A i ka dalë moda së vërtetës?
“Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu” (Fjalët e Urta 22:28).
Parathënie
Jetojmë në periudhën e kohës të parashikuar prej profetit Daniel, kur “shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet” (Danieli 12:4). Pothuajse çdo ditë dëgjojmë që ka dalë një shpikje të re, e cila, qindra vjet më parë, do t’i kish lënë njerëzit me gojëhapur. Tani kemi telefona celularë, kompjutera dhe pajisje të tjera, që kanë si synim për të na e bërë jetën më të rehatshme. Por, shtimi i diturisë ka sjellë degjenerim në çdo nivel të jetës: “Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria” (Mateu 24:12). Brezi tonë s’i mungon asgjë, e megjithatë, të paktë janë ata, që e pranojnë se kanë nevojë për Perëndinë në jetën e tyre. Pastorët e sotshëm, në vend që t’i qëndrojnë besnikë fjalës së Perëndisë, e kanë kompromentuar mesazhin e shpëtimit. Dikur, kur një pastor i ri e pyeti Xhon Ueslin se ç’duhej të bënte për ta shtuar numrin e atyre, që vinin në takimet e tij, ai iu përgjigj: “Lëre Perëndinë të ta ndezë zemrën dhe pastaj njerëzit do të grumbullohen vetë për të të parë ty se si digjesh për Të”.
Në këtë studim, do t’i hedhim një sy tri temave të predikimit, që hidhen poshtë prej botës së sotme, ngaqë ato konsiderohen si të dala jashtë mode.
Të Predikuarit kundër Mëkatit
“Dhe në qoftë se nuk veproni kështu, atëherë do të mëkatoni kundër Zotit; dhe të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë” (Numrave 32:23). Bibla na jep shumë shembuj të njerëzve të tillë si p.sh.: Adami, Kaini, Loti, Akani, Sansoni, Sauli dhe Davidi, të cilët kujtuan se mëkati ishte një gjë pa rëndësi. Por, shumë shpejt, ata i kuptuan mirë pasojat e mëkatit. Edhe sot, njerëzit kujtojnë se mund të bëjnë si t’iu dojë qejfi: “Secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij” (Gjyqtarët 21:25).
Ka ardhur koha që mëkati të quhet ‘mëkat’, sepse ky brez e sheh mëkatin me mospërfillje dhe madje edhe e mohon fare atë. Të pirit e alkolit, p.sh. nuk është një lloj sëmundje, por mëkat. Homoseksualiteti nuk është një mënyrë jetese alternative, por është i neveritshëm në sytë e Perëndisë. Aborti nuk është e drejta e gruas të bëjë ç’të dojë me trupin e saj, por është vrasje. Në kombin tonë, asnjëri prej problemeve shoqërore të ditëve të sotme, duke filluar që nga vrasjet me armë zjarri, e deri tek abuzimi i drogës, nuk mund të zgjidhen nëpërmjet edukimit të masave, apo nëpërmjet ligjeve më të rrepta nga ana e shtetit. Shoqëria jonë duhet të kthehet përsëri tek themeli i vërtetë, mbi të cilin ndërtohet kombi: “Kështu thotë Zoti: “Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”. Por ata përgjigjen: “Nuk do të ecim nëpër të” (Jeremia 6:16)… “Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?” (Psalmi 11:3)… “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb” (Mateu 7:24).
Të Predikuarit rreth Ferrit
“Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh” (Mateu 13:41-42). Zoti Jezus Krisht foli më shumë rreth Ferrit, sesa rreth Parajsës. Një fakt i tillë duhet të na bindë se tema e Ferrit duhet të përmendet dhe të mësohet në kishat tona, në Shkollat e së Dielës dhe kurdo që iu tregojmë të tjerëve për Zotin.
Bota kujton se Ferri është një vend argëtimi, ngaqë do të jenë bashkë me shokët e miqtë e tyre aty. Por, Ferri nuk është as vend mbrëmjesh, as vend pushimi. Përkundrazi, ai është një vend i torturës së përjetshme. Nuk është vendi, ku do të ri-bashkohemi me pjesëtarët e familjes, por është vend i ndarjes së përjetshme. Është vendi, ku atyre, që nuk besojnë në Krishtin, do t’iu vijë ndër mend çdo moment i jetës së tyre të paperëndishme. Vans Havner ka thënë: “Jezusi tha që është më mirë të hysh në jetë sakat, sesa të shkosh i shëndetshëm në Ferr. Një proçedurë e tillë radikale predikohet rrallë në ditët e sotme dhe, edhe atëherë kur predikohet, predikohet dobët. Si pasojë, shohim tek ndodh një tragjedi e frikshme: njerëzit janë gati të humbin gjithçka, në vend që t’ia dorëzojnë gjithçka Krishtit. Ata humbin, pra, gjithçka, në mënyrë që të ruajnë diçka”.
Të Predikuarit rreth Shenjtërimit
“Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14). Shenjtërimi është një temë, për të cilën të krishterët e sotshëm nuk e vrasin mendjen fort. Ungjilli i Krishtit na inkurajon që të dalim jashtë zonës sonë të rehatit dhe të jetojmë jetën e vërtetë normale të krishterë. Kjo do të thotë sakrifikim nga ana jonë: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23).
Edhe pse shumica e besimtarëve këndojnë këngë rreth shenjtërimit dhe kanë njohuri të mjaftueshme për këtë temë, të paktë janë ata, që janë gati ta vënë teorinë në praktikë. Arsyeja për këtë është e thjeshtë: ata nuk duan që Jezusi të zërë vendin e parë në jetën e tyre. Nëse Ai ka parësi lidhur me shpëtimin tonë, atëherë nga kjo rrjedh se Ai duhet të jetë i pari, kur vjen puna tek koha që shpenzojmë në lutje apo në studimin e Biblës, si edhe në jetën tonë kishtare, d.m.th. në vajtjen në takime, në dhënien e të dhjetës dhe në të qënit të bindshëm ndaj thirrjes së Tij në jetën tonë: “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17). Shprehja “çdo gjë” në këtë varg përfshin çdo aspekt të jetës sonë, si nga ana shpirtërore, ashtu edhe nga ajo laike.
Përfundim
Bota e konsideron Biblën si një mith, të cilit i ka dalë moda. Në sytë e botës, vetëm ata që kanë nevojë për paterica shpirtërore, kanë nevojë për Jezusin si Shpëtimtar të jetës së tyre. Të krishterët kanë rënë në kurthin e botës, duke e dëgjuar atë, në vend që të dëgjojnë Krijuesin. Ndaj edhe sot, kisha e krishterë po vuan pasojat e veprimeve të saj. E vërteta mund të jetë e lashtë, por asaj nuk i ka kaluar koha. Ajo nuk ka skaduar. Fjala e Perëndisë është aq e përjetshme, sa ç’është vetë “i Lashti i ditëve” (Danieli 7:9). Fjala e Perëndisë është e përjetshme dhe e pandryshueshme: “Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë” (Psalmi 119:89). Të krishterët që besojnë në Bibël, kanë “urtësi” (2 Timoteut 1:7), ndërkohë që bota që i rrethon, është e zhytur në mëkat e në degjenerim. Jezusi tha: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë” (Mateu 24:35). Bota dhe gjithë teoritë e filozofitë e saj do të shkatërrohen, kur të vijë Krishti. E vërteta dhe ata që e ndjekin Jezusin, do të rrojnë në përjetësi: “Emri i tij quhet: “Fjala e Perëndisë” (Zbulesa 19:13). Të thuash se të vërtetës i ka skaduar afati është njësoj sikur të thuash se Krishti nuk është “Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjoni 14:6).
Për më shumë informacion, vizitoni faqen tonë të internetit në shqip: http://fjalaegjalle.2truth.com/
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



