A është e kufizuar Fryma e Zotit?
“Është thënë, o shtëpi e Jakobit: “A është i kufizuar Fryma e Zotit, apo këto janë veprat e tij? A nuk e bëjnë vallë rrezatues fjalët e mia atë që ec me ndershmëri?” (Mikea 2:7).
Parathënie
Këtu shohim një popull, që e kishin nisur mirë në besim, por, më vonë, ranë prej hirit të Perëndisë (mëkatuan ndaj Tij). E konsideronin akoma veten si populli i zgjedhur i Perëndisë, ngaqë e kishin prejardhjen prej babait të tyre, Jakobit. Titulli “i krishterë” e lidh besimtarin e Dhiatës së Re me Zotin Jezus Krisht. Të shumtë janë ata, që e përdorin këtë fjalë, por nuk i ngjajnë fare Krishtit. Ato fjalë që Jezusi i tha kishës së Sardës, mund t’iu thuhen edhe këtyre të krishterëve sot: “Ti ke emrin se jeton, por je i vdekur” (Zbulesa 3:1). Ç’të drejtë ka dikush për të thënë se Perëndia nuk mund të veprojë sot, ashtu siç veproi edhe në fillim të epokës së kishës? Dora e fuqishme e Perëndisë së gjithëpushtetshëm nuk është aq e shkurtër, sa të mos veprojë, por mund të bëjë akoma “gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme” (Jeremia 33:3).
Ku e kemi gabimin?
Profeti Mikea iu foli njerëzve, që po mundoheshin për të mbajtur nën kontroll mënyrën, me të cilën fliste e vepronte Fryma e Perëndisë. Tek vargu 6, e shohim se si ata iu jepnin urdhër profetëve, që të mos iu profetizonin: “Mos profetizoni,” u thonë profetëve të tyre”. Predikuesit e asaj kohe po i thonin kombit se kishte nevojë të pendohej e të kthehej me gjithë shpirt tek Zoti, sepse, përndryshe, e priste shkatërrimi. Por njerëzit nuk pyesnin fare për gjendjen e tyre shpirtërore. Përkundrazi, ata zhyteshin thellë e më thellë në pisllëkun e botës. Kalbja shpirtërore e morale kishin bërë të tyren dhe si pasojë, ata ishin pushtuar prej armiqve. Nuk pranonin t’iua vinin veshin mesazheve, që iu sillnin profetët. Nuk donin që t’iu prishej rehati prej predikuesve të Biblës. Donin të mëkatonin pa u ndjerë fajtorë, apo të ndëshkuar. Donin që të tjerët të binin dakort me sjelljen e tyre të neveritshme. Donin të ishin të lire për ta demonstruar mëkatin e tyre në mes të rrugës, duke qenë kështu krenarë për mënyrën mëkatare të jetesës së tyre. Donin t’iua mbyllnin gojën besimtarëve, ngaqë e dinin se ata ishin zëri i vërtetë i kombit. Donin ta konsideronin të ligën si të mirë, dhe të mirën si të ligë: “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën” (Isaia 5:20). Duke komentuar mbi këtë varg, Mateo Henri shkruan: “Të persekutuarit e profetëve të Perëndisë, të shtypurit dhe të mbyllurit e gojës së tyre është një mëkat, që e provokon shumë Perëndinë, sepse të dërguarit e profetëve nga ana e Tij është një shenjë e sigurtë dhe e çmuar e vullnetit të Tij të mirë ndaj nesh”. “Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë” (Psalmi 9:17).
Sot, edhe ne ballafaqohemi me të njëjtat kondita, si ato në kohën e profetit Mikaia. Nëse flasim kundër jetesës së ndyrë të botës, na quajnë fanatikë me horizont të ngushtë. Nëse iu mësojmë fëmijëve tanë vlera të mira morale, të bazuara mbi Dhjetë Urdhërimet, na thonë se po përpiqemi t’iu imponojmë pikëpamjet tona dhe po i indoktrinojmë. Por, bota vetë po përpiqet për ta çuar kombin drejt kanaleve të ujërave të zeza dhe na bëjnë që t’i pranojmë me zor veprimet e tyre. Duan ta mbajnë nën kontroll atë, që mendojnë e që flasin sidomos të krishterët. Kushtet brenda kishës janë njësoj: “Edhe sikur një njeri të ecte me një frymë falsiteti dhe të përhapte gënjeshtra, duke thënë: “Unë do të parathem për ty verë dhe pije dehëse,” ai do të ishte një profet për këtë popull” (Mikea 2:11). Kisha iu shkon prapa predikuesve, që flasin rreth begatisë (pasurisë), shëndetit, por që kurrë nuk e ndëshkojnë mëkatin. Kemi një brez besimtarësh, që duan ta kenë vetë nën kontroll atë që thotë Perëndia. Duan të dëgjojnë vetëm një mesazh: Perëndia i do dhe nuk iua vë re mëkatet. “Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit, që u thonë shikuesve: “Mos kini vegime,” dhe profetëve: “Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese” (Isaia 30:9-10). Iu pëlqen pjesa e parë e Eksodit 34:6-7, që thotë: “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri”, por e hedhin poshtë pjesën e dytë, që thotë se Ai “nuk e lë të pandëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt”.
A e ka fajin Perëndia?
A duhet fajësuar Perëndia për atë që po ndodh sot? Jo, Zoti nuk e ka fajin, ngaqë Dhuratat e Frymës janë keqpërdorur dhe janë abuzuar dhe në kishë mungon fuqia e Tij. Fuqia dhe autoriteti, që i dha Krishti kishës, dalëngadalë, është pakësuar, derisa kemi arritur deri aty, sa të mos çohemi e të flasim dot në emër të Tij, pa patur nevojë për autorizim ligjor. Gjysma e kishës thotë se Dhuratat e Frymës përfunduan, në momentin e vdekjes së apostullit të fundit, kurse gjysma tjetër i përdor këto Dhurata si të ishin kllouna cirku. Jo, nuk e ka fajin Perëndia që jemi të dobët: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar. Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen” (Marku 16:15-18). Në shënimet e tij mbi Dhiatën e Vjetër, Xhon Ueslli shkruan kështu: “Fuqia, mençuria dhe mirësia e Perëndisë nuk është më e pakët tani sesa ç’ishte më parë”.
Kanë kaluar mbi 2000 vjetë, e prapëseprapë, shumica e njerëzve janë akoma në errësirë shpirtërore, nën tutelën e mëkatit, duke e shkatërruar veten me luftëra dhe duke gënjyer e mashtruar gjatë gjithë jetës. A është bërë i paefektshëm Ungjilli i Krishtit? “Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar” (Isaia 59:1). E vërteta qëndron këtu: kisha e sotme vë në skenë shfaqje teatrale dhe programe të tjera tërheqëse, në vend që thjesht të predikojë fjalën e Perëndisë. Kisha është fajtore, ngaqë përpiqet për t’iua bërë njerëzve Ungjillin më të lehtë për t’u dëgjuar e më të tretshëm për ata që e duan mëkatin. Në mënyrë që të dëgjohen prej botës, profetët e rremë iu gudulisin veshët turmave, ia zbusin efektin predikimit të pendesës prej mëkatit dhe të domosdoshmërisë së shndërrimit të vërtetë të jetës. Predikuesit nuk i paralajmërojnë më njerëzit për Ferrin e përjetshëm të torturës, që e pret një ditë mëkatarin. Pse? Ngaqë kjo nuk është një temë popullore dhe të predikuarit e saj vihet në lojë prej botës. Pra, kush e ka fajin: Perëndia apo kisha? “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (1 Korintasve 6:9-10).
Përfundim
Perëndia është akoma në gjendje për ta mbushur kishën e Tij me fuqinë e duhur, për të kryer punën e caktuar. Mund të mendojmë se thirrja (detyra) e Perëndisë në jetën tonë është tepër e vështirë, por le ta inkurajojmë veten me faktin se edhe Pali pati të njëjtat mendime: “Dhe kush është i zoti për këto?” (2 Korintasve 2:16). Kur e kuptojmë se puna e Perëndisë nuk mund të realizohet në asnjë mënyrë tjetër, përveçse nëpërmjet vullnetit të Tij, atëherë nuk do të jemi fajtorë për përpjekjet tona për ta penguar Frymën e Shenjtë. Jemi të dobët e të paefektshëm, por Perëndia nuk është i tillë: “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6).
per autorin:
Që prej 25 vjetësh, Gary J. Hall ka qenë pastor i kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe. Ai u rrit si katolik, por në vitin 1973, në moshën 17-vjeçare, u bë besimtar i krishterë, duke e pranuar Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e Tij. Ai është diplomuar prej Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë dhe tani është drejtor i Akademisë së kësaj bashkësie. Pastor Gary ka bërë vizita të shpeshta në Shqipëri, që prej 1993-shit. Ai i është mirënjohës Perëndisë për mundësitë e mrekullueshme që i ka dhënë, për të ndarë Fjalën e Tij me shqiptarët. Kisha biblike “Fjala e Gjallë” ka faqen e saj të internetit, e cila përmban studime dhe artikuj të ndryshëm në shqip. Vizitojeni tek www.LWBC.co.uk ose mund të shkoni direkt tek faqja në shqip, duke përdorur këtë adresë http://fjalaegjalle.2truth.com Magdalena (Magda) Maylam (mbiemri i vajzërisë “Gjoni”) është shqiptare me banim që prej 8 vjetësh në Liverpul të Anglisë. Lindur e rritur me frymën ateiste në Laç, afër Krujës, Magda, me inisiativën e prindërve të saj, filloi të mësojë anglisht që në moshën 7-vjeçare. Kur Shqipëria ia hapi dyert Ungjjillit të Jezus Krishtit, Magda e gjeti veten si përkthyese të misionarëve të ndryshëm, që vinin në qytetin e saj. Dalë nga dalë, Fjala e Perëndisë i depërtoi në zemër, duke e bindur për mëkatin dhe duke i dhënë jetës së saj kuptim e qëllim. Magda e pranoi Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e saj personal në moshën 15-vjeçare. Gjatë një vizite 8-mujore studentore në Denver, Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Magda u pagëzua dhe e deklaroi hapur besimin e saj të ri në vitin 1995. Magda ka mbaruar fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Politike, duke studiuar si në Stamboll të Turqisë, ashtu edhe në Liverpul të Anglisë. Për momentin, ajo po studion për Diplomën në Teologji me Akademinë Ungjillore të Bashkësisë së Shërbesave Ungjillizuese në Angli. Magda është e martuar me Tarkuinin, besimtar anglez dhe trajner tenisi. Të dy janë anëtarë të kishës biblike “Fjala e Gjallë” në Liverpul. Ata kanë dy djem, Boaz dhe Kejleb, që përpiqen t’i rritin për Perëndinë dhe lavdinë e Tij. Ata i mirëpresin lajmet tuaja në adresën j4ver.magtar@virgin.net



