënë: “Perëndia është i mirë ndaj popullit të Tij. Edhe pse begatia e të ligut dhe vuajtjet e të drejtit bënë që autori i psalmit 73 ta vinte në dyshim qeverisjen e Perëndisë, prapëseprapë, zemra e tij gjeti qetësi, tek pa, nën dritën e zbulesës së Perëndisë, shkatërrimin e tmerrshëm e të papritur të të ligut. Duke e qortuar veten për budallallëkun që tregoi, autori i psalmit iu drejtua përsëri Perëndisë dhe u kënaq me mirësinë dhe dashurinë e Tij”.
Djalli do që ne të kujtojmë se nuk ia vlen të besosh tek Perëndia. Ai na shfaq para syve tërë botën e mbushur me kënaqësi e pasuri, por na i fsheh kurthet e veta, që janë gati ta zënë pre këdo, që s’e ka mendjen. Përkundrazi, Fryma e Shenjtë na drejton tek jeta e përjetshme, që është e bekuar me pasuri shpirtërore në praninë e Krishtit: “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11), sepse “ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”. Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë” (1 Korintasve 2:9-10). A ia vlen të jesh i krishterë? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje varet nga fakti se kujt i besojmë.
   
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/ 

 


per autorin:


Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net